Krerët më të lartë të shtetit ishin sot të pranishëm në selinë e Komunitetit Mysliman për të përcjellë urimet me rastin e Kurban Bajramit.
TOPI: TË NDËRTOJMË VEPRA TË MIRA
"Kjo është dita e sakrificës njerëzore për paqen dhe dashurinë dhe harmoninë Uroj të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë, që të kenë harmoni, dialog dhe të ndërtojnë vetëm vepra të mira.”- uroi presidenti Topi në një prononcim për mediat.
BASHA: SË SHPEJTI XHAMIA E MUNGUAR
Kryetari i Bashkisë së Tiranës duke uruar të gjithë besimtarët premtoi se shumë shpejt do të nisë puna për ndërtimin e xhamisë së madhe, që mungon në kryeqytet.
Pas vizitës në selinë e Komunitetit Mysliman, Basha bëri të ditur se në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak do të miratohet komisioni për xhaminë e madhe të qytetit. "Në këtë komision do të përfshihen dhe përfaqësues të Komunitetit Mysliman, pra një grup gjithpërfshirës dhe më pas do të nisim punën për t'u dhënë besimtarëve myslimanë të Tiranës xhaminë e munguar prej shumë kohësh"
TOPALLI : SOT DITA E SAKRIFICËS
Kryetarja e Kuvendit e cilësoi ditën e sotme si ditën e sakrificës së madhe. “Kjo është një festë që bazohet tek sakrifica, dhe pranimi i sakrificës nga Zoti na bën t'a shohim më me optimizëm të ardhmen” deklaroi Topalli pas vizitës në selinë e Komunitetit Mysliman në Tiranë.
RAMA: TI JAPIM FUND DASIVE
Kryetari i opozitës Edi Rama i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda, ishte sot në qytetin e Kavajës, nga ku uroi të gjithë besimtarët mysliman për festën e Kurban Bajramit. Gjatë vizitës në xhaminë e Kavajës kryetari i PS Edi Rama, u prit nga Haxhi Xhafer Shkodra. Rama shoqërohej edhe nga kryetari i bashkisë Elvis Roshi.
Kryetari i PS-së uroi myslimanët nga qyteti i Kavajës. “Bashkëjetesa fetare, është vlerë që duhet përcjellë. Detyra jonë është tu mësojmë të rinjve harmoninë, tolerancën fetare”- tha Rama duke bërë thirrje “për ti dhënë fund dasive në shoqërinë tonë “
BERISHA: SOT NUK ESHTE DITE POLITIKE
Kryeministri Berisha pas takimit me kreun e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Selim Muca uroi të gjithë besimtarët që vitin tjetër festa ti gjejë më të begatë.
“Uroj që sakrifica e çdo shqiptari këtë ditë të hyjnizimit dhe sakrificës, ti bëhet dritë në rrugën e ndërtimit të së mirës, paqes, të shpresës, të harmonisë dhe të ardhsmes. “
Kryeministri Berisha shmangu deklaratat politike “Sot është dita e hyjnizimit të sakrificës nuk është dita e politikës, ndaj komentet, lutjet, mendimet e mia, shkojnë për Zotin dhe të gjithë ata që sakrifikojnë për një jetë më të mirë”
RITI MYSLIMAN
Sipas fesë myslimane, riti i faljes së Bajramit të madh konsiston në dy momente; e para është lutja nëpërmjet të cilës shprehet adhurimi për Zotin dhe më pas vjen predikimi. Për këtë ditë të shënuar therret një dash apo një dele e rritur, e cila i dedikohet Zotit.
Familja që e therr mund të mbajë aq mish sa i duhet dhe pjesën tjetër duhet ta ndajë me familjet e varfra. Karakteristike e kësaj dite janë dhe ëmbëlsirat dhe zbukurimet. Në çdo familje myslimane gatuhen gjëra të ëmbla, të cilat duhet t'u serviren edhe miqve. Ndërkohë, të gjithë besimtarët si dhe shtëpitë e tyre duhet të stolisen sa më mirë të jetë e mundur.
Besimtarët flijojnë në orët e para të mëngjesit qindra qengja dhe desh për të evokuar ngjarjen e shenjtë, ku zë fill kjo festë, ndër më të rëndësishmet për fenë myslimane.
(s.g/shqiptarja.com)