TIRANE - Një numër gazetash spanjolle kanë publikuar këto ditë një reportazh mbi spitalet shqiptare dhe problemet e sektorit të shëndetësisë publike. Rryshfeti dhe emërimet politike po rrënojnë shërbimin jetik, konstatohet në këtë artikull. Sa më poshtë, vijon shkrimi, i pasqyruar edhe në sajtin në internet:  http://www.20minutos.es/noticia/1746601/0/sanidad-albania/hospitales/sobornos/

Keqadministrimi dhe korrupsioni që mbretërojnë në shëndetësinë publike i rëndojnë dhe më shumë kushtet e mjerueshme të spitaleve shqiptare, ku mungojnë ilaçet, kushtet higjienike janë të tmerrshme dhe të sëmurët duhet t'i japin rryshfet personelit mjekësor për t'u kuruar.

Gjatë regjimit komunist, ku mungonin fondet, shërbimi shëndetësor ishte falas dhe mbulonte, madje, dhe fshatrat më të largëta. Por, pas më shumë se 20 vitesh nga hapja politike dhe ekonomike e vendit, shëndetësia shqiptare është përkeqësuar: tani banorët e zonave të largëta duhet të ecin disa orë në këmbë për të arritur në qendrat ambulatore, pasi është pakësuar numri i qendrave shëndetësore dhe cilësia e kurimit varet nga mundësia e pacientit për t'i dhënë rryshfet mjekut.

GJENDJA


Nga 42 spitale publike që ka Shqipëria, më i madhi është Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), ku shtrohen të sëmurë nga kryeqyteti dhe ata që janë më rëndë, të ardhur nga rajone te tjera të vendit.

Në oborrin e QSUT-së ndodhen dhjetëra kafe luksoze, fast food-e, farmaci dhe deri … servis për riparimin e makinave që administrohen nga privatët. Ato janë në kontrast me gjendjen e ndërtesave të spitalit, dhomat e tij dhe kujdesjen ndaj pacientit, pra ato që varen nga fondet publike.

Disa prej pavioneve të spitalit, të ndërtuar në vitet ’30 të shekullit të kaluar, të kujtojnë skena të Luftës së Dytë Boterore. Dhoma të mbipopulluara, muret e të cilave janë të zeza nga lagështia; tuba uji të çara, njolla të verdha urine që filtrojnë nga tubat e shkarkimit, janë skena të zakonshme në pavionin numër 2 të kirurgjisë së përgjithshme, ku kurohen të sëmurë sapo të operuar.

"Si të mos mjaftonte operacioni në stomak, kam frikë se kam marrë një infeksion në laring për shkak të mykut", ankohet Hasan Ymeri, që ka një muaj i shtruar.

Nëpër korridore, mbushur me bishta cigaresh dhe pisllëk të shtresëzuar në dysheme, enden lypsa, shitës ambulantë dhe deri fotografë, që u ofrojnë pacientëve fotografi për të përjetësuar fatkeqësinë e tyre.

Përveç dhembjeve fizike, të sëmurët duhet të durojnë dhe vuajtjet e shkaktuara nga pamundësia për të blerë ilaçet e shtrenjta, që mungojnë, duke përfshirë dhe ato të kemioterapisë, si dhe për të paguar nën dorë mjekët dhe infermierët, pagat e të cilëve janë mesatarisht nga 500 e 300 euro në muaj.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 06.03 2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)