SPAK çon për gjykim inceneratorin e Elbasanit, të pandehur 10 persona dhe 2 kompanitë! Prokuroria e Posaçme: Hetimet nuk ndalen, vijojnë për të dhënat e tjera

SPAK çon për gjykim inceneratorin e Elbasanit, të pandehur 10 persona dhe 2 kompanitë! Prokuroria e Posaçme: Hetimet nuk ndalen, vijojnë për të dhënat e tjera

Inceneratori i Elbasanit

TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për inceneratorin e Elbasan. SPAK përmes një njoftimi bën me dije se dosja e mbyllur hetimore çon për gjykim të akuzuarit Lefter Koka, Alqi Bllako, Etleva Kondi, Jonida Zeqo, Pëllumb Abeshi, Bardhul Çabiri, Serafin Papa, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Stela Gugallja dhe 2 kompanitë shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k dhe shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k.

Mbi të gjithë personat më sipër rëndojnë akuzat e  “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.

SPAK njofton se në përfundim të hetimeve paraprake në ngarkim të të pandehurve të mësipërm, janë mbledhur provat e nevojshme dhe është provuar fakti se janë konsumuar disa vepra penale.

Megjithatë SPAK kujdeset të nënvizojë se kjo nuk do të thotë se hetimet për Inceneratorin e Elbasanit janë mbyllur përfundimisht. Në njoftim thuhet se Për pretendimet të tjera të paraqitura nga kallëzuesit në këtë proçedim penal dhe për fakte dhe episode të tjera që kanë rezultuar gjatë veprimeve hetimore është vendosur ndarja e çështjes penale dhe vazhdojnë të jenë ende në fazën e hetimeve paraprake.

Kështu që SPAK ka vendosur ndarjen e çështjes dhe po vijon hetimet për procedurat e kalimit të vendimeve në Këshillin e Ministrave (Akuzat se janë 17 vendime në një ditë); akuzat për përfshirje të Ministrisë së Industrisë dhe Energjisë, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes, Ministrisë së Drejtësisë, në kundërshtim me ligjin kanë kthyer përgjigje pozitive ndaj Ministrisë së Mjedisit lidhur me zbatimin e procedurës “negocim pa shpallje”, duke përfshirë edhe provat dhe dokumentet që janë gjetur dhe janë nxjerrë nga kompjuterat e sekuestruara në banesën e të pandehurit Klodian Zoto (Akuzat e reja për ish –ministrin Ahmetaj); si dhe akuza te tjera që liudhjen me mungesë kontrolli në zbatimin e kontratës konçensionare, personat e tjerë të përfshirë për pastrim parash, evazion fiskal, hetime për përfshirje të punonjësve të tjerë në Ministrinë e Mjedisit. Gjithashtu vijojnë hetimet për zhvillimin e procedurës së prokurimit me objekt “Mbyllja e vënddepozitimit ekzistues të mbetjeve të ngurta EKO-Park, Durrës”, me fond limit 1,684,288,721 lekë, si dhe në fazën e ekzekutimit të kësaj kontrate dhe transanksionet e mëvonshme që janë kryer lidhur me fondet e përfituara nëpërmjet kësaj kontrate prokurimi.

Përfundimet nga hetimet

Prokuroria e Posaçme bën me dije se ka provuar se procedurën e dhënies së koncensionit dhe në lidhjen e kontratës me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”, nuk janë kryer të plota veprimet përgatitore për dhënien e konçensionit, duke shkelur kështu ligjet për koncesionet dhe prokurimet publike.

Gjithashtu SPAK bën me dije se nga hetimet është provuar fakti se nuk është zbatuar procedura e rregullt ligjore lidhur me llojin e procedurës që është përdorur për dhënien e koncensionit, në kundërshtim me dokumentet standarde të tenderit të zbatueshme për koncensionet, në kundërshtim edhe me sugjerimet e Ministrisë së Financave dhe Agjencisë së Prokurimit Publik.

“Në rastin konkret, në proçedurën e ndjekur për dhënien e konçensionit dhe lidhjen e kontratës me shoqërinë “Albtek Energy” sh.p.k, është ndjekur procedura “me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit”, e rregulluar nga neni 33 e vijues të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, të ndryshuar. Procedura e ndjekur për dhënien e koncesionit “me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit”, nuk është një nga procedurat e parashikuara në nenin 22 të ligjit nr.125/2013, ku parashikohet se për dhënien e koncesionit munden të përdoren vetëm një nga tre procedurat: i) proçedura e hapur; ii) procedura e kufizuar; ose iii) procedura me negocim, me shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”, njofton Prokuroria e Posaccme (SPAK).

Sipas prokurorëve veprimet dhe mosveprimet e mësipërme në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore, përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, si dhe i kanë sjellë kompanisë “Albtek Energy” sh.p.k përfitime materiale të padrejta, pasi ka përfituar në kundërshtim me ligjin kontratën e koncensionit për ndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane dhe prodhimin e energjisë.

“Lidhur me këto dy momente, i pandehuri Lefter Koka në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, i pandehuri Alqi Bllako në cilësinë e ish Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit, si dhe të pandehurit Pëllumb Abeshi, Bardhul Çabiri, Serafin Papa, Etleva Kondi dhe Jonida Zeqo, janë akuzuar se kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal”, vijon njoftimi.

SPAK ka dalë në përfundim se ka mbledhur provat e nevojshme dhe është provuar fakti se nga shoqëritë tregtare“Albtek Energy” sh.p.k (shoqëria që ka përfituar konçensionin)dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k (shoqëria që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit të konçensionit) janë pranuar fatura tatimore shitje dhe janë paguar detyrimet financiare për këto fatura tatimore për disa shoqëri tregtare të tjera, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer nga këto shoqëri tregtare. Shuma totale e faturave tatimore për punime të papaguara është në vlerën 331,920,918 lekë, ndërsa shumat monetare që janë paguar për shlyerjen e këtyre faturave tatimore është në vlerën 329,475,608 lekë.

Sipas SPAK Lefter Koka, në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, ka përfituar rreth mbi 308 mln lekë nga shuma monetare që janë paguar nga shoqëritë “Albtek Energy” sh.p.k dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. Kjo përbën një përfitim material të parregullt, që është marrë në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k në zhvillimin e proçedurës së dhënies së konçensionit dhe në lidhjen e kontratës së konçensionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”.

Prokuroria e Posaccme thotë se Stela Gugalla, në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k, Klodian Zoto në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k, si dhe i pandehuri Mirel Mërtiri në cilësinë e pronarit faktit të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k, në bashkëpunim me njëri tjetrin dhe në bashkëpunim me Lefter Kokën, kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave, të realizuar nëpërmjet dy shoqërive tregtare respektive, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt” si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.

Sipas SPAK Lefter Koka ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k, që janë përfitueset e kontratës së konçensionit, përfitimet e parregullta monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë konçensionare, duke përdorur disa shoqëri tregtare të tjera të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij, të kontrolluara prej personave familjarë të tij, si dhe të kontrolluara prej subjekteve tregtare në zotërim të tij. Marrja e përfitimeve është realizuar nëpërmjet skemës fiktive të kryerjes së punimeve dhe të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt” si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.

“Për veprimet e mësipërme, të pandehurit Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto janë akuzuar se kanë kryer veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Pastrimi iprodukteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” , kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245 e 25 dhe 287/2 iKodit Penal. Ndërsa, i pandehuri Leftër Koka është akuzuar se ka kryer edhe veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “Pastrimi iprodukteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” , kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 260 dhe 287/2 të Kodit Penal.  Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit tëOrganizuar Tiranë ka përfunduar hetimet paraprake për të pandehurit Lefter Koka, Alqi Bllako, Etleva Kondi, Jonida Zeqo, Pëllumb Abeshi, Bardhul Çabiri, Serafin Papa, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Stela Gugallja, shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k, si dhe shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k dhe ka paraqitur në datë 09.12.2022 në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për dërgimin e çështjes në gjyq”, përfundon njoftimi i SPAK.

Masat e sigurisë dhe sekuestrimet

Për inceneratorin e Elbasanit ndodhet në burg ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ndërkohë që ka masa sigurie edhe për Pëllumb Abeshin, ish-kryetar i Komisionit për dhënien e inceneratoritm ish drejtor i politikave në Ministrinë e Mjedisit; Bardhyl Çabiri ish-anëtari i Komisionit nga Bashkia e Elbasanit, Etleva Kondi, ish-anëtare e Komisionit për dhënien e koncesionit, akuzohet “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim. Jonida Zeqo, ish-anëtare e Komisionit për dhënien e koncesionit, akuzohet “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim. Serafin Papa: Ish-anëtar i Komisionit për dhënien e koncesionit. Në kërkim për këtë çështje janë shpallur Klodjan Zoto dhe Stela Gugallja.  SPAK e akuzon Lefter Kokën për shpërdorim të detyrës, pastrim të parave dhe korrupsion, tre akuza të rënda me të cilat ish-ministri tashmë do nisë betejën e tij me drejtësinë, teksa janë sekuestruar edhe kompanitë "Albtek Energy”, pra inceneratori i Elbasanit, “Integrated Technology Services” si edhe aksionet e Kokës në “Kantinën e Pijeve Gjergj Kastrioti Skenderbeu”. Nga ana tjetër, janë shpallur në kërkim edhe Stela Gugalli, e cila në sistemin TIMS rezulton se është jashtë shtetit si dhe Klodian Zoto.  Lefter Koka akuzohet se ka përfituar 3.7 mln euro nga Inceneratori i Elbasanit.

Pasuritë e sekuestruara për Inceneratorin e Elbasanit:  14 apartamente me sipërfaqe banimi në total prej 1356 m²; 3 njësi tregtare me sipërfaqe shfrytëzimi në total prej 297 m²; 1 pasuri të paluajtshme të llojit truall me sipërfaqe 147 m² dhe ndërtesë 126 m²; 8 shoqëri tregtare dhe të gjitha asetet në pronësi të shoqërive tregtare.

 

F.D/K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • dori: 13/12/2022 02:18

    keni harruar arben ahmetajn..krye-hajnin e PS....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Detaje të reja nga eksplozivi në ballkonin e katit të 9 të një pallati: Aty hynte dhe dilte vazhdimisht Bernard Sinomati, vëllai i 'Buzëderrit; të Vlorës

Tiranë/ Detaje të reja nga eksplozivi në ballkonin e katit të 9 të një pallati: Aty hynte dhe dilte vazhdimisht Bernard Sinomati, vëllai i 'Buzëderrit; të Vlorës