Samiti i NATO-s/ Zelensky: Na duhen më shumë armë, lufta e Rusisë s’përfundon me ne! Biden: Shtojmë praninë e trupave në Itali dhe Gjermani

Samiti i NATO-s/ Zelensky: Na duhen më shumë armë, lufta e Rusisë s’përfundon me ne! Biden: Shtojmë praninë e trupave në Itali dhe Gjermani

Liderët e vende anëtare të NATO-s

Liderët e NATO-s pritet që të arrijnë pajtueshmëri për një përforcim të madh të aleancës në krahun lindor, kur të takohen të mërkurën në Madrid. Qëllimi i këtij vendimi është forcimi i aleancës, pas pushtimit rus në Ukrainë.

Ky vendim përbën “ndryshim themelor në parandalim dhe mbrojtje”, brenda aleancës, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në nisje të samitit treditor. Ai ka thënë në disa komente paraprake se vendimet e këtij samiti do të bëjnë rishikimin më të thellë të politikave për mbrojtje prej Luftës së Ftohtë.

Lufta në Ukrainë ka krijuar një atmosferë të re brenda aleancës perëndimore, pas disa viteve të mospajtimeve të brendshme dhe rritjes së tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, në kohën sa Donald Trump ka qenë president i SHBA-së.

Presidenti francez Emmanuel Macron e ka përmendur më 2019 se NATO-ja po përballej me “vdekje të trurit”, teksa rriteshin dilemat për rrugën që po merrte aleanca. Fundi kaotik i intervenimit 20-vjeçar të SHBA-së dhe NATO-s në Afganistan, ka ndikuar pak, derisa lufta në Ukrainë ka vënë theksin te qëllimi kyç i aleancës: mbrojtja kolektive.

Pushtimi rus në Ukrainë “e ka bërë edhe më të qartë” sa e rëndësishme është NATO-ja për të ardhmen, ka thënë kryeministri spanjoll Pedro Sanchez në nisje të takimit.

Përveç frymës së re, NATO-ja do të pranojë edhe anëtarë të rinj, pasi Suedia dhe Finlanda kanë vendosur të braktisin neutralitetin dhe të anëtarësohen në këtë aleancë, pas nisjes së pushtimit rus.

Turqia është pajtuar të martën që të heqë veton për anëtarësimin e të dyja këtyre shteteve në NATO, pas nënshkrimit të zotimeve nga Suedia dhe Finlanda për luftim të terrorizmit.

Ankaraja ka kundërshtuar anëtarësimin e këtyre dy shteteve për disa javë, duke i akuzuar për mbështetje të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe YPG-së, një milici kurde me bazë në Siri.

Ankaraja i konsideron të dyja këto organizata si terroriste.

Të mërkurën, aleanca trans-atlantike pritet të arrijë marrëveshje për të pozicionuar më shumë pajisje afër Rusisë, përfshirë armët e rënda, të rrisë numrin e trupave të NATO-s në Evropën Lindore dhe të rrisë numrin e forcave në gatishmëri të lartë nga 40,000 në 300,000.

Aleatët e NATO-s janë ende duke finalizuar përbërjen e trupave që do të angazhohen në Evropën Lindore, pasi disa vende anëtare dëshirojnë të shmangin bazat e përhershme për shkak të kostove të mëdha.

Baltiku, sidomos Estonia, kanë shtyrë NATO-n që të ndryshojë taktikat pas pushtimit rus në Ukrainë dhe që të sigurojë mbrojtje të plotë të territorit në Evropën Lindore.

Aleanca perëndimore me 30 vende anëtare, pritet të pajtohet edhe për një koncept strategjik që vë në pah misionet dhe detyrat e NATO-s. Përditësimi i fundit i politikave është bërë më 2010.

Aty pritet që Rusia të kategorizohet si kërcënimi më i madh për NATO-n në 10 vjetët e ardhshëm, si dhe të përmendet Kina për herë të parë.

Vendet partnere të NATO-s në rajonin e Indo-Paqësorit – Australia, Zelanda e Re, Japonia dhe Koreja Jugore – janë duke marrë pjesë në samit, një shenjë se lufta në Ukrainë ka marrë gjithë vëmendjen e aleancës.

Vendet anëtare të NATO-s po planifikojnë që të tregojnë përkushtim se do t’i ndihmojnë Ukrainës në periudhë afatgjatë me pajisje, trajnim dhe modernizim të pajisjeve ushtarake të periudhës sovjetike./REL

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:00
Heqja e vetos nga Turqia, Rusia: Zgjerimi i NATO-s është destabilizues

"Zgjerimi i NATO-s duke pranuar Suedinë dhe Finlandën është destabilizues". Ky është reagimi i parë i Rusisë për ujdinë e pranuar nga Turqia për heqjen e vetos ndaj dy vendeve nordike. Ministria e Jashtme ruse i konsideron negative planet e Stokholmit dhe Helsinkit për t’ju bashkuar aleancës ushtarake perëndimore

Ora 14:58
Stoltenberg: Udhëheqësit e NATO-s ranë dakord për një paketë gjithëpërfshirëse ndihme për Ukrainën

Jens Stoltenberg thotë se presidenti rus Putin ka “shkatërruar paqen” në Evropë dhe se kjo është kriza më e madhe e sigurisë që nga Lufta e Dytë Botërore – duke përsëritur komentet e mëparshme.

Ai tha se presidenti i Ukrainës Zelensky foli sot me liderët e NATO-s duke e cilwsuar lidershipin dhe guximin e tij si një "frymëzim".

Stoltenberg tha se shtetet anëtare të NATO-s ranë dakord të forcojnë mbështetjen për Ukrainën duke premtuar një "paketë gjithëpërfshirëse ndihme". Ai tha gjithashtu se një Ukrainë e fortë e pavarur është "jetike" për stabilitetin në Evropë.

Ora 14:48
Zelensky në samitin e NATO-s: Lufta e Rusisë nuk do përfundojë me Ukrainën

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i është drejtuar samitit të NATO-s me një lidhje online. Zelensky paralajmëroi liderët e vendeve të NATO-s se lufta e Rusisë nuk do të përfundojë në Ukrainë

“Kjo nuk është një luftë që po bëhet nga Rusia vetëm kundër Ukrainës. Kjo është një luftë për të drejtën për të diktuar kushtet në Evropë - për atë se si do të jetë rendi i ardhshëm botëror”, tha Zelensky.

Ora 14:47
Zelensky drejtuar NATO-s: Ne kemi nevojë për armatime moderne

1656506925_zelenskyyy.jpg

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka folur në samitin e NATO-s duke i kërkuar liderëve për armatime moderne

"Lufta nuk duhet të zvarritet. Ne kemi nevojë për sisteme shumë më moderne të artilerisë", tha Zelensky.

Presidenti Zelensky u ka bërë thirrje aleatëve që të përfshijnë edhe Ukrainën në zonën e përbashkët të sigurisë.

Ora 13:50
Zelensky: Qëllimet e Ukrainës përkojnë me qëllimet e NATO-s

“Qëllimet e Ukrainës janë saktësisht të njëjta me ato të Aleancës”, ky është komenti në “Telegram” i Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për punën e samitit të NATO-s që po zhvillohet në Madrid.

“Ne jemi të interesuar për sigurinë dhe stabilitetin në kontinentin evropian, në botë”, tha Zelensky, i cili po ashtu po merr pjesë në samit nëpërmjet një lidhje të drejtpërdrejt me video.

Ora 11:27
Nga levreku me 'qumësht tigri' te tacos dhe salmoni i tymosur, çfarë u shtrua në darkën e liderëve të NATO

Në darkën zyrtare të shtruar nga Mbreti i Spanjës dhe Mbretëresha Letitia në Pallatin e Madridit për liderët e vendeve anëtare në NATO kishte shumëllojshmëri ushqimesh.

Shefi i famshëm madrilen Paco Ronthero vendosi që të përfshinte ullinj, briosh me ton, peshk levrek me 'qumësht tigri' (salcë e famshme peruane), karavidhe me vaj ulliri, taco me mish viçi të ëmbëlsuar dhe salmon të tymosur.

Në tavolinë nuk munguan edhe brusketat me karkaleca me hudhër, misër të pjekur me avokado, kroketa merluci të skuqur. Pjata kryesore ishte merluci me salcë më të vogël, lëng trofte me tapiokë (niseshte), ndërsa për ëmbëlsirë kishin kokos me mente dhe fruta pasioni. Për të pirë u shërbye verë e kuqe, e bardhë dhe ujë mineral ose i gazuar. Në darkë ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama me bashkëshorten e tij Linda Rama.

Samiti i NATO-s nisi zyrtarisht sot në orën 11:00, me ceremoninë e pritjes së liderëve nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg dhe kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez. 

Ora 11:23
Samiti i NATO-s, Biden: Do shtojmë trupat në Itali dhe Gjermani

Shtetet e Bashkuara do të vendosin "mbrojtje shtesë të zonës dhe aftësi të tjera në Gjermani dhe Itali". Këtë e ka bërë të ditur presidenti amerikan Joe Biden , duke folur për forcimin e pranisë ushtarake amerikane në Evropë në një takim të shkurtër me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, para fillimit të samitit në Madridit.

Ora 11:10
Biden: NATO është e fortë dhe e bashkuar

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, duke hapur samitin e NATO-s në Madrid tha se NATO është e gatshme të përballet me çdo lloj kërcënimi.

"Ne dërgojmë një mesazh të qartë, NATO është e fortë dhe e bashkuar. NATO është e gatshme të përballet me çdo lloj kërcënimi, në çdo fushë. Dhe tani është më e nevojshme se kurrë", tha Biden.

Ora 10:04
Stoltenberg: Po përballemi me krizën më të rëndë të sigurisë që nga Lufta e Dytë Botërore, Rusia kërcënim për NATO-n

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke mbërritur në panairin e Madridit, ku do të nisë një samit i NATO-s, të cilin e cilësoi si "historik", përballë "krizës më të rëndë të sigurisë" që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Rusia përfaqëson një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e NATO-s", tha po ashtu Stoltenberg.

Ora 09:49
Samiti i NATO-s, Stoltenberg: Kina sfidon vlerat tona

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, gjatë mbërritjes në samitin e Madridit u shpreh se pret që aleatët të bien dakord duke qenë se Kina përbën një sfidë për vlerat, interesat dhe sigurinë e aleancës.

"Kina nuk emërtohet me një fjalë të vetme në konceptin strategjik të 2010-ës. Kina nuk është një kundërshtar, por ne sigurisht duhet të marrim parasysh pasojat për sigurinë tonë kur shohim Kinën të investojë shumë në aftësi të reja, moderne ushtarake", tha Stoltenberg.

Ora 09:36
Samiti i NATO-s, Kryeministri spanjoll: Ndikimi rus në Afrikë është në rritje

Kryeministri spanjoll,  Pedro Sánchez, në një intervistë dhënë radios “Cadena Ser” në fillim të samitit të Aleancës Atlantike në Madrid tha se Rusa po rrit ndikimet e saj në Afrikë, gjë të cilën, NATO duhet ta vlerësojë si kërcënim.

"Është e qartë se Rusia po zgjerohet në Afrikë, për shembull përmes kompanisë paraushtarake “Wagner", prandaj vendet e NATO-s duhet të parashikojnë këto lloj kërcënimesh, duke aktivizuar strategji për t'iu përgjigjur në mënyrë efektive çdo lloj sfide." Tha Kryeministri Sánchez

SI.E./G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Shpërthejnë protestat në Gjermani pas sulmit terrorist, kërkohet dëbimi i refugjatëve: Emigracioni vret

Shpërthejnë protestat në Gjermani pas sulmit terrorist, kërkohet dëbimi i refugjatëve: Emigracioni vret