Me pushimin e ndeshjeve ndërkombëtare dhe barazimet zhgënjyese në shtëpi kundër Sportingut dhe Torinos, Juventusi është gati të rifillojë fushatën e tij në Serie A. Ndalesa e parë për djemtë e Luciano Spallettit është ndeshja delikate jashtë fushe në 'Franchi' kundër Fiorentinës, që ka ulur në stol trajnerin e ri, Paolo Vanoli.
Luciano Spalletti, trajneri i 'Zonjës' e komentoi këtë duel para medieve.
"Pashë diçka të re në stërvitje, por do të duhet të provojmë se jemi të denjë për Juven në fushë. Kemi gjithçka që na duhet për të bërë mirë", tha ai.
Një mendim Spalletti e dha edhe për ekipin kombëtar të Italisë, me këta të fundit që përballen kundër Irlandës së Veriut në gjysmëfinalen play-off për të shkuar në Kupën e Botës 2026.
"Duhet të mbështesim lojtarët e ekipit kombëtar dhe trajnerin italian. Çdo gjë tjetër do të jetë vetëm shqetësuese. Mund ta ndihmojmë Italinë vetëm duke u kujdesur për të gjithë dhe duke e bërë të ndihet mbështetja jonë. Si trajner i Juventusit, them se nëse ekipi kombëtar do të kishte nevojë për diçka nga unë ose Juventusi, do të ishim të lumtur të bëheshim të disponueshëm për të përmbushur nevojat e tyre dhe të jepnim çdo lloj kontributi që mund t'i ndihmonte ata të arrinin Kupën e Botës.
Jam i bindur se do të arrijmë atje, por nëse mund të japim një dorë, duhet ta bëjmë së bashku, sepse ka ende vështirësi, pavarësisht se kemi lojtarë të nivelit të lartë. Nuk mund të marrim vazhdimisht më të mirën, por jam plotësisht në dispozicion të Italisë", tha Spalletti.
Pas javës së 11-të, Juventusi me 19 pikë mban pozitën e gjashtë, pesë pikë pas kryesuesve të Interit dhe Romës. Nga ana tjetër, Fiorentina me vetëm pesë pikë ndodhet në vendin e fundit. Skuadra dhe Firenze dhe Verona janë të vetmet klube që nuk e kanë shijuar fitoren këtë sezon në Serie A.
Fiorentina dhe Juventusi luajnë nesër (e shtunë) në orën 18:00.
Komente








