TIRANE- Nga sot fillon shpërndarja e pagesave për personat me aftësi të kufizuar dhe për familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike. Nga dita e sotme kjo kategori personash mund të paraqitet nëpër si rregullisht për të tërhequr pagat e tyre të dhjetorit, ndërsa në janar ata do të marrin edhe pagat e muajve të prapambetur. Këtë e ka bërë të ditur Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj.

Pagat e dhjetorit do të shpërndahen si zakonisht, dhe pas janarit pritet hyrja në fuqi e skemës së re. Nga 1 janari për shmangien e abuzimeve në këtë skemë, këto paga do tu kalojnë vetëm nënave dhe kjo me kushtin që fëmijët e familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike të arsimohen dhe të vaksinohen, në të kundërt nuk do ta përfitojnë atë.

Pas shumë diskutimeve për këtë kategori qeveria e ka konkretizuar këtë me akordimin e një fondi që do të shërbente për pagat e dhjetorit, kështu që edhe këto familje në nevojë do të mund të festojnë festat e fundvitit si të gjitha familjet shqipëtare. Kjo kategori që trajtohet me pagë sociale ka mbi tre muaj pa e marrë atë, pasi sipas Ministrit Veliaj, fondet janë përdorur për fushaten e PD-së në qershor, duke e lënë bosh arkën për invalidët, si dhe duke lënë pas një borxh të konsiderueshëm.

Shkrimi u publikua sot (22.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)