Sot është 22-vjetori i themelimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila ka marrë emrin Partia e Lirisë.

Në këtë 22-vjetor, deputetja e PL-së, Erisa Xhixho, e ka cilësuar këtë forcë politike si një subjekt që, sipas saj, ka luftuar përballë “narkoshtetit” dhe ka denoncuar aferat që kanë dëmtuar interesin publik.

Xhixho shprehet se “koha provoi se çdo denoncim i bërë nga LSI rezultoi të ishte i vërtetë”, duke renditur ndër të tjera denoncimet për kanabizimin, inceneratorët, shpopullimin, reformën në drejtësi dhe Çështjen e Detit.

Ajo akuzon qeverinë Rama për situatën në drejtësi, shëndetësi, arsim dhe bujqësi, ndërsa kritikon edhe nismën e “Ballkanit të Hapur” dhe qëndrimet e Edi Ramës ndaj Kosovës.

Xhixho deklaron se “fundi i këtij regjimi është i përcaktuar tashmë”, ndërsa shprehet se koha punon për “qëndrestarët, atdhetarët dhe të gjithë shqiptarët” që kërkojnë një vend normal për të jetuar.

Në fund, deputetja përcjell mirënjohje për themeluesit, anëtarët dhe mbështetësit e LSI-së dhe uron përvjetorin e 22-të të kësaj force politike.

Reagimi i Xhixhos:

22 vjet nga themelimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Sot pas 22 vjetesh Partia e Lirise dhe lideri i saj Ilir Meta ne menyre te pakontesueshme lexohet nga kushdo si partia që vendosi të luftoje përballë narkoshtetin,me çdo kosto, për të demaskuar të gjitha aferat antishqiptare, shitjen e kombit, dhe luftën për të drejtën e qytetarve për t'i përfaqesuar drejtësisht.

Koha provoi se çdo denoncim i bërë nga LSI rezultoi të ishte i vërtetë dhe se kjo parti u rreshtua krah qytetarëve të saj për të mbrojtur interesin publik.

1.LSI ka denoncuar që në krye të herës kanabizimin e vendit, si një projekt i mirëfilltë politik dhe ekonomik i mbështetur nga strukturat shtetërore dhe Policia e Shtetit. Sot të gjithë e dinë se Shqipëria është kthyer në një nyje të narkotrafikut europian dhe në një narkoshtet. Sot në raportet ndërkombëtare, Shqipëria figuron si vend burimi për kultivimin e kanabisit dhe një pikë e rëndësishme tranziti e trafikut ndërkombëtar të drogave të forta në Evropë.

2.LSI denoncoi e para megaaferën e inceneratorëve dhe depozitoi në SPAK tre kallëzime penale. Kjo aferë dogji plot 400 milionë euro. Sot nuk ka asnjë incenerator dhe Shqipëria është në një situatë alarmante, me plehrat që kanë pushtuar vendin.

3.LSI dhe Presidenti Meta kanë qenë të parët që kanë denoncuar shpopullimin e vendit si një agjendë politike të Edi Ramës. Sot konfirmohet se janë larguar mbi 1 milion shqiptarë nga vendi. Sot mbi gjysma e territorit të vendit rezulton pa banorë. Korça kryeson me mbi 80% të territorit të pabanuar, e ndjekur nga Gjirokastra, Vlora dhe Kukësi. Shqiptarët ikin se kjo qeveri u ka vrarë shpresën.

4.LSI ka denoncuar se implementimi i reformës në drejtësi dështoi dhe se reforma u kap nga Edi Rama. Sot qytetarëve u duhen deri në 15 vjet për të marrë drejtësi, ka një stok prej rreth 200 mijë dosjesh dhe shqiptarët nuk kanë akses në drejtësi të shpejtë dhe të paanshme. Drejtësia u përdor nga Rama kundër liderëve të opozitës, për burgosjen e tyre dhe goditjen e çdo zëri kritik e denoncues. Izolimi ekstrem i Presidentit të Partisë së Lirisë z.Meta vazhdon me urdher politik të Edi Ramës.

5.LSI denoncoi Çështjen e Detit dhe negociatat që bënte Rama kundër interesit shqiptar, për të hequr dorë nga 12 miljet hapësirë detare shqiptare në favor të Greqisë. Presidenti Meta ka bërë një rezistencë të jashtëzakonshme në mbrojtje të Kushtetutës dhe interesit kombëtar. Sot Edi Rama kërkon që këtë çështje ta çojë në Hagë, ku pala shqiptare është e disfavorizuar dhe, me shumë gjasa, do të dalë e humbur përballë Greqisë.

6.LSI denoncoi lobimin antikombëtar për ndarjen ose shkëmbimin e territoreve të Kosovës në koordinim me Beogradin. Presidenti Meta kundërshtoi me forcë këtë skenar ogurzi të dyshes Rama–Vuçiç për kombin tonë, me çdo kosto. Sot të gjithë pranojnë se ai skenar ka ekzistuar.

7.LSI denoncoi dyshen Rama-Vuçiç për Ballkanin e Hapur, një përpjekje për të rritur influencën serbe dhe për të izoluar apo vendosur nën presion udhëheqjen e Kosovës. Ideja e hedhur nga dyshja Rama-Vuçiç do t’i jepte Serbisë dominim rajonal . Sot BE e ka bërë qartë se vetëm Procesi i Berlinit është mekanizmi i vetëm i rajonin drejt integrimit  .

8.LSI denoncoi me forcë aferat korruptive, tenderat sekretë që u bënë gjatë pandemisë dhe vjedhjet galopante në shëndetësi, që do të çonin në rrënimin e sektorit. Sot sistemi shëndetësor është në kolaps total: financimi më i ulët në rajon, qytetarët nuk kanë ilaçe, pajisje mjekësore, infrastrukturë bazë dhe mjekë që t’u shërbejnë.

9.LSI denoncoi rrënimin e sistemit arsimor me pseudoreformat që po dëmtonin cilësinë. Sot sistemi arsimor është në emergjencë kombëtare, me buxhetin më të ulët në rajon, me rënie dramatike në raportet e PISA-s dhe me 60% të fëmijëve tanë analfabetë funksionalë. Sot mësuesit shqiptarë janë më të keqpaguarit dhe shkolla të tëra mbyllen çdo vit.

10.LSI denoncoi rrënimin e bujqësisë dhe mungesën e mbështetjes për fermerët dhe bujqit. Sot bujqësia është në rënie dramatike, fondet e IPARD-it u vodhën dhe prodhimi vendas është në rënie të lirë.

Fundi i këtij regjimi është i përcaktuar tashmë si qeverisja më e korruptuar që ka punuar në interes të një grushti njerëzish, duke vjedhur qytetarët më të varfër të Europës.

Kam bindjen e plotë që koha punon për qëndrestarët, atdhetarët dhe të gjithë shqiptarët që kërkojnë një vend normal ku të mund të jetojnë e të rrisin femijët e tyre.

Mirënjohje të thellë për të gjithë themeluesit, anëtarët dhe mbështetesit tanë edhe në ditë shumë të vështira.

Gëzuar të gjithëve!