Prokuroria e Posaçme njoftoi të mërkurën se i ka kërkuar Gjykatës pushimin e procedimit penal ndaj gjyqtares Irena Gjoka për flasifikim të vulave dhe formularëve. Gjyqtarja Gjoka u kallëzua nga Partia Demokratike me pretendimin se ka fshehur në formularin e dekriminalizimit një dënim të dhënë ndaj saj nga një gjykatë në Janinë. Por sipas SPAK-ut procesi ndaj saj është zhvilluar në mungesë dhe ajo nuk ka qenë në dijeni, duke shtuar se edhe sikur të merrej e mirëqenë ekzistenca e këtij vendimi penal, ndjekja penale lidhur me këtë fakt rezulton e shuar për shkak të parashkrimit.

***

“Nuk ekzistojnë kushtet ligjore për vijimin e mëtejshëm të ndjekjes penale ndaj Irena Gjokës dhe nuk provohet që magjistratja të ketë kryer veprën penale”. Me këtë arsyetim Prokuroria e Posaçme njoftoi të mërkurën se ka kërkuar nga Gjykata pushimin e procedimit penal ndaj anëtares së trupës së GJKKO-së.

Irena Gjoka u kallëzua nga Adriana Kalaja, në cilësinë e kryetares së Komisionit të Apelimit dhe Vlerësimit të Statutit në Partinë Demokratike, në qershor të vitit 2025, për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.

Prokuroria e Posaçme shpjegon se “në kuadër të këtij procedimi janë administruar kallëzime shtesë, materiale referuese dhe dokumentacion nga institucione të ndryshme, si dhe janë kryer veprime të shumta hetimore, përfshirë verifikime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Ministrisë së Drejtësisë dhe autoriteteve të huaja, përmes mekanizmave të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar”.

Partia Demokratike e akuzoi gjyqtaren se në formularin e dekriminalizimit ajo kishte fshehur një dënim të dhënë ndaj saj nga një gjykatë në Janinë. Ashtu si dhe Prokuroria e Përgjithshme edhe SPAK thotë se “ekziston një vendim gjyqësor penal i Gjykatës së Shkallës së Parë Janinë, përmes të cilit ajo është deklaruar fajtore për veprën penale të parashikuar nga legjislacioni penal grek “Hyrja dhe qëndrimi i të huajve në Territorin Grek”, e dënuar me burgim dhe gjobë (konvertuar në gjobë sipas dispozitivit të vendimit)”.

Por Prokuroria e Posaçme shpjegon më tej se “ky gjykim është zhvilluar në mungesë të saj, ndërsa njoftimi është realizuar sipas procedurave për persona me vendbanim të panjohur. Në këtë kuadër, nuk rezulton të ketë dokumentacion që provon se ajo është njoftuar realisht dhe në mënyrë efektive as për zhvillimin e gjykimit dhe as për shpalljen e vendimit”.

Po ashtu, siç ka pohuar dhe vetë gjyqtarja në një letër shpjeguese drejtuar Këshillit të Lartë gjyqësor “autoritetet greke, kanë urdhëruar mosekzekutimin dhe arkivimin e vendimit penal, për shkak se ai nuk kishte marrë formë të prerë dhe për shkak të parashkrimit të veprës penale”.

Spak vë në dukje se “në dëshmitë e penalitetit të lëshuara nga autoritetet greke nuk figurojnë të dhëna për dënim penal ndaj saj, ndërkohë që edhe në formularin e vetëdeklarimit ajo ka deklaruar se nuk është dënuar me vendim të formës së prerë”.

Madje sipas Prokurorisë së Posaçme “nga analiza e mëtejshme e akteve rezulton se edhe sikur të merrej e mirëqenë ekzistenca e këtij vendimi penal, ndjekja penale lidhur me këtë fakt rezulton e shuar për shkak të parashkrimit”.

Irena Gjoka ka qenë objekt i sulmeve të përsëritura nga ana e kryetarit democrat Sali Berisha, duke qenë se ajo ka qenë gjyqtarja e hetimeve paraprake në dosjen e privatizimit t ëish klubit “Partizani”, për të cilën ai është vënë nën akuzë për korrupsion, ndërsa dhëndrri I tij Jamarbër Malltezi për korrupsion dhe pastrim parash.

Njoftimi i SPAK:

SPAK kërkon pushimin e procedimit penal nr. 130 të vitit 2025

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për pushim të procedimit penal nr. 130 të vitit 2025 ndaj të kallëzuarës Irena Gjoka, i regjistruar më datë 5.6.2025, për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal.

Ky procedim penal është regjistruar mbi bazën e kallëzimit të paraqitur nga shtetasja Adriana Kalaja, në cilësinë e kryetares së Komisionit të Apelimit dhe Vlerësimit të Statutit në Partinë Demokratike. Materiali kallëzues është protokolluar në Prokurorinë e Posaçme më 20.5.2025 dhe përfshinte falsifikimin e dokumenteve, shpërdorimin e detyrës dhe ushtrimin e ndikimit të paligjshëm.

Në kuadër të këtij procedimi janë administruar kallëzime shtesë, materiale referuese dhe dokumentacion nga institucione të ndryshme, si dhe janë kryer veprime të shumta hetimore, përfshirë verifikime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Ministrisë së Drejtësisë dhe autoriteteve të huaja, përmes mekanizmave të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.

Nga aktet e administruara, përfshirë dokumentacionin e përcjellë nga autoritetet e drejtësisë së Republikës së Greqisë, evidentohet se ndaj shtetases Irena Gjoka (alias Shpata; Maneku) ekziston një vendim gjyqësor penal i Gjykatës së Shkallës së Parë Janinë, me nr. 1447/2005, përmes të cilit ajo është deklaruar fajtore për veprën penale të parashikuar nga legjislacioni penal grek “Hyrja dhe qëndrimi i të huajve në Territorin Grek”, e dënuar me burgim dhe gjobë (konvertuar në gjobë sipas dispozitivit të vendimit)

Materialet e administruara tregojnë se Irena Gjoka ka qenë subjekt i procedurave administrative dhe gjyqësore në Greqi, pas dy episodeve në kufi, ku është konstatuar përdorimi i dokumenteve të parregullta dhe tentativa për hyrje me të dhëna të ndryshme identifikuese. Si pasojë, ndaj saj janë marrë masa administrative, përfshirë dëbimin dhe ndalimin e hyrjes në zonën Schengen, të cilat janë kundërshtuar prej saj në gjykatat administrative greke.

Në vijim, nga dokumentacioni i siguruar rezulton se ndaj saj është zhvilluar edhe një proces penal në Greqi, konkretisht me vendimin nr. 1447/2005 të Gjykatës Penale të Shkallës së Parë në Janinë, ku ajo është shpallur fajtore dhe është dënuar për përdorim dokumentesh të parregullta. Megjithatë, ky gjykim është zhvilluar në mungesë të saj, ndërsa njoftimi është realizuar sipas procedurave për persona me vendbanim të panjohur. Në këtë kuadër, nuk rezulton të ketë dokumentacion që provon se ajo është njoftuar realisht dhe në mënyrë efektive as për zhvillimin e gjykimit dhe as për shpalljen e vendimit.

Gjithashtu, nuk rezulton të jetë administruar dokumentacion që provon njoftimin e vendimit gjyqësor ndaj saj, si dhe nuk evidentohet marrja dijeni në mënyrë efektive për ekzistencën e këtij vendimi në kohën e dhënies së tij.

Autoritetet greke, në vijim të zbatimit të legjislacionit përkatës (ligji nr. 3346/2005), kanë urdhëruar mosekzekutimin dhe arkivimin e vendimit penal, për shkak se ai nuk kishte marrë formë të prerë dhe për shkak të parashkrimit të veprës penale.

Po ashtu, nga verifikimet zyrtare të kryera rezulton se në dëshmitë e penalitetit të lëshuara nga autoritetet greke nuk figurojnë të dhëna për dënim penal ndaj saj, ndërkohë që edhe në formularin e vetëdeklarimit ajo ka deklaruar se nuk është dënuar me vendim të formës së prerë.

Nga analiza e mëtejshme e akteve rezulton se edhe sikur të merrej e mirëqenë ekzistenca e këtij vendimi penal, ndjekja penale lidhur me këtë fakt rezulton e shuar për shkak të parashkrimit, në përputhje me legjislacionin përkatës të aplikueshëm.

Duke marrë në konsideratë mungesën e njoftimit të rregullt, zhvillimin e gjykimit në mungesë, si dhe kalimin e afateve ligjore të ndjekjes penale, konstatohet se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për vijimin e mëtejshëm të ndjekjes penale për këtë çështje dhe se nuk provohet që magjistratja Irena Gjoka të ketë kryer veprën penale.

Në këto kushte, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar pushimin e çështjes, mbështetur në nenet 28/1, 75/a dhe 328 pika 1, shkronja “d” dhe “dh”, si edhe 329, shkronja “a” të Kodit të Procedurës Penale.

Kjo kërkesë i është dorëzuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit tëOrganizuar (SPAK) mbetet e angazhuar në ushtrimin e detyrave të saj kushtetuese dhe ligjore, duke garantuar hetim të pavarur, të paanshëm dhe të bazuar në ligj.

---------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me një vendim gjyqësor të formës së prerë.