Sherri mes tifozëve i parapriu derbit të parë të sezonit mes Partizanit dhe Tiranës, që do të luhet sot në "Air Albania", në orën 18:30. Disa orë para sfidës, pranë stadiumit pati përplasje mes mbështetësve të dy skuadrave, ku u hodhën edhe flakadanë, ndërsa ndërhyrja e policisë normalizoi situatën. Në mbrëmje, dy rivalët historikë zbresin në fushë në një përballje me peshë të madhe, pasi të dy ekipet po kalojnë një nisje zhgënjyese të kampionatit dhe kërkojnë fitoren që mund t'u japë kthesë rezultateve.

Derbi i javës së gjashtë vjen në një moment të pazakontë për dy skuadrat e kryeqytetit. Pas pesë ndeshjeve të para, Tirana ka grumbulluar vetëm pesë pikë dhe renditet e gjashta, ndërsa Partizani ka katër pikë dhe ndodhet në vendin e tetë. Për të dy ekipet, tri pikët vlejnë jo vetëm për renditjen, por edhe për të lënë pas momentin e vështirë.

Edhe pse të dyja skuadrat nuk po kalojnë formën më të mirë, derbi mbetet ndeshja më e rëndësishme e futbollit shqiptar. Kjo do të jetë përballja e 213-të mes tyre, me Partizanin që kryeson bilancin historik me 84 fitore, kundrejt 63 të Tiranës, ndërsa 65 ndeshje kanë përfunduar në barazim.

Për mbarëvajtjen e sfidës, Policia e Tiranës ka hartuar një plan të posaçëm masash. Nga ora 16:00 do të bllokohen sheshi "Nënë Tereza", rrugët "Lekë Dukagjini" dhe "Dervish Hima", si edhe zonat përreth stadiumit. Tifozët e Partizanit dhe të Tiranës do të lëvizin sipas itinerareve të përcaktuara, ndërsa në hyrje do t'u nënshtrohen kontrolleve të rrepta. Nuk do të lejohen sende të forta, lëndë piroteknike, tifozë pa dokument identifikimi, si edhe fëmijë nën moshën 16 vjeç pa praninë e prindit ose kujdestarit.

Në të njëjtën orë do të luhet edhe sfida Vllaznia-Dinamo, ku shkodranët do të debutojnë me trajnerin e ri Çaba Laszlo, pas një jave të trazuar që u shoqërua edhe me bojkotin e një seance stërvitore nga futbollistët.

Java e gjashtë e Superligës nisi të shtunën me Teutën që regjistroi fitoren e pestë radhazi, duke mposhtur Skënderbeun dhe duke u shkëputur në krye të renditjes me katër pikë diferencë nga Egnatia. Ndërkohë, Elbasani u ndal në barazim 1-1 në shtëpi ndaj Vorës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:57
Derbi Tirana-Partizani, policia plan masash! Itinerare të posaçme për tifozët e ekipeve përkatëse, rrugët që bllokohen prej orës 16:00

Policia e Tiranës ka publikuar planin e masave për ndeshjen e derbit Partizani-Tirana në ‘Arenën Kombëtare’ në orën 18:30. Prej orës 16:00 do të bllokohen sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Lekë Dukagjini”, rruga “Dervish Hima”, si dhe zonat përreth stadiumit.

Lëvizja e tifozëve të dy skuadrave ka itinerar të përcaktuar për secilën. Për tifozët e ‘Partizanit’, lëvizja do të nisë nga zona e Inxhinierisë, në rrugën “21 Dhjetori”, më pas te “Libri Universitar”, duke vijuar anash Presidencës, në rrugën “Gjergj Filipi”, te “Coin”, për t’iu drejtuar tribunës N.

Lëvizja e tifozëve të “KF Tiranës” do të nisë nga sheshi “Skënderbej”, te ish-Hotel “Dajti”, Ura e Dajtit, kthim te ETC-ja, në rrugën e Elbasanit, rruga “Dervish Hima”, më pas drejt rrugës “Sheh Ahmet Pazari”, “Ambasador 3”, për t’iu drejtuar hyrjeve V–S.

Policia do të ushtrojë kontrolle për sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalikë apo lëndë piroteknike. Gjithashtu nuk lejohet hyrja e tifozëve pa mjet identifikimi si dhe atyre që janë nën 16 vjeç.

Njoftimi i Policisë:

Policia e Tiranës, në kuadër të masave të marra për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit ndërmjet ekipeve “Partizani” dhe “KF Tirana”, e cila do të zhvillohet ditën e sotme, në orën 18:30, në stadiumin “Arena Kombëtare”, ka hartuar një plan të posaçëm masash për mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv.

Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit, janë: sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Lekë Dukagjini”, rruga “Dervish Hima”, si dhe zonat përreth stadiumit.

Rrugëkalimet e tifozëve do të jenë si më poshtë:

– Lëvizja e tifozëve të “Partizanit” do të bëhet si vijon: nisja nga zona e Inxhinierisë, në rrugën “21 Dhjetori”, më pas te “Libri Universitar”, duke vijuar anash Presidencës, në rrugën “Gjergj Filipi”, te “Coin”, për t’iu drejtuar tribunës N.

– Lëvizja e tifozëve të “KF Tiranës” do të bëhet si vijon: nisja nga sheshi “Skënderbej”, te ish-Hotel “Dajti”, Ura e Dajtit, kthim te ETC-ja, në rrugën e Elbasanit, rruga “Dervish Hima”, më pas drejt rrugës “Sheh Ahmet Pazari”, “Ambasador 3”, për t’iu drejtuar hyrjeve V–S.

Policia do të garantojë dhe sigurojë lëvizjen e tifozëve përgjatë itinerareve të caktuara dhe nuk do të lejojë grumbullime apo kalime jashtë itinerarit të përcaktuar.

Në zbatim të planit të masave, do të ushtrohen kontrolle rigoroze ndaj tifozëve para hyrjes në stadium, për sende të kundërligjshme, si sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalikë apo lëndë piroteknike etj. Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.

Nuk do të lejohet hyrja në stadium e shtetasve pa dokument identifikimi. Gjithashtu, fëmijët nën moshën 16 vjeç, edhe nëse janë të pajisur me biletë, nuk do të lejohen të hyjnë pa praninë e prindit ose kujdestarit ligjor, i cili duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.

Nuk do të lejohet hyrja në stadium e tifozëve të identifikuar më parë nga Policia si problematikë në aktivitete të ndryshme sportive.

Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e tifozerive respektive për zbatimin e masave të mësipërme, si dhe mirëkuptimin e qytetarëve për të shmangur lëvizjen me automjete në segmentet rrugore të lartpërmendura, gjatë orareve të përcaktuara.

Ora 12:10
Sherr dhe flakadanë para derbit të kryeqytetit, përplasen tifozët e Partizanit dhe Tiranës (VIDEO)

Derbi i kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës ka nisur me incidente, edhe para se skuadrat të zbresin në fushë. Tifozë të të dyja skuadrave janë përplasur dhunshëm në rrugët pranë stadiumit “Air Albania”, duke krijuar tension para startit të sfidës.

Siç duket edhe nga pamjet, disa prej tifozëve kanë pasur në duar flakadane, të cilat i kanë hedhur në drejtim të njëri-tjetrit gjatë përplasjes.

Falë ndërhyrjes së policisë, e cila ndodhej pranë vendit të ngjarjes, situata është normalizuar.

Ndeshja e javës së gjashtë të kampionatit është parashikuar të nisë në orën 18:30.