Tirana-Elbasani është dueli që spikat për javën e 5 të Superligës, që luhet sot në orën 16:00 në stadiumin Selman Stërmasi. Bardheblutë kundër verdhebluve është dueli që ka ndezur futbollin shqiptar në vitet e fundit, por sot do të luhet pa tifozë, për shkak se Tirana është e dënuar dhe disiplina nuk e konvertoi me gjobë, pasi apelimi i kryeqytetasve në komision u bë me vonesë. Sa u takon rezultateve Tirana ka grumbulluar 4 pikë në 4 javët e para, ndërsa 1 më shumë ka Elbasani që vjen me entuziazmin e fitores kundër Egnatias.
“Një derbi i fortë, interesant dhe i bukur. Kemi respekt për Tiranën sepse është klub i madh, i fortë dhe me shumë trofe, por unë e thash që ne jemi Elbasani dhe gjithmonë do provojmë të bëjmë maksimumin te fusha që të dalim me një rezultati pozitiv,”-u shpreh Ivan Gvozdenoviç, trajner i Elbasanit.
Po sot, por në orën 18:30 në Rrogozhinë do të luhet dueli mes Egnatias dhe Partizanit, me të kuqtë që kanë çaluar shumë në këtë fillim sezoni. Të shtunën ndërkohë Dinamo mposhti 3-1 Laçin, duke marrë fitoren e 4 radhazi në kampionat. Një rekord që për herë të fundit kishte ndodhur në sezonin 2011/2012.
“Kemi bërë mirë në këto 5 javë sepse kemi marrë fitoren e 4 radhazi. Një element që tregon që tregon mentalitetin e fituesit është vazhdimësia. Është meritë e të gjithë djemve sepse kanë krijuar një kohezion ose frymë grupi shumë të mirë,”-tha Ilir Daja, trajner i Dinamos.
Ky sukses e mban Dinamon në vendin e dytë me 1 pikë më pak se Teuta kryesuese, që në javën e 5 të Superligës mposhti 0-2 Vllazninë, ndërsa sfida tjetër Vora-Skënderbeu u mbyll me rezultatin 1-1.











Komente
Komento