Autoritetet arabe kanë njoftuar se rreth 2.5 milionë njerëz pritet të jenë pjesë e kësaj ngjarje.
Ky udhëtim fokusohet në Mekë, që është vendi i shenjtë i islamit, dhe vendlindja e Profetit Muhamed. Haxhi këtë vit zhvillohet mes një vale të paparë të protestave anti-qeveritare në botën arabe që ka rrëzuar autokratët në Tunizi, Egjipt dhe Libi.
HAXHINJTE SHQIPTARE NE MEKE
Në shoqërinë e miliona besimtarëve myslimanë nga mbarë bota për të kryer ritualin vjetor të Haxhit, prej 4 ditësh në Mekë ndodhen dhe 308 haxhinj shqiptarë. Komuniteti mysliman njofton se gjendja e tyre shëndetësore paraqitet e mirë dhe se në çdo moment ata kanë pranë kujdesin e dy mjekëve specialistë dhe të stafit të shërbimit. Haxhinjtë kryejnë vizitat në Qabe, sipas një programi rigoroz, të shoqëruar me teologë udhërrëfyes. Bashkë me haxhinjtë nga Shqipëria këtë vit në Arabinë Saudite kanë ardhur për të kryer detyrën e Haxhit edhe 859 besimtarë nga Kosova. Ata shoqërohen nga Myftiu i Kosovës, Mr. Naim Tërnava.
(s.g/rel/shqiptarja.com)