Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje për paqe Rusisë dhe presidenti rus Vladimir Putin që të ulen në tryezë tryezë "pa vonesë". Ai tha se ky është shansi i vetëm për Rusinë që të zvogëlojë dëmin për gabimin e saj në pushtimin e Ukrainës.
“Ky është shansi i vetëm për Rusinë për të zvogëluar dëmin nga gabimi i saj”, tha Zelensky në një video të postuar në rrjetet sociale. “Është koha të takohemi, është koha të bisedojmë, është koha për të rivendosur integritetin territorial dhe drejtësinë për Ukrainën. Përndryshe, humbjet e Rusisë do të jenë të tilla që do t’iu duhen breza për t’u rikuperuar”, shtoi ai.
Gjithashtu raportohet nga ministria ruse e Mbrojtjes se një raketë balistike hipersonike Kinzhal është përdorur në një operacion special në Ukrainë "për të shkatërruar një depo të raketave dhe municioneve të aviacionit të trupave ukrainase në fshatin Delyatyn, në rajonin Ivano-Frankivsk".
Çfarë është një raketë hipersonike? Raketat hipersonike janë shumë më të shpejta se ato normale, duke i bërë ato shumë më të vështira për t’u përgjuar nga sistemet e mbrojtjes nga raketat. Koha më e shpejtë e lëshimit do të thotë gjithashtu se është më e vështirë për vendet të bëjnë një sulm parandalues. Këto raketa udhëtojnë 10 herë më shpejt se zëri, kanë një rreze veprimi prej 2000 kilometrash, mund të pajisen me ngarkesa bërthamore, janë jashtëzakonisht të vështira për t'u kapur dhe shumë "të manovrueshme".
Rusët kanë bombarduar duke shkatërruar qendrat e radios dhe inteligjencës ukrainase në rajonin e Odessa, ndërsa në Mariupol kanë sulmuar një nga fabrikat më të mëdha të çelikut në Evropë. Ndërkohë luftimet kanë vazhduar në qytetin Mariupol, ku kryetari i bashkisë njoftoi se forcat ruse kanë arritur në qendër të qytetit. Sakaq përpjekja e forcave të armatosura ruse për të rrethuar Kievin është ndalur nga Ukraina. Presidenti amerikan Joe Biden ndërkohë, ka paralajmëruar Kinën që të mos i japë Rusisë pajisje ushtarake në një telefonatë me presidentin Xi Jinping.
"Vladimir Putin vitet e fundit ka qenë si një tregtar droge, duke nxitur një varësi në vendet perëndimore nga hidrokarburet e tij.", kështu ka thënë kryeministri britanik Boris Johnson kur foli në konferencën pranverore të Partisë Konservatore në Blackpool.
"Ne duhet të çlirohemi nga kjo varësi e naftës nga rusët nëse duam t'i rezistojmë bullizmit të Putinit, ne do të shmangim shantazhimin prej tij," shtoi ai.
Presidenca ukrainase ka ftuar Kinën t’i bashkohet Perëndimit në “dënimin e barbarizmit rus”. Kina mund të jetë një element i rëndësishëm i sigurisë botërore nëse merr vendimin për të mbështetur koalicionin e vendeve të qytetëruara, thotë Mikhailo Podolyak, kreu i delegacionit të Kievit në negociatat e paqes.
"Ne nuk i japim peshë propagandës. Në vend të kësaj, ne inkurajojmë çdo hap politik dhe diplomatik që i jep fund vuajtjeve të popullit ukrainas. Italia është përkrah Ukrainës dhe do të vazhdojë të jetë".
Kështu është përgjigjur ministri italian i Mbrojtjes, Lorenzo Guerini, në përgjigje të intervistës së Alexei Paromonov, zyrtarit të Ministrisë së Jashtme ruse, për Ria Novisti, i cili e akuzonte homologun italian si një “skifteri” antirus.
Moska ka kërcënuar se do të hakmerret ndaj Italisë nëse ajo vijon të të mbështesë sanksionet e vendosura nga Rusisë.
Kostumet e verdha me vija blu u qepën për kozmonautët rusë shumë kohë më parë, ngjyrat u zgjodhën në bazë të analogjisë me stemën e Universitetit Teknik Shtetëror të Moskës me emrin Bauman, aty ku edhe janë diplomuar të tre anëtarët e ekuipazhit të anijes.
Kjo ishte përgjigja që dha Moska lidhur me 3 astronautët rusë, Oleg Artemyev, Denis Matveev dhe Sergey Korsakov u shfaqën me veshje ngjyrë të verdhë dhe blu si flamuri i Ukrainës.
Kjo u interpretua si një shenj paqeje, por në të vërtet sipas rusëve, ishte vetëm një rastësi.
“Nëse Rusia nuk ndalet tani, nëse nuk ndëshkohet tani, agresorët e tjerë në botë do të fillojnë luftëra të tjera”, këtë deklaroi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Ai tha se këto luftëra do të vijnë në rajone të ndryshme të botës, në kontinente të ndryshme, Kudo që një shtet ëndërron të pushtojë fqinjët e tij.
Këtë deklaratë presidenti ukrainas e ka bërë përmes rrjeteve sociale, duke e shoqëruar me disa fotografi nga lufta.
Dy fëmijë dhe një grua u gjetën të pajetë nën rrënojat pas bombardimit në qytetin Rubizhne në rajonin e Luganskut. Ushtria ukrainase e ka raportuar këtë lajm në Telegram.
"Dy fëmijë pa shenja jete u nxorën nga rrënojat. Ekipet e shpëtimit gërmuan nën rrënoja dhe gjetën një grua tjetër dhe një fëmijë."
Fëmijët që ikin nga lufta në Ukrainë me rrezik të shtuar të trafikimit të qenieve njerëzore - Unicef
Të paktën 1.5 milionë fëmijë janë larguar nga lufta në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt, ndërsa mijëra të tjerë janë zhvendosur brenda vendit.
UNICEF tani ka paralajmëruar se fëmijët që ikin nga shtëpitë e tyre po përballen me një kërcënim të mëtejshëm nga trafikantët e qenieve njerëzore, të cilët shpesh kërkojnë të shfrytëzojnë kaosin e lëvizjeve të mëdha të popullsisë.
Analiza e fundit e kryer nga Unicef dhe Grupi i Koordinimit Ndër-Agjencior kundër Trafikimit (ICAT) zbuloi se 28% e viktimave të identifikuara të trafikimit janë fëmijë.
Megjithatë, ekspertët besojnë se fëmijët ka të ngjarë të përbëjnë një përqindje edhe më të lartë të viktimave të mundshme të trafikimit nga Ukraina.
Kjo për shkak se gratë dhe fëmijët përbëjnë pothuajse të gjithë refugjatët që kanë ikur nga lufta deri më tani.
Rreth 500 të mitur të pashoqëruar u identifikuan duke kaluar nga Ukraina në Rumani nga 24 shkurti deri më 17 mars.
Afshan Khan, Drejtori Rajonal i UNICEF-it për Evropën dhe Azinë Qendrore, tha “Lufta në Ukrainë po çon në zhvendosje masive dhe flukse refugjatësh, kushte që mund të çojnë në një rritje të konsiderueshme të trafikimit të qenieve njerëzore dhe një krizë akute të mbrojtjes së fëmijëve."
"Fëmijët e zhvendosur janë jashtëzakonisht të cenueshëm ndaj ndarjes nga familjet e tyre, shfrytëzimit dhe trafikimit. Ata kanë nevojë që qeveritë në rajon të rriten dhe të marrin masa për t'i mbajtur ata të sigurt."
Vladimir Putin është "në formë më të mirë se kurrë". Këtë e siguroi aleati i tij më i ngushtë, udhëheqësi bjellorus Alexander Lukashenko, në një intervistë për një TV japonez, sipas raporteve nga agjencia Minsk Belta .
"Unë dhe ai nuk jemi takuar vetëm si kryetarë shtetesh, marrëdhëniet tona janë miqësore. Unë jam absolutisht i vetëdijshëm për gjithçka që ka të bëjë me të, për aq sa është e mundur, si për çështje politike ashtu edhe për ato personale", siguroi Lukashenko.
Duke hedhur poshtë akuzat e liderëve perëndimorë, si Boris Johnson, i cili e quajti Putinin "irracional", ose Mark Rutte, i cili e përshkroi liderin rus si "totalisht paranojak".
“Perëndimi duhet ta heqë nga koka këtë marrëzi, këtë trillim”, tha presidenti bjellorus.
"Putini është absolutisht në formë, ai është në formë më të mirë se kurrë. Ai është një person plotësisht i shëndetshëm, është një sportist.", tha ai.
3 astronautët rusë me kapsulën e tyre Soyuz kanë arritur të stacionohen me sukses në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës pak pas orës 20:00 mbrëmë. Ajo që ra në sy ishte se 3 astronautët rus Oleg Artemyev, Denis Matveev dhe Sergey Korsakov, hynë duke buzëqeshur dhe me veshje jo të zakonshme. Ata u shfaqën me veshje ngjyrë të verdhë dhe blu si flamuri i Ukrainës, duke treguar se të paktën në hapësirë, paqja vazhdon. Ekuipazhet ruse të hapësirës në fotot e fundit të arkivit kanë veshur kostume të bardha dhe gri.
Ndërsa shumë prej ukrainasve, detyrohen të largohen nga vendi i tyre për shkak të sulmit rus, fotografi e artisti francez me pseudonimin JR, ndërmerr një nismë të rëndësishme: Shkon në Ukrainë për tu dhënë kurajë njerëzve, përmes një gjesti simbolik. JR ka kaluar kufirin përmes Polonisë duke mbërritur deri në Leopoli, ku ka përgatitur një instalacion gjikand.
Përballë pallatit të Operas, në një nga sheshet kryesore të qytetit, ai ka riprodhuar në kanavacë imazhin e buzëgjeshur të një vogëlusheje 5-vjeçareje ukrainase të quajtur Valeria. Fotografia ka qenë në kopertinën e “Time” me titullin “Qëndresa e Ukrainës”. Vajza e vogël është nga Kryvyi Rih, vendlindja e presidentit Zelenski dhe tanimë është bërë simbol i këtij vendi.
Gjithsej 816 civilë ukrainas janë vrarë dhe 1,333 janë plagosur që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt, sipas zyrës së OKB-së për të drejtat e njeriut, raportuar nga Guardian. Megjithatë, duke qenë se OKB-ja raporton vetëm numërimet që mund të verifikojë, ajo pranon se shifrat nënvlerësojnë shumë shifrat reale.
Presidenti rus, Vladimir Putin, theksoi në një bisedë telefonike me kryeministrin e Luksemburgut se sa "e papranueshme" është natyra "e veprimtarisë biologjike ushtarake të SHBA-së në Ukrainë", njoftoi Kremlini.
Ministri i Jashtëm rus, Serghei Lavrov pretendon se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po "pengojnë" delegacionin ukrainas në negociatat me Moskën dhe nuk e lejojnë atë të bjerë dakord për kërkesat minimale të Rusisë.
Polonia i ka propozuar Bashkimit Evropian që të vendosë një ndalesë të plotë të tregtisë me Rusinë, tha më 19 mars kryeministri polak, Mateus Morawiecki.
Ai u bëri thirrje të gjitha shteteve të bllokut evropian që të vendosin sanksione më të ashpra ndaj Rusisë për shkak të nisjes së pushtimit të Ukrainës.
“Polonia po propozon që të shtohet bllokada e tregtisë në këtë paketë të sanksioneve sa më shpejt që të jetë e mundur, përfshirë edhe në portet detare... por, po ashtu ndalesë në tregtinë që bëhet përmes transportit rrugor. Shkëputja e plotë e tregtisë me Rusinë do ta shtyjë Rusinë që ta shqyrtojnë mundësinë se është më mirë që ta ndalë këtë luftë mizore”, tha Morawiecki.
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, u ka bërë thirrje aleatëve perëndimorë që të vazhdojnë ta furnizojnë me armë Ukrainën, teksa ky shtet po lufton kundër Rusisë.
“Ju lutem, na mbështesni”, tha ish-boksieri. Ai u bëri thirrje aleatëve evropianë dhe NATO-s që të dërgojnë armë esenciale për të mbrojtur hapësirën ajrore mbi Kiev.
“Ne jemi në gjendje që ta mbyllim vetë hapësirën tonë ajrore”, tha Klitscho. “Por, neve definitivisht na duhen armët e duhura”, shtoi ai.
Moska paralajmëron Italinë kundër marrjes së një qëndrimi edhe më të ashpër për sa i përket sanksioneve dhe kërcënon me "pasoja të pakthyeshme". Kështu është thënë për agjencinë Ria Novosti Alexei Paramonov , drejtor i departamentit evropian të ministrisë së jashtme ruse. Moska, tha Paramonov pa dhënë detaje, po punon për një përgjigje ndaj sanksioneve "të paligjshme" të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Forcat e Armatosura të Ukrainës kanë humbur aksesin në Detin Azov. Kjo është bërë e ditur nga Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, duke shpjeguar se është pasojë e rrethimit rus të qytetit të Mariupolit. Ndërkohë vijojnë përleshjet në qytetin port të lidhur me Detin e Zi nga ngushtica e Azovit. Ushtria ruse po vazhdon të përpiqet të depërtojë në Mariupol, ku vazhdojnë përleshjet, tha ushtria e Kievit.
Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi shkatërrimin e qendrave të radios dhe inteligjencës ukrainase në rajonin e Odessa. Lajmi është bërë i ditur nga agjencia ruse e lajmeve Ria Novosti . Qendrat, sipas mbrojtjes ruse, do të ishin shkatërruar përmes përdorimit të sistemit raketor bregdetar Bastion.
Të paktën 112 fëmijë kanë humbur jetën në konfliktin në Ukrainë. Këtë e njoftuan autoritetet e Kievit, duke shtuar se 140 fëmijë u plagosën pas agresionit ushtarak rus. Dje pasdite u zhvillua një demonstratë paqësore në Lviv gjatë së cilës dhjetëra karroca bosh u sollën në shesh për të simbolizuar fëmijët e vdekur në luftë.
Forcat e Armatosura të Ukrainës raportuan se rreth 14,400 ushtarë rusë janë vrarë deri më tani. Moska gjithashtu raportohet se ka humbur 95 avionë, 115 helikopterë, 466 tanke, 3 varka, 17 drone dhe 72 raketahedhës që nga fillimi i sulmit më 24 shkurt.
Një tjetër gjeneral rus ra në betejë në Ukrainë tha Kievi. Sipas tyre u vra gjenerali Andrei Mordvichev, i cili vdiq në qytetin Chernobayevka pas sulmeve të artilerisë
"Situata në Mariupol është katastrofike. Ka luftime të vazhdueshme për Azovstal. Në bazë të të dhënave që disponojmë, mund të themi se kemi humbur këtë gjigant ekonomik, një nga fabrikat më të mëdha në Evropë është shkatërruar". Kjo u raportua nga këshilltari i Ministrit të Punëve të Brendshme Vadym Denisenko, duke folur për Rada TV.
Për shkak të luftës në Ukrainë, dega malteze e Lidl tani ka filluar të racionojë shitjen e disa produkteve bazë si vajrave, mielli, mishi i konservuar, domatet e konservuara, ushqimi për fëmijë, lëngjëve të frutave si dhe letrat higjienike. Një njoftim u shfaq në hyrje dhe në sportelet e arkës ku specifikoheshin sasitë që mund të blihen nga çdo klient individual.
Një avion ushtarak amerikan u rrëzua në veri të Norvegjisë gjatë një stërvitje të NATO-s. Kjo është konfirmuar nga Qendrat e Përbashkëta Koordinuese të Shpëtimit, duke shpjeguar se avioni V-22 Osprey po merrte pjesë në stërvitjen ushtarake ‘Reagimi i Ftohtë’. Të katër trupat amerikane në bord të avionit humbën jetën.
Kryeministri norvegjez thotë se 4 ushtarë amerikanë vdiqën në një aksident avioni gjatë një stërvitjeje të NATO-s që nuk kishte lidhje me luftën në Ukrainë.
Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se një raketë balistike hipersonike Kinzhal është përdorur në një operacion special në Ukrainë "për të shkatërruar një depo të raketave dhe municioneve të aviacionit të trupave ukrainase në fshatin Delyatyn, në rajonin Ivano-Frankivsk". Agjencia Ria Novosti, sipas së cilës është hera e parë që raketa të tilla balistike hipersonike përdoren në konfliktin në Ukrainë.
Çfarë është një raketë hipersonike? Raketat hipersonike janë shumë më të shpejta se ato normale, duke i bërë ato shumë më të vështira për t’u përgjuar nga sistemet e mbrojtjes nga raketat. Koha më e shpejtë e lëshimit do të thotë gjithashtu se është më e vështirë për vendet të bëjnë një sulm parandalues. Këto raketa udhëtojnë 10 herë më shpejt se zëri, kanë një rreze veprimi prej 2000 kilometrash, mund të pajisen me ngarkesa bërthamore, janë jashtëzakonisht të vështira për t'u kapur dhe shumë "të manovrueshme".
Bisedimet e paqes midis Ukrainës dhe Rusisë "mund të zgjasin disa javë". Kështu deklaroi kryenegociatori i Kievit dhe këshilltari i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, Mykhailo Podolyak, duke thënë se pozicionet e Moskës janë bërë më “adekuate”. Në të njëjtën kohë, megjithatë, negociatat për çështje kyçe si garancitë e sigurisë, tërheqja e trupave ruse dhe armëpushimi "mund të zgjasin më shumë".
Ministria e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar të shtunën ka publikuar informacionet e përditësuara për situatën në Ukrainë, duke paralajmëruar se ndryshimi i taktikave ruse mund të rezultojë në vdekjen e më shumë civilëve.
“Kremlini deri më tani ka dështuar të arrijë objektivat e tij origjinale”, tha Ministria përmes një postimi në Twitter.
Britania shtoi se Rusia është “befasuar nga shkalla dhe egërsia e rezistencës së Ukrainës”.
“Rusia është detyruar të ndryshojë qasjen e saj operacionale dhe tani po ndjekë një strategji të rrënimit”, tha Ministria e Mbrojtjes.
“Kjo me gjasë do të përfshijë përdorimin pa dallim të fuqisë së zjarrit që do të rezultojë me rritjen e viktimave civile, shkatërrimit të infrastrukturës ukrainase dhe intensifikimit të krizës humanitare”, tha Mbretëria e Bashkuar.
Shkatërrime, rrënoja, viktima , flakë e tym janë pamjet që të vijën tani nga Ukraina për shkak të bombardimeve ruse që vijojnë prej 24 ditësh. Bombave nuk u kanë shpëtuar jo vetëm ndërtesat e civilëve por edhe shkollat, institucionet, teatrot ndërsa në rrezik të madh është edhe trashëgimia kulturore.
Muzeu Lore në Poltava, një nga muzetë më të vjetra në Ukrainë, Chimaeras në Kiev që është një rezidencë madhështore arti e zbukuruar me ornamente të ndryshme, Muzeu Pysanka në Kolomyia e lidhur veçanërisht me identitetin kulturor e fetar të Ukrainës e shumë të tjera janë kryeveprat arkitekturore që rrezikohen të kthehen në rrënoja nga bombat e Putinit.
Të paktën 40 ushtarë ukrainas u vranë në një sulm ajror rus në zonën jugore të Mykolaiv, në jug të Ukrainës. Kryetari i bashkisë së Mykolaiv Oleksandr Senkevich e shkroi atë në Facebook, duke denoncuar disa bomba në qytet.
Që kur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt, ka pasur rritje të mëdha në çmimet globale të ushqimit dhe energjisë. Një institut amerikan, Qendra për Zhvillimin Global, paralajmëron se rritja e çmimeve, mund të shtyjë më shumë se 40 milionë njerëz në mbarë botën në "varfëri ekstreme", raportin BBC.
Organizata tregon veçanërisht se sa i rëndësishëm është rajoni ish-sovjetik për tregtinë bujqësore. Rusia dhe Ukraina prodhojnë 29% të grurit në botë. Rusia dhe Bjellorusia përbëjnë një të gjashtën e plehrave në botë. Ndikimi i këtyre goditjeve do të ndihet gjerësisht, thotë grupi i ekspertëve, por do të godasë vendet më të varfra në mënyrë disproporcionale.
Prandaj, ekspertët rekomandojnë që prodhuesit e grurit - përfshirë në G20 - t'i mbajnë tregjet e tyre të hapura dhe pa sanksione, ndërsa qeveritë dhe agjencitë ndërkombëtare duhet të "veprojnë shpejt dhe bujarisht" për të mbështetur nevojat humanitare.
Përpjekja e forcave të armatosura ruse për të rrethuar Kievin, duke ruajtur kontrollin e dy rrugëve kryesore që të çojnë në kryeqytet në bregun e djathtë dhe të majtë të lumit Dnipro, u ndal. Kjo është raportuar nga Oleksandr Hruzevych, zëvendës shefi i shtabit të ushtrisë ukrainase, i cituar nga CNN.
‘Deri më sot, armiku është ndalur në një distancë prej gati 70 kilometrash nga bregu i djathtë i lumit Dnipro, i cili ndan Kievin në dy anë, tha Hruzevych. Për më tepër, edhe "në bregun e majtë avancimi është ndalur. Armiku po gjuan me cinizëm ndaj strukturave tona infrastrukturore", por "rrugët kryesore të sulmit janë të bllokuara".
hahahaha, esht koha per zelenskin te ulet pa kushte edhe te pranoj pa kushte cfar do rusia, bdryshe i ka ngelur pak ore nga jeta
Përgjigju