Që nga 11 prilli, kur zyrtarisht nisi fushata zgjedhore, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është ngritur një zyrë e përbashkët e KQZ, SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Prej të shtunës në këtë zyrë janë vendosur oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët punojnë bashkë me zyrën e KQZ për monitorimin e fushatës online apo në media.

Në ditët në vijim do të ulen aty edhe Prokurorë të SPAK dhe të Prokurorisë së Përgjithshme. Salla operative ka ekrane televizivë dhe monitorë të ambienteve në mbarë vendin ku janë ngritur struktura për qëllime votimi. Zyra është produkt i marrëveshjes mes Celibashit, Dumanit dhe Çelës për luftën ndaj krimeve zgjedhore.

Aty kryqëzohet informacioni që mund të vijë në KQZ nga stafi i saj në terren, me ankesat e partive apo kandidatëve, apo të dhënat që gjenden në rrjetet sociale apo mediat, të cilat i kalojnë menjëherë prokurorëve sipas kompetencës përkatëse më qëllim luftimin e paligjshmërisë në kohë reale.

SPAK ka ngritur zyrat e saj në 12 qarqe në funksion të Task Forcës për luftimin e krimeve zgjedhore, dhe ko zyrë në KQZ do të jetë si një central qendror që do të shpërndajë nëpër rrethe informacion në kohë reale për të vënë në lëvizje hetuesit.