SPANJË - Publikohen pamjet e trenit, që ka dalë nga shinat mbrëmje e së mërkurrës, 24.07.2013 duke shkaktuar vdekjen e të paktën 77 personave dhe plagosjen e 143 të tjerëve.

Aksidenti ndodhi në orën 20:42, kur treni i shpejtësisë së lartë i linjës Madrid-Ferrol ndodhej në degëzimin e A Grandeira, pak më shumë se tre kilometra nga Santiago de Compostela, kryeqyteti i Galicias.

Ndërsa në tren ndodheshin rreth 240 persona, gjashtë nga dhjetë vagonë ​​të trenit kanë dalë nga shinat dhe janë përmbysur dhe tre vagona kanë marrë zjarr. Sipas një hipoteze të parë të disa teknikëve treni ka dalë nga shinat si pasojë e shpejtësisë mbi normën e lejuar.

Sipas gazetës spanjolle "El Pais", makinisti i trenit ka pranuar se kishte marrë kthesën me shpejtësi të lartë. Disa teknikë madje llogarisin se në momentin e aksidentit treni e ka marrë kthesën me 190 km në orë, ndërsa në atë pjesë të hekurudhës limit i shpejtësisë është 80 km në orë.
 
Për Spanjën ky është aksidenti më i rëndë në historinë hekurudhore moderne. Aksidenti i vetëm që mund të krahasohet me të është ai i vitit 1980, kur një tren që udhëtonte nga Madridi për në Valencia u përfshi në një aksident në të cilin vdiqën 27 njerëz.

spanjë treni del nga shinat

Lajmi u përditësua

Redaksia Online
(b.m/mag/shqiptarja.com)