Rreth 9.5 milionë votues të regjistruar në vend do të zgjedhin njërin prej tre kandidatëve në këto zgjedhje. Kandidati favorit tregohet presidenti aktual, Nursultan Nazarbayev përballë kandidatit të Partisë Komuniste,Turgun Sızdıkov dhe kandidatit të pavarur, Abelgazi Kusainov, i cili gjatë viteve 2009-2011 ka qenë në detyrën e ministrit të Transporteve.
Presidenti Nazarbayev, kandidat nga partia Nur Otan, kryetar dhe themelues i saj ka votuar sot në një qendër votimi në Pallatin e Studentëve në Astana së bashku me vajzat e tij Dariga, Dinara dhe Aliya Nazarbayeva. Presidenti Nazarbayev në një deklaratë pas votimit duke theksuar se zgjedhjet kanë kuptimin e votëbesimit të popullit, tha se populli i Kazakistanit ka shansin të përcaktojë drejtimin dhe të ardhmen e tij.
Nursultan Nazarbayev, gjithashtu theksoi se ai është i sigurte se populli i Kazakistanit do ti japë votën për të vazhduar zhvillimin dhe rritur mirëqenien e vendit.
Kutitë e votimit do të mbyllen në 20.00, sipas kohës lokale.
Komisioni Qendror Zgjedhor do të njoftojë për rezultatet e zgjedhjeve ditën e nesërme, dhe nëse asnjë nga kandidatët nuk merr mbi 50 përqind të votave turi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet mes dy kandidatëve të cilët kanë marrë më shumë vota.
Vëzhguesit ndërkombëtarë në zgjedhjet e mëparshme në Kazakistan kanë patur kritika me arsyen se "nuk janë respektuar rregullat themelore demokratike, dhe se në zgjedhje kanë marrë pjesë vetëm partitë që janë përcaktuar".
Zgjedhjet monitorohen nga 400 vëzhgues të institucioneve vëzhguese të lidhur me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) në 15 rajone të ndryshme.
ODIHR në raportin e fundit të publikuar kishte pretenduar se regjistrimi i votuesve nuk është mbajtur rregullisht.
Monitoruesit të cilët ndjekin zgjedhjet në Kazakistan, këtë herë e tregojnë si favorit për të fituar Nazarbayev, i cili që nga viti 1989 është në këtë post./Anadolu/
Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)