Presidentja kroate: BE-ja krijoi vakum të rrezikshëm në Ballkan! Polonia: Brukseli të hapë dyert

Integrimi i Ballkanit Perëndimor në familjen europiane ishte kryefjala e Samitit të Brdo-Brijunit që u zhvillua në Tiranë në drejtimin e Presidentit shqiptar Ilir Meta. Të pranishëm ishin presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, Presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviç, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, e Kroacisë Kolinda Grabar-Kitarovic dhe Milorad Dodik i Bosnje-Hercegovinës, ndërsa i Maqedonisë Ivanov nuk ishte i pranishëm. Duke qenë se ky samit përkonte më Javën e Europës, të ftuar ishin edhe shefja e politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini dhe Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda.

Presidenti Meta kërkoi që konkluzionet e këtij takimi të dëgjohen më shumë nga vendet anëtarë të BE-së. Kreu i shtetit shqiptar deklaroi se samiti u zhvillua në një atmosferë pozitive. Presidenti i Sllovenisë Barut Pahor thotë se Parlamenti i ri Evropian i dalë pas zgjedhjeve të reja që do të mbahen në fund të majit, duhet të shohë arritjet dhe zhvillimin e Ballkanit Perëndimor, sa i përket progresit të bërë në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Ndërkohë që presidentja kroate Grabar-Kitarovic theksoi se është e frikësuar me vakumin që BE-ja ka krijuar në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë ajo shtoi se në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm kur Kroacia do të drejtojë Presidencën e BE-së do të organizojë një samit për integrimin e rajonit në BE.

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, i ftuar nderi në Samtin e Brdo-Brijunit, është shprehur se në këtë samit janë diskutuar problemet që mund kenë shtetet me njëra-tjetrën, duke theksuar se zgjidhja e tyre do t'i shërbente për mirë vendeve të rajonit. Duke u ndalur te dialogu Kosovë-Serbi, i pyetur nëse sot ishte gjetur ndonjë mënyrë më kreative si duhet të zhvillohet, Presidenti shqiptar Ilir Meta tha se "Duhet të theksoja rëndësinë që ne i kushtojnë Serbisë dhe Kosovë për të rinisur dialogut, ka qenë shumë e rëndësishme në samitin e Berlinit, por do jetë e posaçme në Paris. Atmosfera sot ka qenë mjaft konstruktive pavarësisht nga diferencat e ndryshme". Samiti i radhës do të zhvillohet në Lubjanë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:35
Samiti/ Meta: Ballkani në rend të ditës, të zgjidhen konfliktet e vjetra dhe kokëforta


Presidenca ka zbardhur fjalën e kreut të shtetit që ka mbajtur gjatë samitit të Tiranës që u zhvillua paraditen e sotme. Meta u shpreh se shpreson që Shqipërisë dhe Maqedonisë ti hapen negociatat dhe Kosovës ti liberalizohet vizat, ndërsa shtoi se duhet të punohet për të ruajtur sigurinë në rajonin e Ballkanit. "Duhet të pranojmë gjithashtu se Bashkimi Europian dhe vendet e tij anëtare e kanë vendosur rajonin tonë në rend të ditës, duke ndjekur politika plotësuese me ato të zgjerimit" tha ai. Referuar dialogut Kosovë-Serbi që është ndërprerë pas vendosjes së taksës së Prishtinës për mallrat, por edhe konflikteve të tjera në rajon, Meta deklaroi se mosmarrëveshjet e vjetra dhe  kokëforta e të paepura dypalëshe mund të kapërcehen me zgjidhje që shohin drejt së ardhmes.

Fjala e plotë e Presidentit Ilir Meta
Sot, në fjalën time dëshiroj të përqendrohem në tri çështje kryesore: Së pari, në procesin e integrimit të vendeve tona.

“Paqja botërore nuk mund të zgjasë nëse nuk bëhen përpjekje krijuese dhe proporcionale ndaj rreziqeve që e kërcënojnë atë… Europa nuk do të bëhet menjëherë, apo sipas një plani të vetëm. Ajo do të ndërtohet përmes arritjeve konkrete, që fillimisht krijojnë një solidaritet de facto”.

Ky ishte prologu i deklaratës së Shumanit, që frymëzoi bashkëpunimin e mirëfilltë dhe krejtësisht të ri politik, për të pamundësuar një luftë tjetër në Europë. Ky ishte vizioni largpamës që krijoi paqen, bashkimin dhe begatinë europiane.

Na duhet të pranojmë faktin se Bashkimi i sotëm Europian është rritur përtej përfytyrimit të Shumanit. Ai është zgjeruar, thelluar dhe forcuar me guxim, vendosmëri dhe palodhur.

Në këtë kontekst, dua të theksoj dy mesazhe kyçe:

Së pari, Vendet tona kanë ende shumë për të mësuar nga themeluesit dhe filozofia e këtij projekti historik, mbi çfarë mund të konsiderohen ide pionere, nxitëse të një epoke të re të bashkëjetesës në rajonin tonë.

Së dyti, padurimi i vendeve tona për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian është tregues i qartë se ngrehina politike, ekonomike dhe shoqërore europiane mbetet po aq strategjike për ne, sa ç’ka qenë edhe më parë.

Në këtë kuadër, shpresoj që vendi im dhe Republika e Maqedonisë së Veriut të çelin sa më parë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian dhe që Kosova të përfitojë liberalizimin e vizave pa vonesa të mëtejshme.

Çështja e dytë: bashkëpunimi rajonal.

Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin e saj të pazëvendësueshëm si faktor paqeje, stabiliteti dhe sigurie në rajon. Ne do të vazhdojmë të përmbushim përgjegjësitë tona të shtuara si anëtarë të NATO-s për një fqinjësi paqësore dhe të sigurt, përfshirë vendosmërinë për të qëndruar përkrah aleatëve strategjikë në luftën globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Mosmarrëveshjet e vjetra, kokëforta e të paepura dypalëshe është e mundur të kapërcehen me zgjidhje që shohin drejt së ardhmes dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë kanë mundësi të përmirësohen edhe më tej në rajonin tonë, nëse kanalizohen drejt perspektivës së duhur europiane dhe euroatlantike. Në këtë drejtim, pesha dhe rëndësia e Marrëveshjes së Prespës është e jashtëzakonshme, dhe si e tillë meriton të çmohet si një arritje e madhe.

Ftesa e NATO-s për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut ishte vendimi i duhur, në kohën e duhur. NATO-ja duhet të jetë krenare që në 70-të vjetorin e saj zgjerohet me anëtarin e 30-të, duke shtrirë edhe më tej perimetrin e paqes dhe sigurisë.

Duhet të pranojmë gjithashtu se Bashkimi Europian dhe vendet e tij anëtare e kanë vendosur rajonin tonë në rend të ditës, duke ndjekur politika plotësuese me ato të zgjerimit.

Procesi i Berlinit, që synon ndërlidhjen dhe pajtimin rajonal do të vazhdojë, dhe gjatë këtij viti do të organizohet në Poloni. E vlerësoj tej mase faktin që Samiti i Poznanit do t’i japë vëmendjen e merituar çështjeve të arsimit dhe rinisë, duke synuar mënjanimin e pengesave frustruese rajonale.

Është po aq domethënës fakti që Gjermania dhe Franca, themeluese të Bashkimit Europian, i kushtuan vëmendje të veçantë rajonit tonë në mes të fushatës politike për zgjedhjet europiane. Urojmë që Samiti i Parisit t’i japë një dinamikë të re e konstruktive këtij procesi.

Shqipëria do të mbështesë përpjekjet e institucioneve të Kosovës për t’u riangazhuar në dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Një proces konstruktiv ka potencialin të prodhojë marrëveshjen përfundimtare, ligjërisht të detyrueshme, tërësore dhe të zbatueshme, që normalizon plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe kontribuon për paqen, stabilitetin e perspektivën europiane të rajonit

Ngjashëm me shembullin e Marrëveshjes së Prespës, mbeten jetike dhe të domosdoshme si bashkëpunimi i përgjegjshëm dhe serioz ndërmjet dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, ashtu edhe një koordinim më i mirë ndërmjet BE-së dhe ShBA-ve mbi perspektivën e dialogut dhe të rajonit.

Si çështje të fundit, dua të nënvizoj se si vende në proces anëtarësimi në Bashkimin Europian, jemi zotuar për të respektuar parimet dhe vlerat e demokracisë liberale.

Përqendrimi tek mirëqeverisja dhe sundimi i ligjit, ndërtimi i institucioneve funksionale demokratike, ekonomia e tregut, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe lirive politike të popujve tanë, janë shtyllat kryesore të reformave të qëndrueshme.

Të gjithë kemi një rol vendimtar për ndërtimin e kësaj të ardhmeje për qytetarët tanë, duke gëzuar mbështetjen e miqve europianë, përfshirë edhe premtimin për të shpërblyer arritjet e rezultateve të besueshme dhe konkrete.

Ora 12:54
Presidenti polak: BE të hapë dyer për vendet e Ballkanit! Zgjerimi prioritet i institucioneve të reja evropiane

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, i ftuar nderi në samitin e Brdo-Brijunit në Tiranë, tha se Bashkimit Evropian duhet të ndjekë gjithmonë politikën e dyerve të hapura, pa u ndikuar nga faktorë të tjerë, siç ishte ndjeshmëria nga "Brex-it". Institucionet e reja parlamentare të dala nga zgjedhjet në fund të majit, do duhet të kenë pjesë prioritare të rendit të ditës, zgjerimin e BE-së për vendet e Ballkanit.

Polonia, prej 15 vitesh anëtare e Bashkimit Evropian, do të japë mbështetjen e saj ndaj Ballkanit Perëndimor.

"Kjo politikë duhet të jetë gjithmonë politika e dyerve të hapura. Arsyeja e parë është se në të kaluarën ne aplikuam si komb të ishim pjesë e BE, bëmë mjaft përpjekje për reformat për t'i përshtatur funksionimin e vendit tonë ndaj pritshmërive të Komisionit Evropian. Ne jemi prej 15 vitesh anëtarë të BE-së, mbështetja e polakëve është mjaft e madhe sepse gëzojnë lirinë që solli ky anëtarësim, për shkak të fondeve nga BE.

Një tjetër problem përbën Brexit. Ka disa arsye për shoqërinë angleze për të dhënë përgjigje tjetër në referendum. Shoqëria britanike ishte kundër anëtarësimit në BE. Dhe sot institucionet e reja të BE-së do të mendojnë shumë për këto.

Parlamenti i ri Evropian, Komisioni i Ri Evropian që do të ngrihet së shpejti, nuk do të shqetësohen vetëm nga fakti që britanikët i thanë jo BE-së. Kjo ndjenjë hidhërimi që institucionet evropiane thonë: Përse e bënë këtë. Ka pasur gjithmonë përpjekje të BE-së për dyert e hapura.

Zgjerimi i BE është për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vendet e tjera që po aplikojnë, kjo duhet të jetë pjesë e rendit të ditës dhe qëllim i Komisionit të ri Evropian", u shpreh presidenti polak Duda.

Ora 12:43
Pahor: Rajoni duhet të jetë sa më tërheqës për BE! Parlamenti i ri ta shikojë ndryshe zgjerimin

Presidenti i Sllovenisë Barut Pahor thotë se Parlamenti i ri Evropian i dalë pas zgjedhjeve, do të duhet të shohë arritjet dhe zhvillimin e Ballkanit Perëndimor, sa i përket progresit të bërë në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Nga Samiti në Tiranë me liderët e Rajonit, kreu i shtetit slloven, tha se institucionet e reja evropiane duhet të kenë nivelin më të lartë të rendit të ditës. pikërisht zgjerimin e familjes evropiane.

"Jam i surprizuar pozitivisht nga atmosfera në seancën plenare sot. Nuk po them se në zgjidhëm problem, por ne kemi trajtuar çështjet në mënyrë të hapur dhe i kemi debatuar në mënyrë shumë miqësore. Pas zgjedhjeve evropiane procesi i zgjerimit nuk do të jetë në nivelin e lartë të ditës të komisionit evropian. Varet nga ne t'i marrim ato çështje të hapura, t'i zgjidhim ato që ky rajon të jetë më tërheqës për BE sesa është për momentin. Është e dukshme për mua që pas zgjedhjeve evropiane, dhe pas zgjedhjes së komisionit të ri, është koha për Brukselin të shikojë procesin e zgjerimit ndaj Ballkanit Perëndimor, në një mënyrë tjetër. Është e natyrshme që KE do t'i drejtojë negociatat me qeveritë e vendeve të ndryshme. Në të njëjtën kohë KE, PE, i gjithë BE, duhet të ketë përpara syve të tyre panoramën e përgjithshme të Rajonit, dhe duhet të përpiqen të ftojnë të gjithë në proces pasi të gjithë do të varen nga njëri-tjetrin dhe ekziston një mundësi që problemet do të zgjidhen në një mënyrë më të mirë sesa janë zgjidhur tani. Takimi i ardhshëm ka mundësi të jetë në Lubjanë në mes të nëntorit të këtij viti. Ne na u dha mandati t'i dërgojmë së bashku me Kolindën një ftesë sekretarit të përgjithshëm të OKB, të jetë i ftuari, dhe nëse pranon ky takim do të jetë në mes të nëntorit këtë vit. Unë kam pasur dy takime dhe ai është i gatshëm ta konsiderojë këtë alternativë. Kjo do të jetë mundësi e shkëlqyer që edhe ai do të jetë i ftuari i nderit i ardhshëm", tha Pahor.

Samiti i ardhshëm do të mbahet në Lubjanë. Aty, Pahor tha se pritshmëritë janë që Këshilli të ketë vlerësuar dhe njohur progresin e bërë nga vendet e Rajonit.

"Ne vendosëm sot që të ftojmë në takimin e ardhshëm dhe do përfshihen konkluzionetqë arritëm sot. Takimi tjetër në qershor, do të jetë e rëndësishme për të gjithë rajonin, dhe në rast se Këshilli do të dërgojë një mesazh pozitiv këtij rajoni që kanë bërë disa progrese, atëherë ky do të jetë një mesazh i mirë për rajonin dhe ne do inspirojmë anëtarët e Këshillit Evropian për ta pranuar këtë. Samiti i radhës do të jetë një mundësi e shkëlqyer për të debatuar prioritetet e KE-së do të marrë parasysh edhe ftesën tonë për të mbajtur politikën e hapur në rendin e tyre të ditës. Do të jetë një mundësi për të debatuar vendimin e Komisionit. Mund të debatojmë për rajonin e Ballkanit, bashkë me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Duke shpresuar se një ditë të gjitha vendet do të jenë pjesë e rajonit", tha presidenti slloven.

Ora 12:34
Dodik u prit me protesta, Meta: Mbeti i kënaqur me mikpritjen, do të vijë për turizëm

Presidenti i Bosnjës dhe ai i Serbisë u pritën me protesta në Tiranë nga Vetëvendosje, por Presidenti Meta u shpreh se Dodik ka mbetur i kënaqur nga vizita e parë në Shqipëri dhe se kishte premtuar që do të vinte sërish për turizëm. "Atmosfera ka qenë mjaft pozitive dhe konstruktive, sikur e shprehja, arritja e Prespës është historike, të gjithë do të donim që edhe dialog Kosovë-Serbi të kishte përfunduar, por e thashë por nëse do të kishte ndodhur menjëherë me Prespën dikush mund të na ngatërronte duke menduar se ishim në Beneluks dhe jo në rajon. Por kemi angazhim të përbashkët për paqen dhe perspektivën europiane dhe vullneti për ti zgjidhur të gjitha cështjet përmes dialogut. Samiti ka një format të përcaktuar dhe Dodik ka qenë i ftuar dhe mirëseardhur si president i radhës i Bonjës, besoj se ka mbetur i kënaqur, ishte hera e parë që vinte në Tiranë dhe ka premtuar se do të vijë edhe për turizëm, pasi kishte dëgjuar për mikpritjen shqiptare" tha ai.

Ora 12:25
Presidentja kroate: BE-ja krijoi vakum të rrezikshëm në Ballkan, rajoni duhet të integrohet

Presidentja e Kroacisë Kolinda Grabar-Kitarovic deklaroi nga Tirana se do të jetë avokate e Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrimin në Bashkimin Europian. Ajo theksoi se është e shqetësuar për vakumin që BE-ja ka lënë në këtë rajon, por shtoi se vendet duhet të vijojnë reformat që kanë ndërmarrë. "I dashur Ilir, ju falenderoj për mikpritjen shumë të mirë. Kënaqësi që të shikosh presidentin e Polonisë në mbështetje të vendeve që duan të bëhen pjesë e NATO-s.

Ky proces i ka dyert e hapura dhe do të vijojë që të sjellë vëmendje te kjo pjesë e Europës. Do ta bëjmë këtë pjesë të Europës në axhendën e Europës. Ne harrojmë që BE-ja është i paplotë, kjo është një pjesë natyrale e BE-së. Nuk dua të përmend fjalën zgjerim, por konsolidimin e tyre vendeve të rajonit në BE. Jam e lumtur për takimin konstruktiv, që konfirmoi përkushtimin për të sjellë këto vende në BE. Ishte një diskutim i ndershëm për cështje të hapura, është një formë shumë e mirë për të diskutuar, shpresoj që të vijojë për zgjidhjen e problemeve të hapura. Jam e shqetësuar për mungesën e progresit të pa arritur. Negociatat do të fillojnë me Maqedoninë dhe Shqipërinë, Kroacia do e mbështesë dhe ne do të vijojmë të argumentojmë përmirësimin e proceseve të tjera.

Dëshirojmë liberalizimin e vizave për Kosovën. Unë jam e frikësuar se situatën që kemi, diskutimet brenda BE-së, jemi duke krijuar një vakum të rrezikshëm për Europën juglindore. Ne do vazhdojmë të punojmë bashkë. Për vendet kandidate reformat që janë pezulluar duhet të ndërmerren. Kroacia do e marrë në gjysmën tjetër të 2020-ës Presidencë e BE dhe fokusi ynë do të jetë Evropa Juglindore. Do të bëjmë Samit për të parë të ardhmen evropiane të këtij rajoni. Duhet dy veta për të kërcyer tango, ne do vijojmë t;iu shtyjmë për të hyrë në BE, por duhet të ndërmerrni hapat tuaja. Ne nuk duhet të gjejmë justifikime
" tha ajo.

Ora 12:22
Presidenti i Polonisë: Liderët të gjejnë zgjidhje për problemet e së shkuarës për të mirën e rajonit

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, i ftuar nderi në Samtin e Brdo-Brijunit, është shprehur se në këtë samit janë diskutuar problemet që mund kenë shtetet me njëra-tjetrën, duke theksuar se zgjidhja e tyre do t'i shërbente për mirë vendeve të rajonit. Në fjalën e tij, Duda tha se zhdukja e këtyre probleme nga e shkuara, të cilat nguroi që t'i quante mosmarrëveshje, janë të rëndësishme që vendet e Europës Juglindore të integrohen në Bashkimin Europian. Ai ka vlerësuar faktin, se ndryshe nga e kaluara, sot këtë "mosmarrëveshje" diskutohen më paqësisht.

"Diskutimet për stabilitetin në këtë pjesë të Europës, por edhe për të diskutuar gjërat që janë më të rëndësishme, për rrugën e tij drejt BE dhe shpresoj anëtarësimin në NATO. Unë jam përgatitur për shumë kohë, ishte i paraprarirë nga një takim që u bë nga ministrat e jashtëm në Varshavë, i ftova të gjithë të ftuarit në një darkë ku diskutuam situatën e të rinjve në këtë pjesë të Europës. Takimi i sotëm ishte i paraprirë nga vizita ime një mua më parë, ku takova ushtarët tanë që shërbejnë në Kosovë dhe Bosnje dhe Hercegovinë. Diskutova për situatën, për kushtet, për realitetin e shërbimit të tyre, çfarë roli kanë. Do doja të përsëris se sa mirënjohës jam dhe dua të shpreh respektin tim ndaj presidentes së Kroacisë dhe Sllovenisë. Jam i bindur që këto diskutime që po zhvillohen në një atmosferë më të qetë, janë elemente të rëndësishme të procesit të stabilizimit se do të çojnë në zhdukjen e dallimeve mes vendeve që janë shumë të dukshme, nuk dua të përdor fjalën mosmarrëveshje. Në vendin tim dhe në vendet fqinje këto dukuri kanë ndodhur për herë të fundit pas Luftës së Dytë Botërore.

Këto probleme sot diskutohen më me qetësi dhe nuk përbëjnë probleme, duhet të zgjidhen mes dialogut mes kombeve.Nëse BE dëshiron që të zhvillohet dhe jam i bindur për këtë, është që të sigurhoemi si një pjesë e ekonomisë së përbashkët, të jemi të aftë të konkurrojmë me vendet e tjera të fuqishme ekonomike. Jam i bindur se fjalët që thashë janë të duhurat, në vendet tona në të kaluarën, Polonia ka nevojë për Europën dhe Europa për Poloninë, është pjesë integrale e Europës. Europa ka nevojë për Europën Juglindore dhe kjo e fundit për Europën. Me një mbështetje të mençur këto vende do të bëhen pjesë e Europës, dyert e saj të jetë të hapura që të mbështesin kombet që jetojnë këtu", u shpreh presidenti i Polonisë.

Ora 12:21
Vuçiç shmang mediat shqiptare dhe kosovare...Flet vetëm për serbët (FOTO)

Teksa presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dha një prononcim për gazetarët shqiptarë në Samitin e liderëve të Ballkanit në Tiranë, pas kurrizit të tij, nga salla ka dalë nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Kreu i shtetit serb, Vuçiç u largua për të dhënë prononcim për mediat serbe, duke shmangur në mënyrë të hapur ato shqiptare dhe gazetarët e ardhur nga Kosova. Presidenti i Serbisë, përreth 20 minuta foli për mediat serbe në një nga verandat e ambientit ku u mbajt Samiti. Media shqiptare dhe ajo kosovare nuk u lejua nga sigurimi i tij dhe i mbeti vetëm të bëjë video nga xhamat.

Teksa Thaçi flet në fotot nga Antonio Çakshiri, shihet teksa Vuçiç lë sallën. Më herët ata patën një shtrëngim duarsh me njëri-tjetrin në prani të shefes së politikave të jashtme në BE, Federica Mogherini. 

Ora 12:12
'Jam i zhgënjyer që lideri serb i Bosnjës u ftua në Tiranë'/ Meta i përgjigjet Thaçit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në përfundim të samitit të Tiranës u shpreh i zhgënjyer për faktin që në të njëjtën tryezë me të ishte edhe Presidenti i Bosnjës, Milorad Dodik, që akuzohet për krimet lufte. Thaçi tha se "Jam i zhgënjyer që ai është këtu, por është përgjegjësi e vendase" duke shigjetuar organizatorët, që ishte Presidenti Meta.

I pyetur nga Report Tv gjatë konferencës mbi deklaratën e Thaçit, Meta u përgjigj duke thënë se "Samiti ka një format të përcaktuar dhe Dodik ka qenë i ftuar dhe mirëseardhur si president i radhës i Bonjës, besoj se ka mbetur i kënaqur, ishte hera e parë që vinte në Tiranë dhe ka premtuar se do të vijë edhe për turizëm, pasi kishte dëgjuar për mikpritjen shqiptare" tha ai. Kundër vizitës së Dodik dhe Vuçiç në Tiranë dje u zhvillua një protestë nga Vetëvendosje në Tiranë.

Nga Tirana ku mori pjesë në samit, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi foli edhe për dialogun me Serbinë. Ai u shpreh se shpreson që të ketë më shumë rezultate nga Samiti i Parisit, pasi kishte mbetur i zhgënjyer nga ai i Berlinit javën e kaluar. Kreu i shtetit të Kosovës tha në dialogun me Serbinë duhet të përfshihet me cdo kusht SHBA-ja.

"Në Kosovë jemi 90% pro NATO dhe BE. Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, tarifa ka qenë vendim i drejtë dhe do të mbetet në fuqi, duhet të vijojë dialogu i pakushtëzuar për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që nuk krijon vija etnike të kufijve, që e përshinë Luginën e Preshevës në territorin e Kosovës.

Shpresoj që samiti i Parisit të jetë më mirë i organizuar dhe do të prodhojë më shumë substancë. Pa rolin e SHBA nuk mund të ketë dialog apo marrëveshje" tha Thaçi. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, theksoi se çdo vendim kundër liberalizimit të vizave me Kosovën është një vendim diskriminues.

 

Ora 11:03
Vuçiç dhe Dodik kafe në Tiranë, serbët: Takim vëllezërish (Përgjigje Vetëvendosjes)


Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç gjatë samitit që po zhvillohet në Tiranë ka takuar dhe konsumuar një kafe me liderin e Bosnjës Milorad Dodik. Fotografinë e ka postuar vetë presidenti serb në rrjete sociale ndërsa mediat serbe e kanë cilësuar si një takim mes vëllezërve në Tiranë. Ndërkohë që Vetëvendosja në Tiranë e priti me protesta ditën e djeshme, por Vuciç u përgjigj duke thënë se “Nuk e kam parë kurrë Albin Kurtin. Nuk e përcakton ai se ku jam non-grata dhe ku jo'.

Ora 09:51
Fotot nga Samiti i Brdo-Brijunit, Vuçiç takohet me Thaçin, 'injoron' Metën dhe presidenten kroate (FOTO-VIDEO)

Në Samitin e Brdo Brijuni, ku po marrin pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor, në Tiranë, kanë shtrënguar duart presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Por, nga atje, raportohet se Thaçi e injoroi Milorad Dodikun.

Tashmë i kanë shtrënguar duart Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Krejt kjo ndodhi në prani të shefes së BE’së, Federica Mogherini.

Ora 09:25
Vuçiç 'injoron' Metën dhe Presidenten kroate (VIDEO)

Presidenti Meta organizoi ceremoninë e pritjes së liderëve të Ballkanit Perëndimor së bashku me homologen e Kroacisë dhe atë të Polonisë, Andrzej Duda. Pritja e liderëve filloi me Presidentin serb, Vuçiç i cili e viziton për herë të dytë Tiranën. Por pas takimit kreu i shtetit serb, ndryshe nga liderët e tjerë iu shmang fotos me Metën, Kolinda Grabar-Kitarovic dhe Andrzej Duda-n.

Momenti i largimit të Presidentit të Serbisë pa bërë foton me Metën, Kitarovic dhe Duda-n
/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Hasani: 09/05/2019 19:27

    BE-ja ta marre me seriozitet Ballkanin se ndryshe ariu polar u fut brenda dhe po u fut pa gjak nuk del dot.

    Përgjigju
  • S.P.A.K: 09/05/2019 13:37

    po hajduti i vendit tij meta cdo aty !

    Përgjigju
  • emigranti: 09/05/2019 11:33

    Per sa kohe europa u lutet serbeve per tu bere pjese e bashkimit europian per aq kohe serbia dote bej te fortin dhe do te mbaje keto qendrime sepse nuk e le rusia te bej te kunderten.Europa duhet ta haroje dhe te kuptojne se kufijte e saj mbarojne atje ku fillojne ata te serbise

    Përgjigju
  • Populli: 09/05/2019 10:06

    Metes te gjithe po ja dhjesin dhe prap nuk e kupton!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Aksident i trefishtë në aksin Lezhë-Laç, raportohet për tre të plagosur! Makinat bëhen copash

Aksident i trefishtë në aksin Lezhë-Laç, raportohet për tre të plagosur! Makinat bëhen copash