TIRANË- Partia Demokratike në ‘dëshpërim’ për gjetjen e një emri për të mundur Partinë Socialiste në zgjedhjet e 9 nëntorit në Tiranë, ka zgjedhur që të mbështesë kandidatin e pavarur, Florjan Binaj. Ishte kreu i PD, Sali Berisha që në përfundim të afatit 48 orësh për zgjedhjen e kandidaturave të pavarura, bëri me dije se aleatëve do tu propozojë emrin e aktorit Binaj.

“Grupi i mandatuar nga PD do u paraqesë aleatëve, mendimin dhe propozimin që të mbështesim artistin e mirënjohur, personalitetin e shquar të artit, luftëtarin e paepur të kauzave të drejta të qytetarëve shqiptarë, komunikatorin, Florjan Binaj. Shpresoj që opozitarët të bashkohen në këtë mbështetje ndaj një personaliteti me reputacion të gjerë, tek i cili gjejnë veten më shumë se kushdo tjetër të përfaqësuar, qytetarët e Tiranës, ai ishte për vite e vite me radhë yll, apo super ylli i shfaqjes shoë më të shikuar të vendit, interpretimi i tij ishte i përsosur, Binaj është nga ata artisë që konsideron akuzat qytetare si kauza të tij”, tha Berisha.

Pas hezitimit dhe vonesave për të ofruar një kandidat me peshë politike për Tiranën, Berisha bëri publike përzgjedhjen e aktorit Binaj. Një zgjedhje që vë në pah vështirësinë në të cilën gjendet PD për tu përballur me një figurë politike si Ogerta Manastirliu. Dhe në dëshpërim, pas humbjeve rresht në kryeqytet, Berisha për të mundur Edi Ramën, po përdor imitimin e tij. Një artistit komik që dikur njihej për shfaqjet e tij në Portokalli për imitimin e kryeministrit Rama. 

Mes arsyeve se përse vlen Binaj, Berisha i renditi edhe punësimin te media e familjes së tij, Syri Tv.

“Ai, së bashku me bashkëpunëtorë, me ekip, kanë ndërtuar dhe paraqesin një nga emisionet investigative më të shikuara, Piranjat, të cilat Edi Rama, i tmerruar, i përzuri nga televizioni ABC dhe u zhvendosën tek televizioni SYRI. Pra, mund të themi se në këtë kontekst, Florian Binaj, së bashku me ekipin drejtues të Piranjave dhe stafin, janë në linjën e parë të luftës kundër korrupsionit.  Ata e përzunë. Nuk e toleronte Edi Rama. E ka tmerr. Është i shfazuar. Po ta vini re ju, është i shfazuar”, tha Berisha.

Pyetjes së gazetares së Report Tv, Danjela Maloku nëse do të mbështesin kandidatura të pavarura edhe për 5 bashkitë e tjera që shkojnë në zgjedhje më 9 nëntor, Berisha iu përgjigje se ende nuk ka një vendimmarrje.

“Në rast se nga shoqëria, qytetarët e Vlorës, shoqëria civile apo fusha të tjera, do të dalin kandidatura të pavarura, dhe unë di që kanë dalë, të paktën njëri më ka dërguar mua mesazh se unë dua të kandidoj, absolutisht do konsiderohen. Unë nuk mund të them se cili do jetë vendimi... Vendimmarrja do jetë shumë e shpejtë. Koha është kohë. Nuk ka diskutim që do diskutojë”, iu përgjigj Berisha.

Me këtë vendim, Berisha shuajti përfundimisht shpresat e një sërë emrash nga shoqëria civile si Florian Haçkaj apo Ermal Hasimja për të përfaqësuar opozitën në zgjedhjet e kryeqytetit.

Por përzgjedhja e Berishës nuk i ka kënaqur të gjithë aleatët. Agron Shehaj i Mundësisë nuk e ka dhënë ende pëlqimin e tij që “sozia” e Edi Ramës të jetë fytyra e opozitës në garën për kryebashkiakun e ri.

Në pritje të një kandidati, PD është edhe në bashkitë e tjera, ku ngërçi bëhet akoma më i vështirë sepse strukturat lokale nuk pranojnë kandidat jashtë saj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:08
Kandidoi aktorin Florjan Binaj për Tiranën, Agron Shehaj kundër Berishës: U hodh në erë procesi

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka dalë kundër Sali Berishës dhe thotë se nuk do e mbështesin kandidaturën e Florjan Binajt për zgjedhjet e 9 nëntorit në Tiranë. Si u mor ky vendim, pyet Shehaj, ndërsa thekson se në zgjedhje nuk mund të shkonin pa vlerësuar se cili është kandidati më i mirë.

“Qëllimi ynë nuk ishte të impononim emrin e kandidatit, por të zgjidhnim kandidatin e duhur. Mënyra më e mire është realizmi i sondazhit. Si mund të merret ky vendim? Si mund të shkojmë ne në zgjedhje pa ditur se kush është kandidati më i mirë. Kjo është e papranueshme”, tha Shehaj në një deklaratë për shtyp.

Në një deklaratë për mediat, Shehaj tha se pavarësisht se PD kishte nisur negociatat me partitë e tjera opozitare për të dalë me një kandidat të përbashkët, Berisha hodhi në erë të gjithë procesin, pasi doli në një konferencë për shtyp dh ei vuri përballë faktit të kryer, që kandidati do të jetë aktori Florjan Binaj.

“Para disa ditësh kemi filluar, kemi propozuar një proces që kishte një qëllim të vetëm, që të dilnim me një kandidat të përbashkët, me mbështetjen e të gjithë partive opozitare, që të kishte mundësinë të fitonte. Propozuam një kandidat jashtë partive politike, një proces ku kishim mundësi të nxirrnim më të mirin midis kandidateve të mundshëm. Ky propozim që në bëmë, pati si fillim dakordesinë e PD-së.

Propozimi ne vetvete dhe dakordësia ngjalli ne vetvet entuziazëm, ne opinionin publik sepse për here te pare po shkohej jashtë partive politike, me një kandidat jashtë politikes, por fatkeqësisht, z. Berisha doli n¡ konferencë për shtyp dhe na vuri përballe faktit të kryer duke shpallur kandidatin e PD-së për zgjedhjet e ardhshme për Bashkinë e Tiranës. Berisha hodhi në erë të gjithë procesin që kishim menduar dhe fiku të gjitha shpresat e atyre që mendonin se gjërat kishin ndryshuar dhe PD-ja kishte dalë në konkluzionin se duhet të shkonte përtej vetes nëse donte të kishte shanse për të fituar zgjedhjet në Tiranë”, u shpre Shehaj.

Shehaj tha se është e paqartë se si u dol në konlukizion se Binaj ëhstë kandidati më i mirë që mund të përfaqësojë opozitën, duke shtuar se kandidatura e tij u zgjodh vetëm brenda 24 orëve.

“Praktikisht, u shkelën parimet që kishim ndarë. Z. Berisha doli para mediave dhe shprehu se ishte dakord për një kandidat jashtë partive politike. Ai përdori një term tjetër, tha: i pavarur, qe defacto është e njëjta gjë, thjesht sinonime dhe tha që do të zgjedhim kandidatin më të mire. Është e paqartë sesi kanë dalë në konkluzionin që kandidati që ata kanë propozuar, është ai që ka më shumë shanse për të fituar. Është e paimagjinueshme për një parti politike aq me tepër për një parti opozitare, në kushtet që është opozita sot, është e paimagjinueshme te zgjedhësh një kandidat pa bërë minimalisht, një sondazh për të kuptuar se kush është realisht kandidati me më shumë mundësi për të fituar.

Por mesa duket, zgjodhën të merrnin vendim, me pak a shumë, pa të dhëna të sakta, sepse zgjodhën të vepronin duke menduar se kanë zgjedhur personin që kanë më shumë besim. Është zgjedhur, madje zgjedhja është bërë në 24h, kanë shpallur kandidatin, e kanë diskutuar, jo me të gjitha partitë opozitare.

Mesa duket mesazhi është që nuk i intereson aq shumë fakti që jo vetëm të dalin me kandidatin më të mirë, por dhe që të dalin me një të përbashkët. Deri para disa orësh po punonim që të arrinim këtë qellim, me në fund të dilnim me një kandidat të përbashkët. Tani, morëm vesh që ky nuk është synimi i PD-së” – u shpreh Shehaj, ndërsa vendimin për të dalë ose jo me kandidat të “Mundësisë” për Tiranën tha se do ta merrnin strukturat e partisë ditët në vijim.

Ora 13:32
Fatmir Mediu mbërrin në selinë blu! Grupi negociator takim dhe me Agron Shehajn, skeptik për kandidaturën e Florjan Binajt

 

Aleati i Partisë Demokratike, Fatmir Mediu ka mbërritur në selinë e PD-së pas deklaratës së kryedemokratit Sali Berisha për të mbështetur si kandidaturë për bashkinë e Tiranës, Florian Binajn.

Gjithashtu takime do të zhillohen dhe me anëtarët e tjerë, kryesisht me Agron Shehaj, i cili është skeptik lidhur me këtë propozim, pasi forca politike Partia Mundësia ka propozuar si kandidaturë Ermal Hasimjan.

Ndërkohë Partia e Lirisë ka pranuar propozimin e Berishës.

Ora 13:09
Berisha sulmon presidentin Begaj: Peng i Ramës, për dekretin antikushtetues fshihet pas Rusmalit

 

Kreu i PD-së, Sali Berisha, në konferencën për mediat, sulmoi presidentin Bajram Begaj për dekretin që çon edhe bashkinë e Tiranës drejt zgjedhjeve të parakohshme më 9 Nëntor. Berisha tha se Begaj është “peng” i Ramës dhe se tani që e ka kuptuar se ka shkelur Kushtetutën fshihet pas Ilir Rusmailit.  

“Ka një njeri hipokrit për të mos i thënë më shumë, i cili bëri një skenar që ua nxorra këtu parajush, para se të shpalosej. Iu thashë që po përdorin kohë kur akoma nuk kishin dërguar, po përdorin këtë platformë antikushtetuese, dhe njëherë për çdo njeri që i thotë shtetit shtet dhe kushtetutës kushtetuë, neni 115 nuk le asnjë lloj hapësire por kur ka një kryeministër që edhe atje në birucë atje ku është ka frikë Erion Veliaj, ka tmerr dhe i lejon vetes të bëjë gjithçka, të shkelë çdo lloj ligji për të larguar në kundërshtim. Sa muaj ndenji kryetari i bashkisë së Tropojës në arrest shtëpie? Mbi 10 muaj. Unë s’po qaj hallin e Veliajt, ne votuam për largimin e tij, por nuk jemi dakord për dhunimin e Kushtetutës dhe ligjeve se Shqipëria ka një president peng të marrë peng me aferat që ka me kryeministrin dhe prona të ushtrisë. A e dëgjuat njëherë thoshte më tha stafi. A lexoni pak që një president të fshihet për dekretin antikushtetues pas stafit. Por stafi edhe po ta tha nuk ta imponon dot. E ka kuptuar krimin që ka kryer dhe thotë më shtyu stafi. Kurse ai tjetri, citon një ish bashkëpunëtor timin, dhe ua them këtu, Edi Rama është mashtrues ordiner e vulgar. Ilir Rusmali është shkarkuar nga Berisha për korrupsion. “, tha Berisha.