RUSI - Mirlind Daku, sulmuesi aktual i Rubin Kazan është në udhëkryq për të ardhmen. Edhe pse një vit më parë 28-vjeçari firmosi kontratën e re që do e mbante me Rubinin deri në verën e vitit 2029, edhe me një pagë më të mirë, në Rusi thonë se Spartaku i Moskës është gati të paguajë 11 milionë euro për shërbimet e tij.
Gazetari Ivan Karpov ka raportuar se klubi nga Moska ka dërguar të gjithë dokumentacionin dhe shkresat e nevojshme duke njoftuar se dëshirojnë të paguajnë 11 milionë euro për të aktivizuar klauzolën e lirimit të Dakut nga Rubin Kazani, duke e bërë për vete sulmuesin.
Ndërkohë, Match Tv ka kontaktuar me zyrën e shtypit të Rubin Kazan, me këta të fundit që thonë se Daku po përgatitet me klubin për ndeshjen e radhës kundër Akron, paçka thashethemeve për një kalim te Spartaku i Moskës.
"Daku është aktualisht në Samara duke u përgatitur me ekipin e tij për ndeshjen e kundër Akronit", tha shërbimi për shtyp i klubit të Rubin Kazanit për Match TV.
Nga ana tjetër, ish-trajneri i Spartak Moskës, Andrea Bianchi, shprehu dyshime se sulmuesi Mirlind Daku, do të jetë në gjendje të tregojë të njëjtat rezultate te Spartaku siç ka treguar te klubi i Rubin Kazanit.
"Është e vështirë të gjesh një sulmues të mirë këto ditë, kështu që vëzhgimi bën diferencën. E gjitha varet nga lloji i futbollit që trajneri dëshiron të ndërtojë rreth sulmuesit. Për shembull, te Rubin, gjithçka ndërtohet rreth Dakut dhe ai bën diferencën atje. Por nuk mund të them se nëse Daku do të ishte në vend të Lucianos te CSKA, ai do të bënte të njëjtën gjë", tha Bianchi për Match TV.
Daku luan për Rubin Kazanin që nga viti 2023. Në 92 ndeshje, sulmuesi 28-vjeçar i Kombëtares ka shënuar 37 gola dhe ka dhënë 13 asiste.
Komente









