TIRANË- Një grup prej 6 personash me në krye ish-shefin e krimeve në Tiranë, Erjon Dani janë dërguar për gjykim pasi akuzohen se u merrnin para qytetarëve për të ndikuar tek njerëzit e drejtësisë me qëllim lehtësimin e masave të sigurisë. Përpos Erjon Danit, SPAK ka dërguar në gjyq Sokol Mashën, Musa Gjikolën, Emiljano (Millan) Roçin, Klodjan Muçën dhe Vilson Roçin. Grupi akuzohet për “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërsa ndaj Dani rëndon edhe akuza e “shpërdorimit të detyrës”.
Nga hetimi që ka kryer SPAK që prej rezulton se të pandehurit janë përfshirë në tre episode ryshfeti gjatë vitit 2020, ku kanë kërkuar dhe përfituar shuma monetare që varionin nga 4 000 deri në 7 500 euro, me pretendimin se “kishin aftësinë për të ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve të drejtësisë, me qëllim ndikimin në masa sigurimi personal dhe favorizim në dhënie dënimi ndaj disa të arrestuarve”. Krahas këtij episodi, Dani akuzohet se ka shpërdoruar detyrën dhe me fuqinë që i jepte posti si zv.shef i Krimeve në Tiranë ka shpërndarë të dhëna nga sistemi TIMS tek persona të tjerë.
"Nga hetimet e kryera ka rezultuar se gjatë vitit 2020, të pandehurit janë përfshirë në tre episode të veçanta, ku kanë kërkuar dhe përfituar shuma monetare që varionin nga 4 000 deri në 7 500 euro, me pretendimin se kishin aftësinë për të ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve të drejtësisë, me qëllim ndikimin në masa sigurimi personal dhe favorizim në dhënie dënimi ndaj disa të arrestuarve.
Gjithashtu, është provuar se i pandehuri Erjon Dani, në kohën e ngjarjeve me detyrë zëvendësshef komisariati dhe shef për krimet në Komisariatin Nr. 3 Tiranë, ka shpërdoruar detyrën duke shpërndarë tek persona të tretë të dhëna të siguruara nga sistemi TIMS. Hetimet kanë dokumentuar se të pandehurit kanë bashkëpunuar dhe koordinuar veprimet përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar “Sky ECC”, të cilat janë administruar nga autoritetet franceze të drejtësisë në kuadër të ndihmës së ndërsjellë juridike ndërkombëtare", njofton SPAK.
Komunikimet dhe koordinimi i veprimtarisë kriminale i këtij grupi realizohej përmes komunikimeve në aplikacionin SkyECC. Ky grup është zbuluar gjatë hetimeve që SPAK po kryente për trafik droge dhe ka ndarë procedimin penal duke kërkuar në GJKKO dosjen për gjykim. Hetimi ende po vijon për grupin që trafikoi drogë nga Amerika Latine drejt BE-së.
Komente











