TIRANË- Vetëm 4 muaj pas emërimit, një urdhërarrest është lëshuar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për drejtuesin e Policisë Rrugore të kryeqytetit, Roven Zeka. Ai së bashku me 2 zyrtarë të tjetër të bluve të rrugores janë vënë në pranga për një çështje për korrupsion pasiv nga SPAK.

Për Zekën, Edison Tabakun, oficer i Policisë Gjyqësore, dhe Sokol Novaku, Shef i Sektorit të Aksidenteve në Tiranë, me një përvojë të gjatë në strukturat e hetimit të krimeve, mësohet se gjykata ka vendosur masat e sigurisë “Arrest me burg” dhe urdhërarrestet janë ekzekutuar.

Report Tv siguroi pamjet e momentit kur Roven Zeka dhe Sokol Novaku dorëzohen vetë në ambientet e Policisë së Tiranës, ku është bërë edhe komunikimi i masës së sigurisë. 

Burime për Report Tv bëjnë me dije se SPAK dyshon se drejtori Zeka dhe 2 të tjerët kanë marrë para nga një grua e cila kishte bërë aksident, që prej tyre të mos referohej çështja në prokurori dhe për aksidentin të mos nisnin hetimet.

Roven Zeka është emëruar si shef i Policisë Rrugore të Tiranës me firmë të kryepolicit Proda në dhjetor 2024.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:15
VIDEO/ Momenti kur shefi i Rrugores së Tiranës dhe shefi i Sektorit të Aksidenteve dorëzohen në polici pas urdhërarrestit të SPAK

Report Tv ka siguruar pamjet nga momenti i dorëzimit në polici të drejtuesit të Policisë Rrugore të kryeqytetit, Roven Zeka, dhe sheft të Sektorit të Aksidenteve në Tiranë, Sokol Novaku, pas urdhërarrestit të lëshuar nga SPAK.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se SPAK dyshon se drejtori Zeka, Novaku dhe Edison Tabakun, oficer i Policisë Gjyqësore, kanë marrë para nga një grua e cila kishte bërë aksident, që prej tyre të mos referohej çështja në prokurori dhe për aksidentin të mos nisnin hetimet. Tabaku, ndryshe nga dy eprorët e tij, nuk është dorëzuar por arrestuar nga blutë.

Sipas mediave, në përgjime rezulton qe oficeri i këqyrjes së vendngjarjes ka përmendur dy eprorët e tij në policinë rrugore, për të ndryshuar rezultatet e një aksidenti automobilistik. Ende nuk dihet se sa është shuma e kërkuar dhe nëse ka patur pasojë në jetë prej këtij aksidenti.