Kuvendi shtyn afatin e komisionit për raportin e Dick Marty-t, mjetet e identifikimit të personave mbi 75-vjeç bëhen të përjetshme

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ditën e sotme disa projektligjet të rëndësishme.

Kuvendi ka shtyrë me tre muaj afatin e komisionit për raportin e Dick Martyt. Sakaq është votuar edhe projektligji që për personat të cilët kanë mbushur moshën 75 vjeç të pajisen me karatë identiteti dhe pasaporta biometrike pa afat skadence.

Kjo marrëveshje pritet të votohet sot nga e cila do të përfitojnë mbi 150 mijë të moshuar. Nisma është hartuar nga një pune nga Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe u diskutua disa ditë më parë në Komisionin e Ligjeve.

Me 11 vota pro, 86 kundër dhe 11 abstenim, Kuvendi ka rrëzuar dekretin e Presidentit Meta për ligjin “Për prokurimin publik”. Ky dekret u rikthye në Kuvend për shqyrtim nga Presidenti Ilir Meta.

Me shumicë votash është miratuar projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë, mbi dhurimin në fushën e shëndetësisë”.

Projektvendimet e miratuara sot:

1- Projektligj “Për një ndryshim në ligjin nr. 10.081 datë 23.02.2009 “Për liçencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar””.

2- Projektligj “Për miratimin e shtesës së kontratës “Për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe të pasaportave elektronike” ndërmjet ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Grupimit të Morpho dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të ndërmarrjeve”.

3- Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë, mbi dhurimin në fushën e shëndetësisë”.

4- Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga ministria e Financave dhe Ekonomisë, (Huamarrësi), dhe KFË Frankfurt AM Main (KfË) për programin e infrastrukturës bashkiake V, në shumën 80 000 000 (tetëdhjetë milionë) euro”.

5- Projektvendim “Për miratimin e planit vjetor 2021 për zbatimin e programit të statistikave zyrtare 2017-2021”.

6- Projektvendim “Për një ndryshim në vendimin e Kuvendit nr. 71/2020 “Për ngritjen e komisionit të posaçëm të Kuvendit të Shqipërisë për administrimin e dokumentacionit dhe hartimin e një raporti përmbledhës dhe informues për gjetjet Komisioni i Posaçëm 89 11 5 Miratuar dhe konkluzionet, që kanë nxjerrë verifikimet e kryera nga institucionet përkatëse në Shqipëri për çështjet e raportit të anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës Dick Marty për bashkëpunimin dhe rolin për të cilin pretendohet se kanë luajtur përfaqësues politikë shqiptarë ose institucione publike shqiptare, nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve, në ndihmë të së ashtuquajturës veprimtari kriminale e drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në territorin e Republikës së Shqipërisë””

7- Projektvendim “Për zgjedhjen e z. Petrit Ruka, anëtar i Këshillit Drejtues të Radio – Televizionit Shqiptar”.

8- Projektvendim “Për zgjedhjen e z. Mevlan Shanaj, anëtar i Këshillit Drejtues të Radio – Televizionit Shqiptar”.

9- Projektvendim “Për zgjedhjen e znj. Ardita Reçi, anëtare e Këshillit Drejtues të Radio – Televizionit Shqiptar”.

Projektvendimi i rrëzuar:

10- Dekret i Presidentit të Republikës nr. 11.942, datë 27.01.2021 “Për kthimin e ligjit nr. 162/2020 “Për prokurimin publik”

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:03
Shtyhet me 3 muaj afati për raportin e Dick Marty-t, mjetet e identifikimit të personave mbi 75-vjeç bëhen të përjetshme

1613997367_Screenshot1.jpg

Kuvendi ka shtyrë me tre muaj afatin e komisionit për raportin e Dick Martyt. Sakaq është votuar edhe projektligji që për personat të cilët kanë mbushur moshën 75 vjeç të pajisen me karatë identiteti pa afat skandence.

Kuvendi ka rrëzuar në fund të seancës së sotme dekretin për “Prokurimet Publike”. Ky dekret u rikthye në Kuvend për shqyrtim nga Presidenti Ilir Meta.

Ora 13:52
'Mos votoni politikanë që nuk mbajnë maska' Balla nga Kuvendi: Ndërhyrjet familjare të Sali Berishës penguan projektin e interkonjeksionit me Kosovën (VIDEO)

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar nga foltorja e Kuvendit se në vitin 2012 qeveria e Sali Berishës pengonte projektin e linjës së interkonjeksionit me Kosovën, për shkak të lidhjeve familjare.

Balla po ashtu foli edhe për mosrespektimin e masave anti-Covid nga shumë politikanë, duke i cilësuar një shembull të keq që nuk duhen votuar.

“Askush nuk duhet të harrojë që në vitin 2012 qeveria e asaj kohe pengonte projektin e linjës së interkonjeksionit me Kosovën, për shkak të ndërhyrjeve dhe lidhjeve familjare të Sali Berishës. Sapo ne erdhëm në qeveri, në vitin 2013, projektet e interkonjeksionit u zhbllokuan. Sot ne konstatojmë se Kosova është tërësisht e pavarur në aspektin e energjisë elektrike. Ne kemi sot rrjetin e interkonjeksionit me Kosovën falë rrjetit të KFV-së. Qeveria gjermane ka investuar në Shqipëri në këto 30 vjet mbi 1.1 miliardë euro, është ne vendin e parë të investuesve direkt në Shqipëri”, tha Balla.

Kreu i grupit parlamentar u ndal edhe te procesi i legalizimeve, duke u shprehur se “nga viti 2005 deri në 2013 qeveria e Sali Berishës legalizoi 600 banesa, kryesisht dyqane dhe kioska të miqve të pushtetit, ndërsa nga viti 2013 e sot janë legalizuar 16 mijë objekte”.- tha Balla.

Sa i takon masave anti-Covid Balla u shpreh: “Ne politikanët duhet të jemi shembull për respektimin e masave. E vërteta është që politikanët në një pjesë të madhe të territorit janë bërë shembulli më i keq për mosprespektimin e rregullave. Një politikan që shkon pa maskë të takojë qytetarët edhe kur e ka kaluar covid-in nuk duhet votuar”.

Ora 12:37
Manastirliu në Kuvend: Sot vijnë 8190 doza të tjera vaksinash nga kontrata me Pfizer(VIDEO)

Sot pritet të mbërrijnë në Shqipëri dhe 8190 doza të tjera vaksinash nga Pfizer. Këtë e ka konfirmuar vetë Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu gjatë seancës plenare.

Ajo u shpreh se Shqipëria futet në kategorinë e vendeve që tashmë ka filluar procesin e vaksinimit ndërsa 140 vende të tjera nuk kanë arritur ta fillojnë.

"Bota sot është e ndarë në dy kategori shtetesh. Shtetet që e kanë nisur fushatën e vaksinimit dhe ato që nuk kanë marrë asnjë dozë. Janë 140 vende që nuk e kanë nisur vaksinimin. Kemi mbi 4600 infermierë më të mbrojtur për shkak të vaksinimit. Ne kemi bërë përpjekje për të siguruar një kontratë me Pfizer për 500 mijë vaksina nga e cila kanë mbërritur 8000 doza deri më sot dhe pritet lëvrimi i 8190 doza të tjera po sot. Janë dhe 400 të moshuar mbi 80 vjeç dhe kujdestarësh më të mbrojtura për shkak të vaksinimit. Shumica dërrmuese janë qytetarë të zakonshëm" - tha Manastirliu.

Ministrja gjithashtu i është përgjigjur dhe kritikave mbi vaksinimin e personaliteteve. Manastirliu tha se ata janë seleksionuar vetëm në bazë të kriterit të moshës mbi 80 vjeç.

"Dua të shpreh keqardhjen për dezinformimin që ushqeu disa reagime të pajustifikueshme njerëzish publikë për vaksinimin e disa qytetarëve që ishin pjesë e këtij grupi të parë, pikësëpari se ishin mbi 80 vjeç. Vërtet janë personalitete që i bëjnë nder këtij vendi, por ama vetëm kriteri i moshës u mundësoi që të ishin pjesë e procesit të moshuar në azile" - tha Manastirliu.

Tashmë, krahas vaksinimit të bluzave të bardha, ka nisur dhe procesi i vaksinimit për të moshuarit mbi 80 vjeç në azile si dhe stafin që kujdeset për ta. Ky proces ka nisur në disa qytete si Tiranë, Shkodër, Elbasan e Vlorë. Ndërkohë ditën e djeshme ka nisur dhe procesi i vaksinimit të personaliteteve mbi 80 vjeç. Manastirliu u shpreh sot se deri më tani janë vaksinuar mbi 4600 bluza të bardha dhe mbi 400 të moshuar dhe kujdestarë të tyre në azile.

Ora 12:33
Murrizi pyet Ramën: Sa kushtoi spitali i ndërtuar nga Turqia në Fier, edhe peshqeshet kanë një faturë

1613991684_Screenshot1.jpg

Deputeti opozitar Myslim Murrizi ka nga foltorja e Kuvendit se se janë shqiptarët ata që do të vendosin me votën e tyre në 25 prill, ndërsa theksoi se ata duhet t’i përçmojnë me votë këtë klase politike.

Mes të tjerash ai i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama që të tregojë se sa është donacioni i dhënë dhuratë nga qeveria turke për ndërtimin e spitalit të Fierit.

“Si mund të hyjmë në Europë kur nga kjo maxhorancë. Ju duhet t’i thoni burgut hapu që keni shkruajtur një kontratë përulëse me Pfizer, për 500 mijë vaksina. Ta dinë shqiptarët që kontrata juaj me Pfizer mbaron në vitin 2022. Ju merrni kredi njëherë në dy seanca, do rregulloni ujësjellësin. Në emër të kujt i merrni këtij kredi? Në emër të kujt? Të gjithë mendojnë fatin e keq, ah sikur ta kisha unë atë vaksinë. Parimorë të mëdhenj ju, nuk i doni vaksinat e rusëve.

Ju po t’ju kontrollosh natën në shtëpi, ju gjen fotografinë e Stalinit. Ju dilni andej nga Rinasi dhe bëni si eskortë. Si mund të hyni në Europë? Ju detyrojnë ambasadorë të vende të ndryshme. E dëgjova me vëmendje zotin Gjoni, citoi një ambasador. I tha publikisht se sa bari dhensh vijnë të emëruar me punë. Unë shumë pak i ndjek se këta bëhen synet nga gjuha. Me covid kanë qenë me kohë. Kush ka mbajt përgjegjësi? Zero. Këta që vinin me opinga dhe brekë thesi nga Rrogozhina, dhe bëjnë ski në Zvicër.

Ça i dinë këta evropianët? Se do i pranojnë këta se janë pajtuar. Shqiptarët në 25 prill duhet të japin votën e tyre dhe ta mendojnë mirë. Janë bërë si vemie. E dëgjove Ramën sot? Ne jemi të marrë vesh bashkë, do i bëjmë punët e mira bashkë. A nuk ishte me mua ti në takim kur ambasadori Bochardt na kërkoi të votonim? A e hapi më zërin e gojës? Punët e mira do t’i bëjmë edhe më mirë të gjithë bashkë më 25 prill. Po shqiptarët kush i ka lënë kaq kohë, kaq larg Europës.

Shqiptarët më 25 prill duhet t’ju japin asparat, përndryshe do të ikin edhe këta që janë këtu. Një fjalë e shenjtë thotë; Nga toka e keqe ikim se të lë kalamajtë pa bukë, por me njerëzit e këqij përballu. Shqiptarët të nderuar keni votën në dorë, përçmojini me votë ata që bredhin me çadra 4 vite. Eh se çdo të heqin pas 25 prillit. Ne nuk mund të hyjmë në Europë me sy mbyllur, me vdekjen nëpër këmbë dhe eurot që marrin këta. Dy fjalë për peshqeshin e të madhit të Turqisë. E shoh relacionin që është pa shifër. Edhe dhuratat kur çohen, jepet fatura. Sa kushton spitali i Fierit mo? Këtë do të votoni?! Kam respekt për shtetin turk, por na e thuaj që ta dimë se sa peshqesh na ka bërë. Sa?! Kjo është tallje dhe me këtë tallje besoj se çdo ditë i largohemi Europës.”, tha Murrizi.

Ora 11:09
'Mbajeni mend', Ralf Gjoni: Do të ketë vrasje mafioze politike! Kulmi ironisë, ambasadori britanik, shok i Lulit dhe i Monës flet për integrimin (VIDEO)

Deputeti Ralf Gjoni e ka cilësuar si fabul, apo përrallë integrimin e vendit drejt BE-së, ndërkohë që rreshtoi edhe disa nga arsyet se pse kjo gjë nuk do të ndodhë.

Gjoni madje shtoi, se në të ardhmen do të ketë vrasje mafioze politike në Shqipëri si në Siçilinë e viteve '70. Po ashtu Gjoni sulmoi edhe ambasadorin britanik, ku tha se ky është kulmi i ironisë që flet për integrimin e Shqipërisë drejt BE-së.

'Ministrja Xhaçka, unë e kuptoj pozitën tënde si ministre për të folur për momentin. Ne momentin e kemi humbur prej kohësh si Shqipëri për të shkuar në Europë. Ne kemi qenë të fundit gjithmonë, të fundit edhe në Integrim dhe në realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të barabarta. Këta bajraktarët tanë e kanë kthyer si një fabul imagjinare integrimin. Në fakt sllogani duhet të ishte ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa. Sot kush ka dy parë tru e di shumë mirë që integrimi drejt BE është një përrallë, që nuk e beson kush. Ky këshilli integrimit të BE-së, më duket si filmi Taulanti kërkon një motër. E krijuan për ti dhënë një vend Majlinda Bregut, të krijonte një vend kundër Lulzim Bashës, tani nga motra e madhe kalojmë tek motar e vogël, tek Rudina Hajdari.

Më duket ky si ai këshilli 5 qershorit, hajde gallatë hajde! Kjo është të vësh duart në kokë dhe të ulërasësh. Mua më dhëmb kur shoh sesi klasa politike tallet me integrimin. Integrimi është një fabul e ngecur. E nderuar Rudinë, integrimi është një fazë e ngecur në një rrjet e thurur në katër fije, është refuzimi i BE-së, për të integruar vendin tonë. nuk ka oreks BE për zgjerim. Nga 5 Oltë e dashur shkojnë 15 kushte, do të shkojë 150 kushte, vetëm që të zgjasin llastikun e fazës imagjinare për shqiptarët. Fija e dytë është kriminalizimi i politikës.

Është bërë shumë më keq sot, sepse influencojnë votimin këtu ne Kuvend dhe do të vazhdojnë që të ushtrojnë të njëjtën influencë në zgjedhjet e 25 prillit. Nuk ka votë të lirë më 25 prill, është një dhuratë që opozita e bashkuar ja ka bërë Edi Ramës. Kështu që bashkë do ti shërbejnë njëri- tjetrit për të siguruar vazhdimësinë pushtetit. Mbajeni mend por Shqipëria do të mbizotërohet nga vrasje mafioze politike si në Siçilinë e viteve 70. Kjo është pritshmëria e strukturave botërore që merren me sigurinë në Rajon. Kulmi i ironisë, është ambasadori i britanik del lartë e poshtë shoku i Lulit dhe i Monës dhe flet për nevojën e integrimit drejt BE-së. Kulmi i ironisë, është turp sepse po ju garantoj që Berlini dhe Parisi vënë duar mbi kokë teksa shohin se ambasadori i Londrës mbështet kauzën e integrimit.'- tha Gjoni.

 

Ora 10:29
Integrimi europian, Xhaçka: Shqipëria ka plotësuar të gjitha kushtet, radhën e ka BE të hapë Konferencën Ndërqeveritare! Zgjedhjet në 25 prill do jenë prova e fundit (VIDEO)

Gjatë seancës plenare, Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka u shpreh se tashmë Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet për integrimin europian dhe se tashmë është radha e BE-së që të hapë Konferencën e Parë Ndërqeveritare.

Ajo tha se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do jenë dhe prova e fundit për të hapur rrugën drejt integrimit.

Procesi i integrimit, pavarësisht vështirësive e pengesave, ka fituar një momentum, një përshpejtim të ndjeshëm që e ka sjellë Shqipërinë shumë pranë fillimit të negociatave konkrete të anëtarësimit, kapitull më kapitull. Është bërë një punë vërtet e madhe për të plotësuar të 15 pikat që u kërkuan nga BE. Një punë që ka kërkuar angazhimin dhe përpjekjen e shumë sektorëve të shoqërisë e qeverisjes. Dhe padyshim, që sot, një përgëzim e meriton edhe Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian, së pari, për presionin pozitiv që ka ushtruar gjatë të gjithë procesit, e së dyti, për faktin që ka luajtur një rol shumë domethënës për ta bërë procesin gjithëpërfshirës. Ajo që duhet thënë pa asnjë hezitim sot, është që Shqipëria i ka bërë detyrat e shtëpisë. I ka plotësuar të gjithë kushtet që ishin vënë dhe sot meriton një datë për konferencën e parë ndërqeveritare. Është koha që BE të mbajë premtimin që i ka bërë Shqipërisë. Lajmi i mirë është që tashmë këtë nuk e them vetëm unë, s’e thotë vetëm Shqipëria, por edhe vetë përfaqësuesit e BE dhe përfaqësuesit e vendeve anëtarë. Ajo që më bën optimiste që gjatë këtij viti nuk do të përsëritet më historia e zvarritjeve njëherë me 5 kushte e pastaj me 15, është fakti që mesa duket, brenda vetë BE, ka një ndërgjegjësim që refuzimi ose shtyrja për herë të disatë i mbledhjes ndërqeveritare, në një kohë kur qartazi Shqipëria i ka plotësuar të 15 kushtet, do të rrezikonte seriozisht vetë kredibilitetin e BE.

Është ky mesazhi që më kanë përcjellë fare hapur ministrat e jashtëm apo ambasadorët e shumë prej vendeve anëtare me të cilët kam biseduar, por edhe Ministri i Jashtëm i Portugalisë, vend që siç e dini ka aktualisht presidencën e Këshillit të BE.Dhe s’ka si të jetë ndryshe, në momentin që çdo vlerësim objektiv teknik i punës që ka bërë Shqipëria arrin në të njëjtin konkluzion: Shqipëria ka bërë gjithçka i ishte kërkuar. Rradhën e ka BE. Por sigurisht, ka edhe një moment të fundit që duhet kapërcyer me sukses në këtë rrugë drejt konferencës së parë ndërqeveritare: zgjedhjet e 25 prillit. Zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme, të qeta e të gjithëpranuara është çelësi që do të hapë derën e integrimit. Dhe kjo është një çështje që kërkon angazhimin e të gjithë aktorëve politikë, pasi jemi të gjithë dëshmitarë të sjelljeve shpesh aspak demokratike gjatë viteve të fundit, ku shpesh axhendat e ngushta politike, të nxitura herë nga lufta për pushtet e herë nga frika nga reforma në drejtësi, janë vënë përpara interesave të vendit. Është e vërtetë që ne si mazhorancë kemi përgjegjësitë tona. Por është po aq e vërtetë që deri sot që flasim i kemi trajtuar këto përgjegjësi me seriozitetin maksimal. Asnjëherë më parë, një mazhorancë nuk ka bërë kaq shumë sa kemi bërë ne, për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. 

Dhe më vjen mirë, që këtë tashmë nuk e themi vetëm ne, por edhe institucione shumë prestigjioze e të specializuara. Për të dhënë një shembull, Kodi i ri Zgjedhor dhe hapja e listave, ishte në vlerësimin e “EconomistIntelligence Unit”një nga elementët më të rëndësishëm që shpjegojnë përse në Indeksin e Demokracisë, Shqipëria nuk klasifikohet më si regjim hibrid, por është ngjitur tani në stadin e një demokracie me të meta. Vetëm pak ditë më parë, unë mora një kopje të Raportit Paraprak të OSBE ODHIR për zgjedhjet e 25 prillit. Dhe më vjen mirë, që kemi ndoshta raportin më të mirë, që është hartuar ndonjëherë nga OSBE ODHIR për një palë zgjedhje në Shqipëri. Një raport, që njeh ndryshimet e mëdha që u bënë me konsensus politik mes palëve, duke ndryshuar strukturën e KQZ, procedurat e identifikimit të votuesve, duke futur identifikimin elektronik, rregullat e nominimit të kandidatëve, rregullat e rrepta për kontrollin e financave të fushatës, shmangjen e abuzimeve me pushtetin për qëllime të zgjedhjeve, etj, etj. Dhe jo vetëm kaq, nuk është puna vetëm tek ndryshimet në letër, por edhe tek zbatimi i tyre në terren, ku vëmendje të veçantë merr puna e KQZ, e cila siç thotë raporti, ka zhvilluar diskutime gjithëpërfshirëse me palët mbi aspekte të ndryshme të zgjedhjeve. Janë të gjithë këto elementë që na bëjnë ta pres me optimizëm mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare brenda presidencës portugeze. Por s’mund ta mohoj që kam edhe një shqetësim lidhur me zgjedhjet.

Ora 10:28
Hajdari sulmon Bashën: Hodhi baltë se s'dogja mandatin! Ai që do të bëhet kryeministër zgjedh modelin rus, eliminon kundërshtarët që japin gjak për PD-në (VIDEO)

Deputetja Rudina Hajdari gjatë fjalës së saj në Kuvend, deklaroi se klasa politike që udhëheq vendin, por edhe ajo që kërkon të vijë në politikë nuk e duan integrimin e vendit drejt BE-së.

Hajdari me tonë të ashpra madje sulmoi edhe kreun e PD-së, ku tha se ndaj saj është hedhur vrer dhe baltë vetëm për faktin se nuk dogji mandatin. Ajo shtoi më tej se Ramës i pëlqen ideja të qendrojë si sulltan dhe se Basha që synon të vijë në pushtet është një lider me tipare ruse, i cili eliminon çdo kundërshtar.

Këtë raportim sot për situatën mbi integrimin e Shqipërisë në BE dua ta bëj transparent për shqiptarët. Që nga vitit 1990 thirrjet e studentëve dhe të gjithë shqiptarëve ishin “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Nuk do të thotë thjesht që ne të lëvizim pa viza në vendet e BE, por të jetojmë dhe të punojmë si evropianë në Shqipëri, ne të kemi paga dinjitoze, shërbim shëndetësor dhe cilësor për të gjithë, do të thotë një klasë politike që udhëhiqet nga parimet dhe idetë, do të thotë institucione të mbushura jo me njerëz të paaftë, do të thotë një infrastrukturë moderne.

Ky është procesi i integrimit evropian. Që të realizohet, qeveritë do të duhen të adoptonin një seri reformash që institucionet të përshtateshin me ato evropianet. Gjithçka që ka pasur klasa politike ne dorë ishte vullneti politik për ta çuar këtë proces përpara. Në 2014 ne morëm statusin e vendit kandidat dhe më pas nuk ka ndodhur asgjë, sepse klasa politike nuk e do integrimin. Imagjinoni Edi Ramën, Sali Berishën, Ilir Metën, Lulzim Bashën, në një republikë ku institucionet të mos varen nga partitë.

E di që nuk e imagjinoni dot në një Shqipëri të tillë ata njerëz nuk do jetonin fare, ose do të jetonin në një dhomë të ftohtë të rrethuar nga hekurat. Imagjinoni se si do të ishte Shqipëria si një vend evropian.

Imagjinoni një vend ku fëmijët marrin arsim në institucionet publike. Një vend ku ligji është i barabartë për të pasurin dhe të varfrin. Një vend ku asnjë kriminal nuk guxon të dalë hapur në mes të qytetit. Një vend ku policia ndëshkon krimin dhe jo njeriun e varfër. Një vend që ka paga dinjitoze dhe askush nuk detyrohet ti largojë fëmijët e tij në një vend tjetër për një të ardhme të mirë. Nëse arrihen këto do imagjinojmë përfundimin e procesit të integrimit evropian.

Unë jam një nga ata persona që është sulmuar pasi vendosa të rrija në Parlament, kur anëtarët e Partisë Demokratike e braktisën institucionin. Kur e pranova kisha në mendje këtë Shqipëri. unë e dija se braktisja e çdo institucioni na lë në baltë. Unë e di kjo nuk mjafton, nuk mjafton puna e një apo dy personave, duhet një vullnet politik, i të gjithë klasës politike. Ky që është sot kryeministër është shumë i lidhur me modelin turk të qeverisjes, i pëlqen të jetë sulltan. Atij jashtë i pëlqen modeli rus, një person që eliminon të gjithë bashkëpunëtorët dhe i shpall armiq për të sunduar deri në vdekje, edhe nëse foleja e tij shndërrohet në një barake.

Këta nuk e duan procesin e integrimit evropian se do të thotë më shumë fuqi për qytetarët dhe për ligjin e kushtetutën dhe më pak fuqi për tre apo 4 persona që prej 30 vite e katandisën Shqipërinë në një raport katastrofe. Këta me plaçkën e bërë do të jetojnë në një vend tjetër ku politikanët nuk janë të babëzitur. Mos mbështesni më këta njerëz. Kam besim që në prill do fillojë kthesën e këtij kombi. Forca qytetarë shqiptare dhe mos kini më frikë nga këta.

 

E.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 23/02/2021 03:42

    Hajde c'kane per t'u vjedhur pensionet nga te afermit e ketyre pensionisteve me ID te perjetshme.Kush ka per t'i kontrolluar nese X eshte gjalle,sa kohe qe Y shkon e merr pensionin per te,ose ne emer te tij me prokure me afat te perjetshem ?!ID per te moshuarit maksimumi duhet te skadonte pas 20 vjetesh.Keshtu benin ne Greqi,perpara se te plaste kriza,njerezit kishin vite qe kishin vdekur,kurse te afermit vazhdonin e merrnin pension.Le te themi, qe ishte nje nga //tullat// qe krijuan krizen greke.Duket qe shqipot,nuk nxorren asnje mesim nga kriza greke.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?