Sot operacioni anti-evazion
Rama: 600 grupe në terren
Video/Fjala e plotë e  Ramës

Sot operacioni anti-evazion<br />Rama: 600 grupe në terren<br />Video/Fjala e plotë e  Ramës
Kur kanë mbetur dhe pak orë nga nisja e operacionit mbarëkombëtar për luftën ndaj evazionit fiskal, kryeministri Edi Rama ka mbledhur Këshillin Ekonomik Kombëtar ku foli për planin e "studiuar mirë" dhe "afatgjatë" për ta fituar këtë betejë më informalitetin. Duke bërë të ditur se pjesë e operacionit do të jen doganat, tatimet dhe policia, Rama tha se në terren do të jenë të angazhuara 600 grupe pune dhe operacioni do të zgjasë 300 ditë. Kreu i qeverisë u shpreh se niveli i informalitetit është rreth 30%, ndërsa po ta përllogarisim sipas kritereve që flerëson Bashkimi Evropian mund të arrij në 50%.
 
“Është një përpjekje për shtetbërjen për kalimin e Shqipërisë nga një vend i rrënuar në një vend anëtar të Bashkimit Evropian. Ne besojmë se në këtë përpjekje rol të posaçëm duhet të ketë sjellja e të gjitha forcave që do të angazhohen në terren. Janë 600 grupe që janë angazhuar dhe plotësuar me përfaqësues të strukturave të ndryshme që bëjnë punën në terren me orar të zgjatur dhe ne do të bëjmë çmos që këto grupe të sigurojnë jo vetëm kryerjen e detyrave dhe kontrollit të evidentimit të rasteve, por edhe një sjellje dhe një qasje jo armiqësore ndaj biznesit”, theksoi kryeministri.

Rama ftoi qytetarët që të bëhen pjesë e aksionit duke u kërkuar që të denoncojnë abuzimet e mundshme nga këto grupe pune. Gjithashtu ai foli edhe për të dhëna inkurajuese ende pa nisur aksioni.

“Ne do të inkurajojmë bizneset dhe qytetarët që të dokumentojnë çdo rast dhe të denoncojnë sjelljet e gabuara të këtyre grupeve të punës. Jemi krenarë që kemi krijuar një raport të ri me sipërmarrjen, shumë më ndryshe nga çka ndodhur më parë. Shenjat e para janë shumë inkurajuese, pa filluar ende operacioni dhe shifrat na japin shumë optimizëm, sepse vetëm në periudhën korrik-gusht kemi një rritje shumë të pazakontë të bizneseve të regjistruara dhe po ashtu një rritje po aq të pazakonshme të numrit të kasave fiskale të blera për t’u formalizuar. Kemi një rritje të ndjeshme në mbledhjen e TVSH-së, regjistrimin e bizneseve dhe nxjerrjen nga skllavëria të shumë njerëzve që punojnë në të zezë. Në 2014 janë regjistruar 40% më shumë biznese se gjatë 2013. Kemi mbi 30,000 biznese të reja të krijuara në Shqipëri gjatë 2014, biznese të reja dhe biznese të regjistruara. Kjo vazhdon të jetë larg synimeve tona por është shumë inkurajuese. Taksat janë çmimi që duhet paguar për të blerë qytetërimin tonë. Sfida jonë nuk është që të rrisim taksat për ata që paguajnë, në kurriz të të cilëve përfitojnë dhe ata që nuk paguajnë, po te paguajmë të gjithë taksa dhe t’i ulim taksat”, tha Rama.

Kryeministri gjatë fjalës tij vuri në dukje se kjo ndërhyrje që është e ngjashme në thelb me ndërhyrjet për pagesën energjisë e ndërtimet pa leje. Ai tha se informaliteti është i dëmshëm për ekonominë e vendin dhe ky lloj operacioni nuk synon që të dëmtojë biznesmenët, por të vërë drejtësi mes taksapaguesve dhe atyre që s’i paguajnë.
 
“Nuk duam që të marrë formën e një lufte kundër biznesit. Por është një betejë përkrahë biznesit të ndershëm dhe qytetarëve. Të mos lejojmë shitjen e asnjë malli pa kuponin tatimor nuk do të thotë që po bëjmë luftë me bizneset. Bizneset e vogla janë hallka e fundit e një zinxhiri të madh. Ne jemi të vetëdijshëm që jemi në një borxh jo të vogël me të gjithë ata që paguajnë rregullisht taksat. E pamundur që ata që paguajnë rregullisht taksat të konkurrohen padrejtësisht nga mos paguesit e taksave. Çdo konsumator duhet ta ketë të qartë. Kur kërkon kuponin tatimor i krijon kushte vetes”, u shpreh Rama.

Masat për luftimin e infromalitetin do të përfshijnë edhe masa ligjore, ku mazhoranca do të kalojë në Kuvend ndryshime ligjore, pasi siç tha Rama kuadri aktual është i brishtë dhe lejon hapësira për abuzim.
 
“Ne kemi përgatitur një paketë masash ligjore që janë në Kuvendin e Shqipërisë dhe që do të miratohen së shpejti për të ndëshkuar të gjithë ata që përfitojnë edhe nga një kuadër ligjor shumë i brishtë për të bërë evazion, për të vazhduar të mbajnë në këmbën sistemin e skllavërisë të punës së zezë dhe për të gjithë ata që fshin të ardhurat e biznese dhe manipulojnë bilancet e tyre. Të gjitha këto fenomene kërkojnë një adresim të prerë dhe të qartë ligjor. Paketa e re ligjore do të na vijë plotësisht në ndihmë siç e kërkon një moment i rëndësishëm”, tha Rama gjatë fjalës.

Kreu i qeverisë i sigurt se synimi i të gjithë qeverive është lufta ndaj evazionit fiskal, tha se çelësi i suksesi qëndron tek realizimi në terren. “Detyrimi i parë dhe themelor ndaj fëmijëve tanë, të mos jetojmë sot duke marre borxh të ardhmen e tyre. Kjo nuk është një betejë që fillon nga 0-ja dhe nuk jemi të parët që flasim për këtë përpjekje, por do ta realizojmë siç nuk është bërë kurrë më parë”, tha ai.
 
Rama duke e konsideruar informalitetin si “fenomen shqetësues”, nga ana tjetër tha se është edhe “inkurajues” pasi reduktimi i nivelit të evazionit krijon mundësinë “për t’i dhënë një hov të ri ekonomisë dhe bizneseve".
 
Redaksia Online
(a.h/f.s/sshqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?



×

Lajmi i fundit

Ende mister vrasja e çiftit të moshuarve në banesë në Dropull

Ende mister vrasja e çiftit të moshuarve në banesë në Dropull