Rezultati votimit për 20 anëtarët e Kryesisë së Partisë Demokratike të cilët u shpallën ditën e djeshme, e ka habitur Kreshnik Spahiun.
Përmes një postimi në “Facebook”, Spahiu shkruan se Fatbardha Kadiu, ndër më të votuarat, është një emër i panjohur për politikën. Sipas Spahiut emri është shkruar gabim, duke dashur të shkruhej Fatbardh Kadilli, ose opozita “ka shkuar për skrap”.
“Sipas lajmeve zyrtare: Njeriu më i votuar ne Partinë Demokratike doli Fatbardha Kadiu. Kur e lexova shkarazi mu duk si Fatbardh Kadilli por isha gabuar. Pyeta dhjetëra miq por nuk e njeh askush se cila është kjo grua. Unë kam 30 vjet studioj politik dhe nuk e njoh këtë politikanen e shquar dhe shumë popullore që është votuar masivisht nga foltorja, prandaj mendoj që: – Ose emri është shkruar gabim. – Ose kjo opozitë ka shkuar për skrap”, shkruan ai.