MADRID - Qeveria spanjolle miratoi sot një projektligj që parashikon një ulje të taksave mbi të ardhurat dhe shoqëritë duke nisur nga viti 2015 dhe duke përjashtuar një rritje të TVSH-së, pavarësisht presionit të Bashkimit Evropian.
 
"Taksat mbi të ardhurat do të ulen në 12,5 për qind duke nisur nga viti 2015", konfirmoi zëdhënësja e qeverisë, Soraya Saenz de Santamaria në përfundim të Këshillit të ministrave.
 
"Bëhet fjalë për një reformë strukturore që parashikon një ulje të përgjithshme të taksave për të gjithë, të punësuarit, ndërmarrjet dhe familjet",-shtoi ajo.
 
"Një reformë, që synon, pas përpjekjeve të realizuara nga shoqëria spanjolle përballë krizës, jo vetëm të kompensojë këto sakrifica, por gjithashtu të dinamizojë rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës", theksoi Soraya Saenz de Santamaria.
 
Ministri i Buxhetit, Cristobal Montoro, nënvizoi vendimin e qeverisë për të mos rritur TVSH-në përtej ndryshimeve të prodhimeve sanitare shumë të limituara dhe lidhur me vendimet evropiane.
 
Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy kishte njoftuar më 31 maj një ulje të taksave mbi shoqëritë nga 30 për qind në 25 për qind për ndërmarrjet./ATSH/
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)