Sot 8 Marsi, Ban ki Moon:Duhet
të ndalim dhunën ndaj gruas

TIRANE- Në ditën ndërkombëtare të Gruas, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon përcolli sot një mesazh për reflektim mbi ndodhitë e vitit të shkuar, të mbushur plot krime të rënda ndaj grave dhe vajzave.

Moon bën apel për të ndaluar dhunën dhe premton se të gjithë ata që dhunojnë gratë do t’u nënshtrohen ndëshkimeve për abuzimet të cilat ato kanë vuajtur.

“Duhet të pyesim veten si mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë. “- shkruan Ban Ki Moon në mesazhin e tij duke nënvizuar se dhuna ndaj vajzave, grave dhe fëmijëve janë pjesë e një problemi shumë më të madh që përshkon pothuajse çdo shoqëri dhe çdo sferë të jetës.

“Një vajze e re u përdhunua në grup deri në vdekje. Një tjetër vajzë kreu vetëvrasje nga turpi, që në fakt duhet të mbulonte përdhunuesit. Fëmijë të mitur u qëlluan me armë sepse guxuan të kërkonin të arsimoheshin. Këto fatkeqësi, të cilat me të drejtë provokuan zemërim në nivel global, janë pjesë e një problemi shumë më të madh që përshkon pothuajse çdo shoqëri dhe çdo sferë të jetës.

Ndaloni dhe shikoni gratë që ju rrethojnë. Mendoni për ato që ju mbushin me gëzim në familjet dhe komunitetet tuaja. Dhe kuptoni që ekziston mundësia statistikore që shumë prej tyre të kenë vuajtur nga dhuna gjatë jetës së tyre. Një pjesë e madhe e këtyre grave janë përkujdesur për një motër a një mikeshë, duke ndarë fatkeqësinë dhe shqetësimin e tyre pas sulmit të dhunshëm. “- thuhet në mesazhin e sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së

Ban Ki Moon nënvizon se OKB  është në krah të këtyre grave të dhunuara dhe prioritet i punës së tyre

“Këtyre grave u themi: Kombet e Bashkuara janë me ju. Si Sekretar i Përgjithshëm, theksoj se mirëqenia e të gjitha viktimave të dhunës seksuale në zonat konfliktuale duhet të jetë në krye të aktiviteteve tona. Dhe i drejtohem këshilltarëve të mi më të lartë që reagimi ynë ndaj dhunës seksuale të jetë prioritet në të gjitha aktivitetet tona paqe-bërëse, paqeruajtëse dhe paqe-ndërtuese.”

Sistemi i Kombeve të Bashkuara po promovon fushatën BASHKOHUNI për t’i dhënë Fund Dhunës Kundër Grave (UNiTE to End Violence against Ëomen), e cila bazohet mbi premtimin e thjeshtë por të fuqishëm se të gjitha gratë dhe vajzat gëzojnë të drejtën themelore për të jetuar të lira nga dhuna.

KENGA ONE WOMAN

Po sot do të prezantojnë këngën One Woman: një kënge për UN Women”
Kënga mund të shkarkohet nga adresa http://song.unwomen.org nga të gjithë, kudo që ndodhen nëpër botë, duke filluar nga data 8 mars (EST 7 mars, ora 12 në mesditë), së bashku me videon a plotë të këngës dhe me regjistrimet që dëshmojnë punën një-vjeçare për prodhimin e saj.

“One Woman” është një këngë festive për gratë në të gjithë botën, në të cilën marrin pjesë 25 artistë nga më shumë se 20 vende nga i gjithë globi. Kënga bën thirrje për ndryshim dhe i ngre kult akteve të kurajës dhe të këmbënguljes së grave të zakonshme, të cilat çdo ditë japin kontribut të jashtëzakonshëm për vendin dhe për komunitetet e tyre. Lirika është frymëzuar nga histori të vërteta të grave të mbështetura nga UN Women

Këngëtarë dhe artistë nga e gjithë bota, gra dhe burra, kanë dhuruar kohën dhe kanë dhënë talentin e tyre për realizimin e kësaj kënge. Ndër ta numërohen: Ana Bacalhau (Portugali); Angelique Kidjo (Benin); Anoushka Shankar (Indi); Bassekou Kouyate (Mali); Bebel Gilberto (Brazil); Beth Blatt (SHBA); Brian Finnegan (Irlandë); Buika (Spanjë); Charice (Filipine); Cherine Amr (Egjipt); Debi Nova (Kosta Rika); Emeline Michel (Haiti); Fahan Hassan (Mbretëria e Madhe); Idan Raichel (Izrael); Jane Zhang (Kinë); Jim Diamond (Mbretëria e Madhe); Keith Murrell (Mbretëria e Madhe); Lance Ellington (Mbretëria e Madhe); Marta Gomez (Kolumbi); Maria Friedman (Mbretëria e Madhe); Meklit Hadero (Etiopi); Rokia Traoré (Mali); Vanessa Quai (Vanuatu); Ximena Sariñana (Meksikë); Yuna (Malajzi).

Kënga do të vihet në shitje në faqen e internetit të këngës dhe në të gjitha kanalet e zakonshme, të tilla si iTunes dhe Amazon për 0.99 dollarë. Të gjitha të ardhurat do t’i shkojnë drejtpërsëdrejti UN Ëomen për të mbështetur programet e saj për fuqizimi e grave në terren.


8 Marsi u vendos si Dita Ndërkombëtare e Gruas, pas tragjedisë së 25 marsit 1911 ku zjarri i rënë në një fabrikë ku punonin vetëm gra shkaktoi 146 viktima, shumica e tyre emigrante. Tragjedia shënoi ditën në të cilën gratë përveçse festojë, edhe protestojnë për të kërkuar më shumë të drejta dhe barazi gjinore në të gjithë botën.

(sg/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ Nëse votohet sot, PS merr më shumë se 50% të votave, mazhoranca më e pëlqyer në emigracion

Sondazhi/ Nëse votohet sot, PS merr më shumë se 50% të votave, mazhoranca më e pëlqyer në emigracion