MADRID- Ish-administratori financiar i partisë konservatore në pushtet në Spanjë, Partia Popullore, Luis Barcenas ka pranuar para gjyqtarëve se i kishte dhënë para në dorë kryeministrit aktual Mariano Rajoy dhe numrit dy të partisë, sekretarit të përgjithshëm Maria Dolores de Cospedal. Lajmi bëhet i ditur nga burime të medias, shkruan sot agjencia italiane e lajmeve ANSA, duke shtuar se hetimet vazhdojnë prej 5 orësh.

Luis Barcena ka pranuar gjithashtu para gjyqtarit se është autor i llogarive bankare të fshehta të Partisë Popullore gjatë 20 viteve dhe se dokumentet e publikuara më 31 janar të “El Pais” janë firmosur nga vetë ai.

Nga ana e tij Kryeministri spanjoll ka thënë se nuk do të dorëzohet para ‘shantazhit’ dhe thirrjeve për dorëheqjen e tij. “Do të rri deri në fund të mandatit tim” ka thënë Rajoy.
Dje, e përditshmja e qendrës së djathtë "El Mundo" publikoi disa SMS të shkëmbyera mes Mariano Rajoy dhe Luis Barcenas. Sipas së përditshmes, mesazhet tregonin se Mariano Rajoy ishte në kontakt të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm me Luis Barcenas, dhe se i kërkoi atij të mohonte ekzistencën e financave të fshehta dhe pagave shtesë.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)