Në mbledhje përveç anëtarëve të zgjedhur sëfundmi në Asamblenë Kombëtare, në mbledhjen e Kryesisë marrin pjesë edhe sekretarët organizativë të cilët do marrin fjalën në lidhje me detyrat e lëna nga kryetari.
Kryesia e Partisë Socialiste pritet të paracaktojë edhe një afat maksimal brenda të cilit duhet të zhvillohen zgjedhjet për kryetarët e degëve të partisë.
Tashmë detyrë e socialistëve mbetet zgjedhja e 61 kryetarëve të degëve të partisë në secilën prej bashkive të reja, në mënyrë që edhe organizimi partiak t’i përshtatet ndarjes së re territoriale e administrative, për t’u bërë gati për zgjedhjet e ardhshme.
Ndërkohë, Kryesia do të miratojë edhe një kalendar të aktiviteteve që PS do të organizojë me rastin e 25 vjetorit të themelimit të saj. Kryesia e re ka në përbërje 29 anëtarë, 20 prej tyre të zgjedhur me votim, Kryetari, Sekretari i Përgjithshëm dhe 7 Sekretarët Ekzekutivë.
Pjesë e kryesisë së re tashmë nuk do të jenë zërat kritikë Ben Blushi e Mimoza Hafizi, ndërsa dhanë dorëheqjen prej saj deputetët Namik Dokle e Arta Dade.
Redaksia online
(u.s/shqiptarja.com)