TIRANE –  Do ti jepet sot lamtumira Ish-ministres se Kulturës, Esmeralda Uruçi, e cila ndërroi  jetë dje në spital, ku ndodhej e shtruar pas një aksidenti që kishte pësuar më 17 dhjetor 2011 me bashkëshortin e saj.

Ish ministrja e Kulurës gjatë qeverisjes së socialistëve Esmeralda Uruçi dhe i shoqi u plagosën ndërsa udhëtonin me automjetin e tyre në autostradën Tiranë – Durrës. Ata janë përplasur me një automjet tjetër, me targa TR 6058 K, i cili është larguar nga vendi i ngjarjes pas aksidentit.
Homazhet për nder të ish-ministres së Kulturës, Esmeralda Uruçi, e cila ndërroi jetë në moshën 51 vjeçare u zhvilluan sot nga ora 10.00 - 11.00 në Teatrin e Operas dhe Baletit.

Drejtori i politikave në Ministrinë e Shëndetësinë, Pëllumb Pipero tha dje për “Shqiptarja.com”, se ish-ministrja e Kulturës, Esmeralda Uruçi ka ndërruar jetë në pavijonin e neurokirurgjisë në QSUT dhe jo në Austri siç u përfol në fillim. Sipas tij, Uruçi është shtruar para dy ditësh në infektiv, ku u dyshua për meningjit purulent dhe hidrocefali, pasoja të shkaktuara nga aksidenti i 17 dhjetorit.  Nga aksidenti shpëtoi i shoqi.

JETA E URUCIT
Esmeralda Uruçi ka drejtuar Ministrinë e Kulturës në vitet 1999 – 2001 në kohën kur qeverisnin socialistët dhe respektivisht Kryeministrat Pandeli Majko dhe Ilir Meta. Ajo u largua nga kabineti në vitin 2001 kur në krye të qeverisë u zgjodh Fatos Nano. Me krijimin e partisë së re të Ilir Metës, Uruçi u angazhua duke drejtuar LSI-në në Shkodër, por më pas vendosi që të japë dorëheqjen.Ajo ka qenë lektore në disa universitete të vendit, dekane e Fakultetit të Ekonomisë dhe drejtore e Marrëdhënieve me Publikun në Bankën e Shqipërisë. Është autore e disa teksteve universitare dhe botimet brenda dhe jashtë vendit përbëjnë veprimtarinë publicistike me tema që kryesisht prekin probleme ekonomike të periudhës së tranzicionit.
(ek/aq/im/shqiptarja.com)