SPECIALE/ Njerëzit do të plaken me HIV/AIDS, por nuk do të vdesin! Kryetarja e shoqatës, Hoxhaj: Ka familjarë që refuzojnë fëmijët e tyre se janë me SIDA

Dashuronte një vajzë…

Por kjo ndjenjë edhe e trembte.

Ndërsa kishte bërë testin e HIV/AIDS, pyeste veten ç’do të ndodhte me historinë që sapo kishte nisur midis dy njerëzve që kishin shprehur ndjesitë për njëri tjetrin.

Përgjigja doli. Ai ishte HIV pozitiv. Ëndrrat u zëvendësuan me frikë për të ardhmen.

Ky është vetëm fillimi i historisë së një çifti të rinjsh 14 vjet më parë, që ka mbetur edhe sot në kujtesën e Olimbi Hoxhaj, e cila drejton shoqatën e pacientëve me HIV/AIDS.

"Partnerja nuk ishte e infektuar. Ishte dilema a duhet ta vazhdojmë lidhjen apo jo. Jo vetëm e vazhduan, por edhe u fejuan dhe martuan dhe sot kanë dhe 2 fëmijë të cilët janë HIV negativ dhe nëna akoma është hiv negativ", tha kryetarja e shoqatës së pacientëve me HIV/AIDS, Olimbi Hoxhaj.

Histori dashurie sjell ndërmend edhe Roland Bani, koordinator i Planit Kombëtar për HIV/AIDS në Institutin e Shëndetit Publik.

"Dua të theksoj rastin e një gruaja e cila u diagnostikua hiv pozitive. Partneri e pranoi ashtu dhe që të dy bashkë kanë bërë edhe fëmijë", tha koordinatori i planit kombëtar pëe HIV/AIDS në ISHPI, Roland Bami.

Por dashuria nuk ka triumfuar gjithmonë në historitë me personat HIV pozitiv.

Gjatë 18 viteve të fundit, Olimbi Hoxhaj është njohur me raste nga më të çuditshmet, nga më ekstremet dhe nga më komplekset.

"Kryesisht i referohem rastit të refuzimit nga familjarët. Kur nuk duan ti kenë më fëmijët në shtëpitë e tyre. Për mua është fatale që në një rast të tillë që në vend të mbështetjes i kanë larguar nga shtëpia", u shpreh Hoxhaj.

Aktualisht janë më shumë se 13 fëmijë me HIV negativ të lindur nga të paktën një prind pozitiv. Ky është një tregues i vazhdimësisë së jetës edhe për njerëzit e prekur nga virusi që vazhdon të jetë kërcënim botëror. Të dhënat historike tregojnë se shumë ekspertë mendojnë se HIV/AIDS ishte prezent në ShBA, Evropë dhe në Afrikë për disa dekada ose më shumë deri në rastin e parë i shfaqur në vitin 1959. HIV ishte identifikuar për herë të parë më 1984 nga shkencëtarët francezë dhe amerikanë, por virusit që shkaktonte vdekjen nuk iu dha emri deri më 1986. Mendohet që për herë të parë është shfaqur tek një majmun me ngjyrë të gjelbër prej të cilit pastaj është infektuar edhe njeriu. Në vitin 1988 u vendos që 1 dhjetori t’i dedikohet Ditës Botërore të HIV/AIDS.  Që nga fillimi i shpërthimit të HIV, rreth 79.3 milionë njerëz janë infektuar me HIV dhe 36.3 milionë kanë vdekur nga sëmundjet e lidhura me SIDA-n.

Ndërsa në Shqipëri prej vitit 1993 janë raportuar rreth 1500 raste me HIV pozitiv.

"Sa i takon këtij viti numri i rasteve të reja është 91. 65 meshkuj dhe 26 gra. Mosha është ajo që është aktive seksualisht 25 deri në 44 vjeç ", tregoi Bami.

Pandemia e covid-19 i goditi dyfish personat HIV pozitiv. Përveç përballjes me virusin e ri, atyre u duhet të përballeshin me mbivendosje të situatave, qoftë shëndetësore qoftë psikologjike në kushtet e covid-19.

Kjo sepse do të duhej të ndesheshin me sëmundje bashkëshoqëruese.

"Në fillim nuk u pa si grup me risk. Pastaj u konsiderua si grup potencialisht me riskim problemet psikologjike ishin më të mëdha. Pastaj kufizimet në lëvizje, humbja e punësim. Tek hiv pozitiv është e mbivendosur problematika", tha Hoxhaj.

"Gjatë 2020 u vu re ulja e testimeve. Për shkak të frikës dhe izolimit", tha Bami.

Klinika e sëmundjeve infektive u kthye në spital Covid. Aty ofrohet vetëm shërbim ambulator për pacientët në statin AIDS të cilët janë në terapi. Ky shërbim nuk u spostua nga vendi ku ofrohej më pare, gjë që u shoqërua edhe me disa problematika pas vendosjes së kamerave dhe pranisë së medieve. Për personat e diagnostikuar me Hiv pozitiv u krijua një ngërç nga të qenit gjatë gjithë kohës në vëzhgim ndërkohë që pacientët duhet të futeshin aty për të marrë terapitë. Me kalimin e kohës këto probleme u ezauruan, ndërsa shërbimet e tjera që kishin lidhje me hospitalizimin u adresuan tek klinika ngjitur.

"Sigurisht shërbimi i afruar nuk ka qen në maksimum pasi mjekët u fokusuan tek pacientët COVID. Pati njëlloj vështirsie në terapi", tregoi Hoxhaj.

"Një fakt tjetër që dua të theksoj është që pranë klinikës ambulatore është ofruar vaksinimi për personat që jetojnë me Hiv. Pra pranë kësaj klinike janë vaksinuar mbi 300 persona, ndërsa të tjerit në klinikat ambulatore", tha Bami.

Fillimi i pandemisë krijoi pikëpyetje shumë të mëdha për menaxhimin e problemeve psikologjike ku dominonte frika dhe pasiguria për të nesërmen.

Ka qenë i vështirë menaxhimi sepse ishte si një rikthim në situatën kur je diagnostikuar me HIV Pozitiv por tani me një stad tjetër, me një diagnozë tjetër dhe me një virus tjetër. Kjo periudhë rizgjoi situatat e përjetuara më parë tek pacientët me HIV pozitiv.

"Frika ishte e madhe pasi edhe informacioni ishte i cunguar. Nuk dinim. Mos harrojmë faktin e problemeve nga izolimi, distancimi social. Solli një mbyllje në vetvete" tregoi Hoxhaj.

AIDS-in e shkakton virusi HIV, që dëmton dëmton sistemin imunitar të njeriut, sistemin natyral të mbrojtjes së trupit duke e lënë atë të ekspozuar ndaj infeksioneve të rënda. Trupi e ka të vështirë të luftojë sëmundjet e ndryshme me të cilat përballet. Ky virus dhe ky infeksion që krijohet, quhet ndryshe HIV-AIDS. Rruazat e bardha të gjakut janë një pjesë e rëndësishme e sistemit imunitar dhe HIV pushton dhe shkatërron qeliza të caktuara të këtyre duke e bërë të dobët trupin që të mbrojë veten kundër infeksioneve. Faza e fundit e infeksionit HIV është SIDA (sindromi i fituar i mungesës së imunitetit). Njerëzit me AIDS marrin infeksione ose preken nga kanceri më shpejt sesa personat e shëndetshëm, duke sjellë për pasojë vdekjen.

Është e rëndësishme që një individ nga grupmosha 18 deri në 65 vjeç duhet të testohet të paktën një herë në jetë për HIV AIDS. Ndërsa ata që konsiderohen grupe risku duhet të testohen çdo tre muaj, çdo gjashtë muaj apo qoftë edhe një herë në vit. Testimi është i rëndësishëm që mos të arrihet në fazën e vonë.

"Arsyeja kryesore është mungesa e informacionit. Edhe oas fushatave të tëre njerëzit kujtojnë se hiv Aid transmetohet nëpërmjet prekjes, përqafimit. Kjo është e pavërtetë. Shqipëria ka nivelin më të ulët të testimit për një seri faktorësh. Një njeri duhet të testohet kur mendon se ka bërë një veprim me risk. Marrëdhënie seksuale e pa mbrojtur. Përdorimi i shiringës së njëjtë", tha koordinatori i i HIV.

"Testimi bëhet në qendra të specializuara. Nga prezantimi i një situate risku duhet të qëndrohet 4 deri në 6 javë pa bërë test", tregoi Hoxhaj.

"Testimi është falas, anonim. Nuk e din asnjë njeri. Terapia është 20 minuta. Në person është në gjendje të mësoje për statusin e tij për 20 minuta", u shpreh Bami.

Kujdesi më i madh duhet të tregohet ndaj atyre që i dorëzohen rastësisë e cila konsiderohet sjellje me risk potencial për t'u infektuar me HIV.

Testimi për HIV ka një specifikë të veçantë sepse bëhet vetëm në qendra të specializuara dhe është test specifik dhe ka një kohë të caktuar kur duhet të bëhet.

sinkron rolandi testimi eshte falas dhe i shpejte

Testimi falas kryhet:

– Pranë Qendrave të Këshillimit dhe Testimit Vullnetar për të gjithë vullnetarët dhe kategori të tjera.

– Bankës Kombëtare të Trasfuzionit të Gjakut për dhuruesit e gjakut.

– Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT).

– Institutit të Shëndetit Publik (ISHP)

Sot në të gjithë vendin funksionojnë 14 qendra të testimit dhe këshillimit vullnetar për HIV në Shkodër, Kukës, Lezhë, Elbasan, Korçë, Durrës, Berat, Fier, Tiranë, Vlorë e Gjirokastër.

Qendrat e Këshillimit dhe Testimit Vullnetar për HIV ofrojnë shërbime për të gjithë personat që duan të njohin statusin e tyre për HIV shoqëruar me një këshillim profesional për të ndihmuar klientët të përshtaten me rezultatin e testimit.

"Është problemi i ndarjes së statusit me familjarët, të afërmit është pjesa e anonimatit. Frika nga stigma, pasiguria financiare. Janë një sërë çështjesh", tha Olimbi Hoxhaj.

Pas konstatimit të sëmundjes dhe marrjes së mjekimit, pacientët e infektuar me HIV-AIDS, mund të jetojnë për vite në mënyrë të shëndetshme, derisa sëmundja arrin të mposhtë imunitetin.

Informimi dhe edukimi mbetet thirrja që përsëritet jo vetëm në ditët, javët apo muajt kushtuar luftës ndaj HIV AIDS. Ky informacion këshillohet të ndahet veçanërisht me brezin e ri gjatë gjithë periudhës, qoftë edhe në kurrikulat shkollore që duhet të përditësohen pasi ndodh që kanë informacione shumë të vjetruara.

Aktualisht jemi në një situatë ku ndoshta brenda një pesë vjeçari mund të kemi një zgjidhje përfundimtare, mund të shkojmë drejt një kure që mund t'i japë fund epidemisë së AIDS-it në botë.

"Duke u nisur nga rezultatet e fundit dhe qasja e vaksinës Fizer për Covid shumë shpejt mund të kemi një vaksinë në kurë. Them se shumë shpejt bota po shkon drejt fundit të kësaj pandemie që mori shumë jetë, shkatërroi shumë familje", tha Hoxhaj.

Bashkëjetesa me virusin është një rrugëtim i gjatë. Ajo që mbetet është informimi. Secili e di sjelljen e tij seksuale dhe të mos qëndrojë indiferent ndaj testimit. Nënave shtatzënë u rekomandohet që të bëjnë edhe testin e HIV gjatë shtatzënisë sepse janë të gjitha mundësitë e parandalimit të transmetimit vertikal qoftë gjatë shtatzënisë qoftë në momentin e lindjes apo pas lindjes. Sot janë të mundura programe dhe qasjet për të lehtësuar jetën bashkëshortore kur njëri prej partnerëve është me HIV pozitiv.

"Është e rëndësishme testimi i grave shtatzëna. Ka disa vite dhe kemi program në rrethe. Përsëri testimi i shtatzënave është i ulët. Është i domosdoshëm. Mëson për statusin e vet dhe ekziston mundësia që fëmija të lind fëmijë hiv negativ. Janë një sërë masash. Mjekimi i hershëm bën të mundur që këta persona mos ta transmetojë virusin", tregoi Bami.

Nga viti 1998 e deri më sot, Dita Botërore e Luftës kundër HIV/AIDS-it organizohet nën slogane të ndryshme. Për vitin 2021 është tema e zgjedhur është “T’i japim fund pabarazimeve. Fund AIDS”. Stigmat dhe diskriminimi mbeten një realitet i hidhur për të gjithë ata që vuajnë nga kjo sëmundje.

"Nëse ne kemi zgjidhur problemet mjekësore, problem vazhdon të jetë stigma dhe diskriminimi për shkak të mungesën e informacionit", tha Bami.

"E rëndësishme është që ka zgjidhje klinike. Problemet tjera janë të gjendura dhe duhet të merren me optimizëm", tha Hoxhaj.

Meshkujt përbëjnë shumicën e të infektuarve. Në vendin tonë HIV/AIDS mbetet një infeksion seksualisht i transmetueshëm dhe 12 për qind e të infektuarve raportohet se vijnë nga raportet homoseksuale mes meshkujve. Parandalimi nëpërmjet informimit është hapi i parë, ndërsa i fundit është mjekimi.

Që historitë e dashurisë si ato që sollën Olimbia dhe Rolandi të kenë vazhdimësi, të dignostikuarit me HIV pozitiv duhet të kuptojnë se i pret një rrugëtim i gjatë me këtë virus, madje edhe mund të plaken duke bashkëjetuar me të.

"Terapitë kanë bërë mrekullira. Njerëzit mund të jetojnë dhe plaken me Aids, por jo të vdesin nga Aids", përfundoi Olimbi Hoxhaj.

M.Q./K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Planet e administratës Trump për t’i dhënë fund luftës në Gazë

Planet e administratës Trump për t’i dhënë fund luftës në Gazë