SPAK ka zbardhur strukturën dhe mënyrën e funksionimit të organizatës kriminale që, sipas hetimeve, bashkëdrejtohej nga Franc Çopja dhe Ervis Çela. Nga komunikimet në SkyECC dhe provat e tjera, hetuesit kanë identifikuar të paktën 16 persona dhe kanë dokumentuar se si rrjeti siguronte kokainën në Amerikën e Jugut, e fshihte në ngarkesa me mallra dhe e shpërndante në Europë. Sipas SPAK, paratë e trafikut transferoheshin përmes një rrjeti ndërmjetësish.

Ja struktura dhe veprimtaria e organizatës kriminale Çopja-Çela

Organizata përfshin të paktën 16 persona të identifikuar dhe shumë të tjerë, të paidentifikuar. Struktura paraqitet e organizuar në mënyrë vertikale, me marrëdhënie bashkëpunimi dhe lidhje të konsoliduara me grupe dhe organizata kriminale në Paraguaj dhe Brazil dhe ka vepruar të paktën gjatë viteve 2019-2021. Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se dy shtetasit shqiptarë, Franc Gergely, i arrestuar në Belgjikë, dhe Ervis Çela, i arrestuar në Shqipëri në kuadër të procedimit penal nr. 187/2023, kanë ushtruar funksione bashkëdrejtuese në këtë organizatë kriminale me përmasa ndërkombëtare.

Të dhënat e administruara tregojnë se kjo strukturë dispononte kapacitete për të kontrolluar dhe koordinuar hallka të ndryshme të zinxhirit të trafikimit të narkotikëve, duke filluar nga sigurimi i lëndës narkotike në vendet e origjinës, financimi dhe transportimi i saj, deri te shpërndarja në disa shtete të Bashkimit Europian, përfshirë Gjermaninë, Spanjën, Belgjikën, Holandën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Italinë. Qarkullimi i përfitimeve financiare nga trafikimi i lëndëve narkotike realizohej në mënyrë të strukturuar, përmes një rrjeti ndërkombëtar, i cili përdorete mekanizma informalë të transferimit të vlerave monetare, si Hawala dhe mekanizmi i identifikimit me token.

Veprimtaria e kësaj strukture shtrihej në disa shtete dhe mbështetej në marrëdhënie bashkëpunimi, kontakte të konsoliduara dhe ndarje funksionale të detyrave mes personave të përfshirë, pjesë e hallkave të zinxhirit të trafikimit. Ajo fokusohej në sigurimin e lëndës narkotike në vendet e origjinës, financimin e blerjes dhe transportit të saj, organizimin e lëvizjes nga zonat e prodhimit drejt pikave të grumbullimit dhe porteve të nisjes, përgatitjen dhe kamuflimin e ngarkesave në mallra të ligjshme, organizimin e transportit detar drejt Evropës, si dhe koordinimin e pritjes, nxjerrjes nga portet, magazinimin, shpërndarjen dhe shitjen e kokainës në tregjet evropiane.

Paralelisht me këto procese rezultojnë të dhëna për përdorimin e mekanizmave të posaçëm për financimin e aktivitetit, administrimin e të ardhurave dhe transferimin e fondeve mesvendeve të ndryshme. Në këtë kuadër përmenden mekanizma të transferimit informal të vlerave, përfshirë sistemin Haëala, si dhe përdorimi i kodeve identifikuese ose token-ëve për koordinimin dhe verifikimin e dorëzimit dhe marrjes së shumave monetare.

Shtrirja ndërkombëtare, kohëzgjatja dhe përsëritja e episodeve të trafikimit, së bashku me përdorimin e strukturave të posaçme logjistike dhe financiare, dëshmojnë për një veprimtari të organizuar dhe të vazhdueshme, të mbështetur në bashkëpunimin e qëndrueshëm ndërmjet personave të përfshirë dhe në një ndarje të qartë të roleve dhe përgjegjësive.

Nga analiza e komunikimeve të administruara në platformën e enkriptuar SkyECC, të disponueshme që prej datës 29.11.2019, si dhe e materialeve fotografike të shkëmbyera ndërmjet Ervis Çelës, Franc Gergely-t dhe bashkëpunëtorëve të tjerë, janë evidentuar të dhëna që lidhen me organizimin dhe realizimin e trafikimit të lëndëve narkotike. Komunikimet, në gjuhën shqipe dhe spanjolle, përmbajnë referenca mbi dërgimin, marrjen, sasitë dhe transportimin e kokainës, përfshirë fshehjen e saj në ngarkesa me produkte të ligjshme që eksportoheshin nga Paraguaj drejt Europës.

Gjithashtu, janë identifikuar komunikime dhe materiale fotografike që lidhen me qarkullimin e shumave monetare, përdorimin e sistemit informal të transferimit të parave “Hawala” dhe kodeve identifikuese “token”, si dhe përmes shoqërive tregtare që ushtrojnë aktivitet importi dhe eksporti të produkteve të ligjshme. Në komunikime gjenden referenca për kompanitë, produktet, dërgesat, dokumentacionin tregtar dhe organizimin të transportit. Fotografitë e shkëmbyera tregojnë produkte të ligjshme, të cilat, në kontekstin e bisedave, paraqiten si pjesë e mekanizmit të transportimit dhe kamuflimit të ngarkesave.


Lajmi kryesor:

Trafikuan 61 tonë kokainë nga Amerika e Jugut në Europë, SPAK çon për gjykim organizatën kriminale të Franc Çopjas dhe Ervis Çelës! 16 të pandehur, 9 mln € pasuri të sekuestruara