Dy partitë kryesore të krahut të djathtë në Spanjë duket se janë drejt sigurimit të shumicës së përbashkët në parlament në zgjedhjet e së dielës, pavarësisht rritjes së fundit të mbështetjes për socialistët e kryeministrit Pedro Sánchez. Këtë e treguan të hënën rezultatet e përgjithshme të sondazheve të opinionit publik.
E hëna ishte dita e fundit kur lejohej publikimi i sondazheve, përpara se të hyjë në fuqi ndalimi ligjor i publikimit të tyre në prag të zgjedhjeve.
Të gjitha sondazhet, me përjashtim të njërit, parashikojnë që numri i përbashkët i vendeve parlamentare të Partisë Popullore Konservatore (PP) dhe partisë së ekstremit të djathtë Vox që mbështet disa ide të Donald Trump, të jetë mbi pragun e shumicës absolute prej 176 mandatesh, në parlamentin me 350 vende.
Një sondazh I kompanisë 40dB për gazetën El País, bazuar në 7,500 intervista, i jep PP-së 127–136 mandate (31.8%), e ndjekur nga afër nga socialistët me 116–127 mandate (30.9%), ndërsa Vox parashikohet të marrë 51–61 mandate (17.3%).
Sondazhi i NC Report për gazetën La Razón, bazuar në 1,000 intervista, i rendit socialistët në nivelin 27.2%, me 108–111 mandate, nga 26.1% që kishin një javë më parë. PP parashikohet të marrë 130–133 mandate, ndërsa Vox 64–66 mandate, duke arritur së bashku në të paktën 194 mandate.
Sondazhi i IMOP për gazetën El Confidencial, parashikon gjithsej 195 mandate për PP-në dhe Vox-in së bashku, kundrejt 110 mandateve për socialistët.
Sondazhi i Ipsos për gazetën La Vanguardia, i publikuar të dielën dhe i bazuar në 1,999 intervista, i jep PP-së 127 mandate dhe 30.3% të votave, socialistëve 119 mandate dhe 29.8%, ndërsa Vox-it 63 mandate.
Sondazhi i GAD3 për gazetën ABC, i publikuar të dielën dhe i bazuar në 1,501 intervista, parashikon 131 mandate për PP-në, 110 për socialistët dhe 63 për Vox-in.
Instituti shtetëror i sondazheve CIS mbeti një përjashtim i rëndësishëm nga këto parashikime, duke parashikuar se e majta e bashkuar, përfshirë organizatën e së majtës ekstreme Frente Amplio dhe partitë rajonale, mund të dalë ende fituese.
Kreu i qeverisë në detyrë Pedro Sanchez shpalli zgjedhjet në përpjekje për të përfituar nga vrulli i krijuar prej protestave masive ndaj çështjes së strehimit.
Fushata zgjedhore është përqendruar te përballueshmëria e kostos së banesave, emigracioni, korrupsioni dhe siguria hekurudhore, pas aksidentit tragjik të muajit të kaluar, që shkaktoi viktima.
Fitorja e konservatorëve dhe së djathtës ekstreme do të ishte një zhvillim I fortë politik jo vetëm për Spanjën por sipas analizave të ndryshme në mediat europiane, për të gjithë BE.




Komente
Komento