SPAK ka bërë bilancin e punimeve të muajit mars 2023 duke renditur 18 hetime që kanë nisur për veprat penale të lidhura me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Po ashtu në kuadër të ligjit anti-mafia, janë sekuestruar 8 pasuri të paluajtshme dhe 2 llogari bankare me vlerë rreth 259 mijë euro.

Prokuroria e Posaçme njofton se janë paraqitur 19 kallëzime penale, nga të cilat, për 7 kallëzime është vendosur mosfillim i hetimeve.

Bazuar në kërkesat e paraqitura nga Prokuroria e Posaçme, janë miratuar nga Gjykata e Posaçme masa sigurimi personal ndaj 20 personave nën hetim. Në kuadër të K. Penal dhe K. Pr. Penale, është dhënë nga gjykata 1(një) vendim sekuestroje preventive me 2 pasuri të paluajtshme.

Janë kthyer 45 përgjigje për shkresa të ardhura nga institucione të ndryshme lidhur me statusin e shtetasve dhe zyrtarëve publikë shqiptarë në raport me procedimet penale ndaj tyre.

Janë ekzekutuar gjithsej 5 vendime penale të formës së prerë; nga këto, të gjitha vendimet kanë marrë formë të prerë në Gjykatën e Posaçme të Apelit , ku 3 vendime nga Gjykata e Posaçme e Apelit janë ndryshuar me shënimet përkatëse dhe 2 janë lënë në fuqi.

Janë nxjerrë gjithsej 48 urdhra ekzekutimi për 48 persona të dënuar. Për 2 persona Gjykata ka vendosur burgim të përjetshëm dhe për 1 person ka vendosur pafajësinë. Për 20 të dënuar, veç masave të dhëna me dënimet kryesore, është urdhëruar sipas vendimeve të gjykatës dhe sipas nenit 35 të K. Penal heqja e të drejtës për të ushtruar funksione publike.

Për 3 vendime penale të formës së prerë janë nxjerrë urdhra ekzekutimi për disponimin e provave materiale ku është bërë konfiskimi apo kthimi i tyre sipas vendimmarrjes se gjykatës.

Janë zbardhur dhe miratuar nga prokurorët e posaçëm 20 vendime për miratim takimesh të të paraburgosurve me familjarët e tyre dhe 2 vendime per lejimin e kryerjes së bisedave telefonike.

Janë nxjerrë vendime nga prokurorët për përfundimin e dënimit alternativ dhe u është dërguar Zyrës Vendore të Shërbimit të Provës ku kanë vendbanimin e tyre, për 2 shtetas.

Janë vënë në ekzekutim 6 letërporosi të ardhura nga autoritetet e huaja të drejtësisë, si dhe janë dërguar 16 letërporosi për ekzekutim pranë autoriteteve të huaja. Është bërë shpallja në kërkim ndërkombëtar e 1 (një) shtetasi shqiptar.

Përsa i përket skuadrave të përbashkëta hetimore në kuadër të procedimeve penale në hetim janë mbajtur 6 takime koordinuese me autoritetet e huaja. Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kanë marrë pjesë edhe në 8 Takime/Trajnime/Konferenca, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar.

U është kthyer përgjigje e plotë 17 (shtatëmbëdhjetë) kërkesave zyrtare për informacion ardhur nga mediet dhe shtetas shqiptarë.