TIRANË- Kuvendi është mbledhur në seancën e radhës plenare, ku pritet diskutimi i 8 projektrezolutave të institucioneve të pavarura, ndërsa jashtë godina është rrethuar nga një grup protestuesish të cilët i pritën deputetët mes thirrjeve “parlamenti i krimit”, “opozitë e shitur”, “Rama në burg, Berisha në burg”.

Brenda sallës palët u përfshinë në debat po për protestat të cilat sot futen në ditën e 31-të që zhvillohen poshtë zyrës së kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit mungon në seancë, ndërsa PD kishte kërkuar një interpelancë për protestat, e cila u rrëzua me 75 votat kundër të PS dhe 23 pro.

“Ky është një refuzim për parlamentin, një refuzim ndaj qytetarëve shqiptarë. Ju sot nuk dështuat vetëm në përmbushjen e rolit tuaj. Sot ju po mbroni kryeministrin nga llogaridhënia. Detyra juaj është të mbroni dinjitetin e Kuvendit për t’i kërkuar llogari qeverisë”, tha Rama.

Një tjetër kërkesë e opozitës për mocion me debat për 5 kërkesat e protestuesve u rrëzua nga mazhoranca me 75 vota kundër dhe 19 pro.

“PD nuk e ka legjitimitetin për të përfaqësuar këtë protestë. Nga kjo protestë nuk mund të dalë një PD e re, por një e majtë radikale, kurse ne ndryshe nga ju kemi një PS të re, të rilindur. Të dashur protestues, me legjitimitet ne nuk e pranojmë partinë e Saliut si ndërmjetësuesen tuaj me ne”.

Me 74 votat kundër të PS dhe 22 pro të PD, u rrëzua edhe kërkesa tjetër e opozitës për mocion me debat për rezolutën e PE për Shqipërinë.

“Që ka të bëjë me mocionin me debat për komisionin e rezolutës, nuk e pranojmë. Jam shumë dakord që të kemi një mocion me debat pro rezolutës, ta bëjmë për ditën që kemi diskutimin e raportit të PE. Zgjerojmë kohën e debatit dhe hajde të flasim për rezolutën e PE. Është e pamundur për ne që të shkelim normën e parlamentit“, tha Balla.

Projektrezolutat e institucioneve 
Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil për vitin 2025".
Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2025".
Projektrezolutë "Për vlerësimin e veprimtarisë së Departamentit të Administratës Publike për vitin 2025".
Projektrezolutë "Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2025".
Projektrezolutë "Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Komisionit të Prokurimit Publik për vitin 2025".
Projektrezolutë "Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit për vitin 2025".
Projektrezolutë "Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit për vitin 2025".
Projektrezolutë "Për vlerësimin e veprimtarisë së Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2025"

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:52
‘Do të hyjmë në BE me apo pa votën tuaj’, Klosi: Tregu europian ka rregulla që duhen mësuar

Anëtarësimi në BE do të realizohet me apo pa votën e opozitës, tha deputeti Blendi Klosi gjatë diskutimit për projektligjin për produktet agroushqimore. Një projektligj i tillë, tha ai, është mbështetje për biznesin dhe respektim i rregullave të tregut të BE.

“Ne duam të hyjmë në BE. Kjo gjë me ose pa votën tuaj do të realizohet. Premtimi i madh i 2025 do të kërkojë shumë shpejt ballafaqimin me të tilla praktika. Nëse duam të hyjmë në tregun ushqimor, të bujqësisë, duhet të rrisim standardet, cilësinë e këtij shërbimi. Ky është parim dhe nuk është ligj kundër biznesit, është ligj për mbështetjen e biznesit që respekton rregullat. Kur ne të hyjmë në tregun europian, duhet të mësojmë rregullat e tij. Duhet t’i mësojmë fermerët që situata do të vijë drejt tregut të përbashkët, por kjo duhet bërë me parime e standarde. Konkurrenca e pandershme duhet të kufizohet, konkurrenca me partnerët europianë vjen e vështirë, me rregulla që vjen t’i stabilizojë ky projektligj që vjen si negociatë me partnerët e Brukselit”, tha Klosi.

Ora 12:23
‘Fëmijë oligarku, ke zaptuar oborrin e shkollës në Gjirokastër’, tensione mes Bidos e Muçit: Salca e radhës për sufllaqet e patronazhistëve

Ardit Bido akuzoi deputetin e Lëvizjes Bashkë, Redi Muçin se është një fëmijë oligarku që flet për të majtën e popullit kur familja e tij ka toka në Arameras dhe ka zaptuar oborrin e shkollës “Koto Hoxhi” në Gjirokastër.

“Të dëgjosh sot në parlamentin që të citohet komunizmi, marksistët, si pa të keq, për mua është mungesë respekti. Aq më tepër kur kjo vjen me hipokrizi, vjen nga një fëmijë oligarku që na flet sot për të majtën dhe popullin. Nëse Muçi dëshiron të jetë i sinqertë, unë e ftoj që 3.3% që familja e tij ka në Arameras, në zonë të mbrojtur, t’ua falë familjeve në nevojë dhe pastaj të vijë e të flasë si për të majtën, ashtu edhe për zonat e mbrojtura, ose hajde shkojmë në protestë, pavarësisht se unë jam pro ndërtimit. Nëse Muçi është i sinqertë dhe pro arsimit, në oborrin e shkollës “Koto Hoxhi” në Gjirokastër, të shembet godina ku do të jeni trashëgimtarë dhe t’i kthehet shkollës. Kujdes çfarë shkruani sepse Muçi ka shkruar që falë mbështetjes financiare të prindërve të tij, “pa të cilën edhe unë do të detyrohesha që ta siguroja jetesën si inxhinier ndërtimi si qindra kolegë e ish-studentë.” Të siguroj që s’është turp, turp është ta sigurosh jetën si përdredhës politik sepse përdredhja politike është turp, puna si inxhinier, jo”, tha Bido.

Redi Muçi sfidoi deputetët që nëse e konstatojnë akuzën, të vënë në lëvizje organet kompetente, ndërsa tha se deklarata është “salcë për sufllaqet e patronazhistëve.”

“Ardit Bido dhe deputetët e tjerë nëse konstatojnë një shkelje të një oborri shkolle, ndërtim në zonë të mbrojtur duhet të vënë në lëvizje organet kompetente për ta ndëshkuar, por nuk e bëjnë. Kjo që sapo dëgjuam është salca e radhës që u hidhet sufllaqeve të patronazhistëve që pasi e bluajnë, e nxjerrin me komente në rrjetet e mia sociale. Bido, çoji selam pashait tënd të vogël se unë për ato salcat që gatuani ju natën vonë, s’dua t’ia di fare! Sa më shumë gatuani ju, aq më shumë neveritemi! Kjo baltë që më hidhni jo që s’më bën pis, por më tregon që puna që kam bërë deri tani, është puna që duhet të vazhdoj të bëj”, tha Muçi.

Ora 12:06
‘Këtej shpërndan fondet e BE, këtej themelon parti’/ Muçi i del në mbrojtje gruas së Arlind Qorit, Balliu: S’e nxora unë kryetarin tënd, por ti!

 

Një deklaratë e Klevis Balliut nxehu gjakrat mes tij e deputetit të Lëvizjes Bashkë, Redi Muçit. Pa përmendur emra, deputeti i PD tha se bashkëshortja e kryetarit të njërit prej partive menaxhon fondet e IPA dhe ndërkohë promovohen shoqata e themelohen parti.

“Nëse do të donit të ishit seriozë mund të donit të flisnin për bashkëshortët e kryetarit të këtyre partive, njërit prej tyre, që këtej koordinon fondet IPA, për të cilat Beqja është në burg, i koordinonte kjo miliona euro. Këtej i mbani dhe i promovoni nëpër shoqata dhe na themeloni edhe parti”, tha Balliu.

Redi Muçi shfrytëzoi fjalën për replikë për t’i kthyer përgjigje Balliut duke mbrojtur bashkëshorten e kryetarit të Lëvizjes Bashkë, Arlind Qorit. Deputeti tha se këtë duhet ta ketë për nder e jo “të japë mend për gruan e tjetrit.”

“Përmendi gruan e kryetarit të partisë sime. Zotëria në fjalë, Balliu e nisi fjalën e vet duke akuzuar kolegët e vet që po merren me biografinë dhe përfundoi duke u marrë me gruan e Arlind Qorit. S’dua të merrem me Balliun, as kush është, as kush ka qenë babai i tij, unë s’merrem me biografinë e askujt. Nëse dikush ka një profesion dhe menaxhon fonde të BE, duhet ta kesh për nder dhe jo të na japësh mend çfarë bën gruaja e tjetrit. Ky Kuvend në këtë nivel do të marrë fund sepse shumë shpejt do të mbahen zgjedhjet e parakohshme dhe do të hyjnë njerëz që e meritojnë”, tha Muçi.

Balliu ia ktheu se nuk ishte ai që e nxori emrin e Qorit, por vetë deputeti.

“Mos u tallni me qytetarët sikur na vini këtu e na bëni sikur ju ka prerë barku për qytetarët. Merru ti me çështjet që merremi ne. Unë nuk merrem në planin personal, e nxore ti kryetarin tënd, s’e nxora unë. Se ia di ti muhabetet atij, s’është çështja ime”, tha Balliu.

Ora 11:47
‘Sa kam parë si ty unë...’, Balla-Muçit: Halli yt është të mbarojë parlamenti se do i lëshosh mandatin tjetrit

 

Në përgjigjen ndaj Redi Muçit, Taulant Balla tha se problemi i tij është që parlamenti të mbarojë shpejt që t’i lëshojë mandatin pasardhësit, sipas marrëveshjes. Ai shtoi se e vetmja arsye që shkojnënë protestë është për të marrë ‘like’ në Facebook ose për të bërë selfie, teksa i përsëriti se PS nuk i merret dot asgjë me forcë.

“Deputeti që sapo foli ka një hall shumë të madh se do që parlamenti të mbarojë sa më shpejt se vitin tjetër duhet të lëshojë mandatin që të vijë ai tjetri siç e kanë marrëveshjen. Llapi ka sjellë tezen, ai tjetri ka sjellë atë që i mban çantën. Këta janë ata që shkojnë te protesta për ndonjë selfie dhe për të marrë ndonjë like në Facebook. Vuçiqi nuk i shkon krahasimi asnjë politikani shqiptar. Edi Rama e ka shkruar emrin e vet në historinë e këtij vendi si kryeministri i parë dhe i vetëm që në mes të Beogradit ia ka thënë mu në ballë historinë Serbisë sa i përket Kosovës, është udhëheqësi i vetëm që në Beograd ka shpallur pavarësinë e Kosovës. PS me forcë nuk i merrni dot asgjë. Sa kam parë si ty unë...”, tha Balla.

Ora 11:36
Muçi akuza PS e PD: Po bashkëpunoni, seancën e kaluar e mbyllët që të shmangnit protestuesit

 

Deputeti i Lëvizja Bashkë, Redi Muçi akuzoi PS e PD se në seancën e para dy javëve ranë dakord që ta mbyllin për t’iu shmangur protestuesve.

“Protestuesit janë aty jashtë. Meqë Balla foli për parlamentarizmin, në seancën e para dy javëve të dyja palët ratë dakord ta mbyllet seancën që të shmangnit protestuesit. Balla iu qep protestuesve duke i akuzuar për krime të supozuara dhe u qau hallin këtyre që po bëjnë zhurmë tani. Një popull që nuk shkundet nuk mund ti ndjej zinxhirët me të cilët mbahet lidhur, populli shqiptar ka 31 ditë që po i përplas krahët për tu shqyer qytetarët me të cilët i mbani lidhur. Duhet të dini diçka, se ky popull e ka mposhtur frikën, shqiptarët po këndojnë poshtë patronazhistët. Tani që Vuçiç ra nga froni, radhën e ka ky i juaji”, tha Balla.

Ora 11:33
‘Na flisni ju për antisemitizëm, anuloni koncertin e Kanye West!’ Gonxhja-Bardhit: T’i merrni të keqen, eventi na fut në ligën e ndërkombëtarëve

1782812345_gazmentbardhidhebledigonxhe.jpg

Duke i kërkuar qeverisë të anulonte koncertin e 11 korrikut të Kanye West në Tiranë, Gazment Bardhi e quajti ministrin e Kulturës, Blendi Gonxhen, “hajdut.”

“Na flisni ju për antisemitizëm? Po anuloni koncertin e Kanye West. A i është anuluar koncerti këtij në çdo vend për shkak të qëndrimeve që ai mban? Ti je një hajdut i certifikuar. Anuloni ju koncertin dhe pastaj hajde flisni për antisemitizëm!”, tha Bardhi.

Në përgjigje të ofendimit, kryeparlamentari Niko Peleshi aplikoi masën e “tërheqjes së vërejtjes”, ndërsa Gonxhja iu përgjigj deputetit që t’i merrte të keqen këngëtarit, ndërsa tha se koncerti është event që ndryshon në imazhin e Shqipërisë.

“T’i marrin të keqen Kanye West! Është super artist që ka performuar në Holandë dy net, një vend lider i BE që ka koncert në Spanjë, Portugali, ka bërë koncert në Turqi, Gjeorgji, SHBA e së shpejti në Shqipëri. Ata që kanë ndonjë gjë me koncertin, na vjen keq, do të jetë një nga eventet që na fut në ligën e ndërkombëtarëve sa i përket destinacionit e brand-it”, u shpreh Gonxhja.

Ora 11:19
Bardhi për rezolutën e PE: Po refuzoni skanerin e saj se ju ka nxjerrë të sëmurë

1782807996_gazmentbardhi.jpg

Lidhur me kërkesën e PD për mocionin me debat për rezolutën e Parlamentit Europian për Shqipërinë, Gazment Bardhi tha se qeveria refuzon për t’iu shmangur ‘skanerit’ të PE.

“Na e servirët miratimin e rezolutës si arritje historike të Shqipërisë në procesin e integrimit europan, sot refuzoni të flasim për rezolutën e PE. Sot keni refuzuar me votë vetë PE. Jo thjesht sepse refuzoni debatin, por skanerin që PE i ka bërë qeverisë. Skaneri ju ka nxjerrë të sëmurë. Ju vuani nga sëmundja e rëndë e vjedhjes së zgjedhjeve, së taksave, korrupsionit, krimit të organizuar, thotë PE. Vetëm Rama ka frikë nga kjo rezolutë. Eurodeputetët grisën email-in e Taulantit dhe votuan për shfuqizimin e ligjit të zonave të mbrojtura. Sot s’flasim për rezolutën e PE sepse do të dalë që email-i i kolegëve është grisur dhe hedhur në kosh”, tha Bardhi.

Ai shtoi se raporti i Komisionit Europian rendit një sërë problematikash të qeverisë duke përsëritur edhe ndikimin e mbrojtjes së imunitetit të Belinda Ballukut në procesin e anëtarësimit.

“Nëse ai raport siç ua keni shitur çdo shqiptari në mënyrë të gënjeshtërt, si ka mundësi që nuk thoni hajde ta bëjmë debatin. Duhet ta nxisnit ju. Ligji na thotë kur vjen për të raportuar Këshilli i Ministrave për ecurinë e negociatave, Kuvendi bën debat dhe miraton një rezolutë. Ju refuzoni debatin sepse ua nis raporti i Komisionit Europian me vjedhjen e zgjedhjeve, përdorimin e administratës në zgjedhje, mbrojtjen ndaj korrupsionit me mbrojtjen ndaj ish-zv. kryeministres se thatë nuk ndikon, ja pra që u mbroka. S’mund të mbrohet me votë politike në parlament një person i korruptuar sepse kjo e minon rrugën e Shqipërisë në BE”, tha Bardhi.

Ora 10:52
Protestat në Tiranë, Balla-deputetëve demokratë: Ju morën sheshin dhe doni t’u bashkoheni! Ju mposhti ju, por jo PS! S’lind dot PD e re

 

Taulant Balla u ktheu përgjigje deputetëve të PD për deklaratat e tyre lidhur me protestën që mbahet prej një muaji para kryeministrisë. Shefi i grupit parlamentar socialist u tha se protestuesit u kanë marrë sheshin dhe ata duan t’u bashkohen.

Balla tha se PD e sheh protestën si shpëtim nga Berisha dhe tashmë janë të mundur prej saj, por PS nuk mposhtet dot.

“Axhendën e parlamentit e përcakton vetëm vota dhe interesi kombëtar. Demokracia është sistem që merr frymë vetëm përmes parlamentarizmit. Parlamenti është vendi ku forca e argumentit duhet të mbizotërojë mbi argumentin e forcës. Mua më duket se ju po vuani nga sindroma e Stokholmit. Ju kanë marrë sheshin dhe doni që të bashkoheni me ata që ju kanë marrë sheshin, edhe pse ata ju anatemojnë udhëheqësin. Dëgjova këtu një deputetin tuaj që në një lojë fjalësh për emrat e forcave tona politike, ra në kurthin e harresës mbi faktin se sot në krye të PD është një sekretar partie. I vetmi sekretar partie në krye të një partie politike sot në Shqipëri. Njëkohësisht edhe varkëtari i Enver Hoxhës që gëzohej kur ai i jepte dorën. Mes jush, edhe nga ata që gëzojnë kur thirret “Berisha në burg.” Ka mes jush nga ata që doni të ikë Saliu dhe shpresoni ta bëjë protesta. Juve protesta ju mundi, por ne protesta nuk na mund dot. Partinë Socialiste të Shqipërisë nuk e mund dot askush”, tha Balla.

Më tej, ai foli edhe për Dritan Goxhajn, për të cilin tha se “nuk ka shërbyer asnjë ditë në UÇK”, për të cilin akuzoi opozitën se u përpoq të përdorte dokumentin e OVL-UÇK për qëllime politike.

“U them protestuesve mos lejoni t’jua vjedhin protestën”, tha Balla duke shtuar:

“Protesta është privatizuar nga një grup shumë i vogël pa asnjë lloj legjitimiteti publik. Në çdo vend që kanë ndodhur ngjarje të tilla, elementë me program kriminal përfshihen”, u shpreh ai.

Balla ‘ia shoi’ shpresat PD për të gjetur shpëtim te protesta.

“Kjo protestë nuk e shpëton PD. Fryma e protestës është anti-establishment për ata që e kuptojnë. Nga kjo protestë nuk do të lindë dot një PD e re, ndërkohë që ne PS e kemi shumë të re. Mund të lindin vetëm parti ideologjike”, tha ai.

Me 75 vota kundër dhe 19 pro, u rrëzua mocioni me debat i kërkuar nga PD për 5 kërkesat e protestuesve.

Ora 10:35
U largua nga grupi i PS, Marjana Koçeku zëvendësohet me Erion Malajn në Komitetin e Stabilizim Asociimit (VIDEO)

 

Deputetja Marjana Koçeku, e cila u largua nga grupi parlamentar i PS, është zëëndësuar edhe në Komitetin e Stabilizim Asociimit. Ishte kryeparlamentari Niko Peleshi që njoftoi se Koçeku do të zëvendësohet me deputetin e PS, Erjon Malaj.

“Në komitetin parlamentar për stabilizim asocimin, deputetja Marjana Koçeku, largohet si anëtare dhe caktohet deputeti Erion Malaj.”, tha ai.

Ora 10:27
Spiropali për Report Tv: Unë jam dhe do të jem në PS, kush i ka bërë dëm partisë të shkojë aty ku ka vendin! (VIDEO)

 

Në një prononcim për gazetaren e Report Tv Raziela Myslimaj, deputetja e PS Elisa Spiropali tha se po punon për draftin për Shqipërinë e re. E pyetur nëse do të largohej nga partia si Marjana Koçeku, pas pakënaqësive që ka shprehur për drejtimin e kryeministrit Edi Rama, Spiropali tha se vendi i saj është në PS dhe ato që i kanë bërë dëm partisë, të shkojnë aty ku e kanë vendin.

“Jemi duke punuar. E rëndësishme është ajo që do të bëjmë për Shqipërinë. Unë jam në PS, kam qenë në PS dhe do të jem gjithmonë në PS. Në PS duhet të jetë të gjithë ata që kërkojnë një Shqipëri më të mirë, e knë bërë historikisht, e kanë bërë sot. Ato që i kanë sjellë dëme PS le të shkojnë aty ku e kanë vendin”, tha Spiropali.

Ora 10:25
5 kërkesat e protestuesve për qeverinë, Gazment Bardhit i rrëzohet interpelanca me kryeministrin! Deputeti vendos ‘refrenin’: Rama, jepe dorëheqjen! (VIDEO)

 

Kryeparlamentari Niko Peleshi refuzoi kërkesën për inteperlancë urgjente të Gazment Bardhit me kryeministrin Rama për 5 kërkesat e paraqitura prej protestuesve. Peleshi tha se çështjet kanë natyrë legjislative dhe jo me kërkim shpjegimesh.

“Shumica e çështjeve të ngritura ka natyrë legjislative pasi lidhen me ndryshimin ose shfuqizimin e akteve në fuqi dhe jo me kërkimin e shpjegimeve për veprimtari konkrete të Këshillit të Ministrave.

Kërkesa nuk pranon një objekt të veçantë dhe të pavarur që të justifikojë zhvillimin e një interpelance urgjente. Kërkesa nuk pranohet”, tha Peleshi.

Në arsyetimin e tij para Kuvendit, Bardhi tha se Peleshi po mbron kryeministrin nga llogaridhënia, ndërsa vijoi me akuzat ndaj këtij të fundit.

“Ky është një refuzim për parlamentin, një refuzim ndaj qytetarëve shqiptarë. Ju sot nuk dështuat vetëm në përmbushjen e rolit tuaj. Sot ju po mbroni kryeministrin nga llogaridhënia. Detyra juaj është të mbroni dinjitetin e Kuvendit për t’i kërkuar llogari qeverisë. Ju sot zgjodhët të mbroni kryeministrin dhe jo parlamentarizmin. Rama është peng i krimeve shtetërore dhe besoj se e ka menduar realisht dorëheqjen, por s’mund ta japë sepse është peng i sistemit që ka ndërtuar vetë. Edi Ramën nuk e lejojnë të largohet sepse ka ende borxhe për të shlyer që e bën duke shitur copa të Shqipërisë”, tha Bardhi.

Më pas, ai vendosi celularin te mikrofoni i podiumit për t’i treguar kryeministrit kërkesën e “shumicës së qytetarëve që protestojnë prej 30 ditësh” duke luajtur një video ku dëgjohej fraza “Rama jepe dorëheqjen.”

Duke iu drejtuar Arkend Ballës që foli nga vendi, Bardhi i tha:

“Arkend, në burg do të shkojnë Troplinët, ato që të kanë sjellë ty këtu. Uroj shumë t’u shkosh nga mbrapa”, përfundoi ai.

Me votimin e Kuvendit, kërkesa për interpelancë u rrëzua me 23 vota pro dhe 75 kundër.