TIRANË-SPAK kërkon dënimin me 1 vit burg, të konvertuar me shërbim prove 2 vite për anëtaren e KPK-së Etleda Çiftja. Vendimi do të shpallet i arsyetuar ditën e premte në orën 12:30. Akuzat që rëndojnë mbi Çiftjan janë “deklarim i rremë” dhe “falsifikim” dokumentesh në formë përdorimi. Ndërsa vijon të japë vendime si trupë gjykuese e KPK, SPAK ka kërkuar pezullimin e saj nga detyra pasi konsiderohet përgjegjëse për falsifikim.

Mësohet se Çiftja falsifikoi 2 kontrata, mashtroi Bankën dhe ILDKPI me deklarata të rreme pasurie. Deklarimi i rremë është kryer nga Çiftja në komisionet e përzgjedhjes së saj për një pozicion në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Sipas SPAK, kontrata reale ishte 300 mijë lekë dhe pasi e falsifikoi duke ruajtur të njëjtat ekstrakte të kontratës reale e bëri 50 mijë euro. Gjithashtu thotë se Çiftja solli 2 vërtetime pune në 2006, por realisht nuk ka punuar tek ato kompani dhe nuk ka paguar sigurime shoqërore.

Çiftja akuzohet se ka bërë deklarim të rremë për blerjen e apartamentit të banimit, te dy parcelave tokë arë me sip 1450 m2 dhe me sip 3440 m2, mënyrën e fitimit të pronësisë për dy sipërfaqet e tokave arë si dhe në lidhje me qëllimin e  marrjes së një kredie.

Çfarë parashikon ligji i Vetingut kur një nga anëtarët e organeve të Vetingut merret i pandehur për një vepër penale? 

Ligji për rivlerësimin kalimtar, në nenin 17, parashikon që hetim disiplinorë dhe një masë ndaj anëtarit të KPK-së, ndërmerret nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit në rast se ka të dhëna të mjaftueshme nga burime të besueshme se anëtari i institucioneve të rivlerësimit ka kryer një shkelje disiplinore. Por, KPA mund të vihet në lëvizje vetëm nëse një gjë të tillë e kërkon një nga anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ose çdo vëzhgues ndërkombëtar.  Nga ana tjetër, anëtarët e Vetingut e kanë të ndalur me ligj që të shoqërohen persona që janë nën ndjekje penale ose janë subjekte të një procedimi penal!

Etleda Çiftja është anëtarja e tretë e institucioneve të Vetingut që procedohet penalisht dhe merret e pandehur nga SPAK. Më herët janë proceduar nga SPAK anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA, Ardian Hajdari dhe Luan Daci, ku ky i fundit është dënuar, ndërsa Hajdari është në proces gjykimi.  Pasi janë marrë të pandehur nga SPAK, Luan Daci dhe Ardian Hajdari janë pezulluar nga detyra nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, por e njëjta gjë nuk ka ndodhur për Etleda Çiftjan.