As në kalendarin e komisioneve parlamentare të ditës së sotme nuk është planifikuar shqyrtimi i 3 pr/ligjeve por do të vijojë me shqyrtimin e pr/ligjeve që kërkojnë shumicë të thjeshtë.
RAMA LESHOI APELIN E TRETE PER TRYEZE ME PD
Dje kreu i PS-së lëshoi apelin e tretë Sali Berishës për t'u ulur në një tryezë me partitë parlamentare për të zgjidhur ngërçin në Qarkun e Fierit. Përmes një komunikate për mediat, të dërguar mbrëmë nga zyra e shtypit e PS bëhet e ditur se kreu socialist Edi Rama i kërkon rishtazi kryeministrit Berisha të mblidhet një orë e më parë tryeza e partive politike.
“Tryeza duhet të mblidhet për zgjidhjen demokratike të problemit të Qarkut të Fierit dhe votimin e menjëhershëm të tre akteve të përcaktuara si të nevojshme nga Komisioni Evropian”, thuhet në apelin e kryesocialistit Rama.
“Të gjithë ata që e dëshirojnë vërtet statusin e kandidatit për Shqipërinë kanë detyrimin të provojnë se Shqipëria jo thjesht dhe vetëm i miraton, po dhe i zbaton ligjet”, shprehet Rama më tej.
Si edhe në dy herët e tjera, ai thotë se është gati të përmbushë detyrimin e opozitës, por në të njëjtën kohë edhe kryeministri nuk duhet t’i shmanget përmbushjes së detyrimeve të qeverisë.
“Zgjidhja e problemit të Qarkut Fier”, thotë Rama, “përveçse do i hapte rrugë miratimit të tre akteve, do të ofronte edhe një shembull kuptimplotë për BE-në se qeveria dhe opozita shqiptare kanë vullnet të mirë për të miratuar ligjet”.
Kryetari i opozitës rithekson se problemin e Fierit e ka krijuar politika dhe mund e duhet ta zgjidhë politika. “I takon kryetarit të Partisë Demokratike, kryeministër i vendit, që ta pranojë detyrën për ta zgjidhur bashkë me opozitën problemin e Qarkut të Fierit, në frymën e ligjit, të dialogut të domosdoshëm dhe të vetë integrimit europian duke hapur kështu rrugën e miratimit të tre akteve”, mbyll kreu i opozitës apelin për Kryeministrin.
Ky është apeli i tretë brenda javës i Ramës i cili kërkon që Berisha të negociojë për qarkun e Fierit i cili aktualisht drejtohet nga të djathtët. Socialistët pretendojnë se ky qark është fituar prej tyre dhe aktualisht çështja është në proces gjyqësor.
BERISHA: TE MIRATOJME LIGJET
Me argumentin se nuk mund të negociojë një çështje që është të duart e drejtësisë, Berisha i është përgjigjur deri dje negativisht ftesës së Ramës për t’u ulur në tavolinë. Ai deklaroi dje se me qëndrimin e tij Rama po bllokon ëndrrën e çdo shqiptari për anëtarësimit në BE.
Gjatë një inaugurimi në zonën e Farkës, kreu i mazhorancës ftoi Ramën që të ulet në çdo kohë për t’i pranuar ndryshimet në ligjet me 3/5. “E ftoj zotin Rama të ulemi në çdo kohë, në qoftë se është problemi për të debatuar tre ligjet, për t’i amenduar, nëse kanë mendime për t’i përmirësuar. Çdo orë që kalon është orë shumë e çmuar. Në natyrën time, unë jam optimist, por kur shoh se, pasi kanë shkuar në gjykatë për gjykimin e thelbit të çështjes, e shtynë gjykimin dhe kërkuan që ai të bëhet pas datës 22 dhe kur gjykatësit nuk i dëgjuan, pothuaj u tërhoqën nga gjykimi, kjo fakton se me këtë vendim, qëndron një akt shumë, shumë i papërgjegjshëm. Një akt me të cilin synohet t’u bllokohet shqiptarëve, në 100 vjetorin e pavarësisë së tyre, marrja e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. Le të jem unë i gabuar! Por sërish e ftoj zotin Rama, të ulemi sot pasdite, në darkë, nesër, në çdo kohë, për tre ligjet, të bëjmë çdo përmirësim që ata propozojnë dhe ne nuk kemi asnjë kundërshtim, në mënyrë që ëndrra europaine e shqiptarëve të marrë një realizim tjetër, të ri.”, u shpreh dje kryeministri. Në seancën parlamentare të së enjtes së kaluar, 15 nentor, ai u shpreh se ishte gati të mblidhte parlamentin para 19 nëntorit nëse do të bihej dakord për miratimin e ligjeve.
"Nëse doni nga sot deri më 20 nëntor, në çdo kohë 24 orë jam i gatshëm të shfrytëzoj atributin tim kushtetues për të mbledhur parlamentin. Doni mesnatën e të shtunës, të dielën, të hënën, në mënyrë që t’i çojmë Burkselit atë mesazh të mirë. Po ju jap fjalën e nderit më dëmtoni aq sa më dëmtuar për zgjedhjet lokale”- tha Berisha."
(r.d. sg/shqiptarja.com)