Trajneri Luciano Spalletti do të bëjë debutimin e tij në pankinën e Juventusit këtë të shtunë, në ndeshjen ndaj Cremoneses (20:45), por tekniku italian do të përballet menjëherë me dy mungesa të rëndësishme.
Sulmuesi turk Kenan Yildiz nuk do të jetë pjesë e skuadrës për këtë takim, pasi ka shfaqur probleme në gju. Për të shmangur rrezikun e një dëmtimi më serioz, ai nuk është përfshirë në listën e grumbullimeve, duke u lënë pushim si masë paraprake. Edhe mbrojtësi Lloyd Kelly vuan një lëndim në shpinë dhe do jetë jashtë.
Sipas mediave italiane, vendin e Yildiz në formacion pritet ta marrë Conceição, i cili do të formojë treshen e sulmit me Vlahovic dhe Openda.
Ndërkohë, Edon Zhegrova mbetet ende në pritje të shansit të tij, pasi Spalletti nuk e ka përfshirë në planet për formacionin titullar. Debutimi i trajnerit të ri pritet me interes të madh nga tifozët bardhezi, që shpresojnë të shohin menjëherë 'dorën' e Spallettit në fushë. Dyshja pritet të jetë gati për të martën, kur Juvja pret në Torino skuadrën e Sporting Lisbone për raundin e katërt në Champions League.
Komente








