Speciale/ Kanuni i tjetërsuar që “vrau” edhe Florianin

Gjakmarrja e kthen plumbin mbrapsht.

 “Ishte vetëm 4-vjeç kur i vranë babanë.”

“17-vjeçari ekzekutoi vëllanë e vrasësit të babait”

“Gjakmarrja nga drejtësia e munguar, vrasesi bëri vetëm 7 vite burg!”- janë vetëm disa nga titujt e SHQIPTARJA.COM që informojnë mbi  ngjarjen.

Kjo është historia e Florianit, fëmijës që jeta i mësoi se prindërit nuk vdesin vetëm nga sëmundjet apo aksidentalisht por dikush diku vendos tua marrë frymën me plumba. Ligjet e shtetit janë të pabesueshëm, për të venë në vend drejtësinë për Florianët. Ata presin në heshtje ditën e vetëgjyqësisë në emër të një kanuni të cilin nuk e njohin.

Gjakmarrja është fenomen i vjetëruar.” thotë Pjetër Gjoka, pajtues gjaqesh në zonën e Lezhës. Në Shqipëri tre janë kanunet kryesore: i Lekë Dukagjinit, i Skënderbeut dhe i Labërisë. Këto kanune kanë shumë të përbashkëta, por kanë edhe veçori esenciale. Në Lurë është zbatuar e zbatohet Kanuni i Lekë Dukagjinit.

E Drejta Zakonore në Dibër, mbështetet kryesisht mbi Kanunin e Skënderbeut, ndërsa pjesa tjetër veriore zbaton Kanunin e Lekë Dukagjinit.

Kanuni i Lekës, përcakton: “Gjaku mbetet për faj”, sipas kësaj norme seriali i vrasjeve , i hakmarrjeve apo vetgjyqësive shkonte pafundësisht, nuk ndalej, sepse pas vrasjes së dytë, kur dy palët barazoheshin në jetët e humbura, vetë vrasja e dytë hakmarrëse, e cila bëri barazimin e jetëve të humbura, konsiderohej faj dhe kështu, i dëmtuari i fundit kishte të drejtë të bënte vrasjen tjetër, pas së cilës, përsëri i dëmtuari i fundit kishte të drejtë të qiste pushkë, të vriste, vrasje që përsëri quhej faj dhe linte në gjak hakmarrësin e fundit, dhe kështu me radhë.

Skënderbeu, përcakton: “Gjaku nuk ngel për faj”.me këtë normë seriali i vrasjeve ndalej, me vrasjen e dytë hakmarrëse. Pra, sipas Skënderbeut, për çdo konflikte në hasmëri, humbnin jetën vetëm dy jetë njerëzish dhe çdo gjë mbyllej me kaq, pra, shpëtonin shumë jetë të tjera njerëzish.

“Por deri në këtë moment që ndodhi askush nuk e ka pritur se mund të ndodhë kjo. Edhe tani është çudi e madhe. Si ka mundësi që një adoleshent të ruajë me kaq mllef dhe të veprojë për gjakmarrje në ditët e sotme.”shprehet Pjetër Gjoka për Report TV.

"E kam njoh Florianin. Për mua Floriani ka qenë shok shumë i mirë.Nuk është shpreh me ne për këtë ngjarje që ka ndodhur" tregon shoku i Florianit.

 “E ka mbajt në vetvete të mbyllur atë punë. Siç është ai kanuni jonë, marrja e gjakut është larja e të gjithëve.”shprehet i afërmi i Florianit.

Askush nuk e kishte kuptuar se ngjarja që ndodhi në 21 nëntor të vitit 2009 kishte zaptuar mendjen e 4 vjeçarit.

Ishte viti kur ndërroi jetë një ndër pajtuesit më të njohur të gjaqeve në Lezhë, Mark Lazer Bajraktari e që për ironi të fatit ishte edhe babai  atij që do të shndërrohej në vrasës të të atit të Florianit, Ndue Lekgjonaj.

Rreth orës 14.30 minuta babai i Florianit ishte duke ecur në rrugët e fshatit kur u ekzekutua nga Ndue Lekgjonaj, i cili më pas i përplasi me makinë të birin e mitur, vëllain e Florianit, që fatmirësisht shpëtoi.

Por drama e jetës së Florianit sapo kishte nisur. Në të njëjtën ditë që humb babain ai bëhet dëshmitar i vetëhelmimit të nënës, Martine Përvathi e cila kujtonte se jo vetëm bashkëshorti, por edhe i biri 14 vjeçar kishte ndërruar jetë.

Ishte koha që të ndërhynin pajtuesit e gjaqeve. Shkaqet e konfliktit ishin të rëndomta. Dy fqinjët i bezdiste kur delja apo dhia kulloste në tokën e tjetrit. Burrat e dy familjeve nuk i shmangën dot debatet. Përkundrazi! Lekgjonaj e vrau. Arsyet i di ai. Ndërsa Floriani 4 vjeçar u shndërrua në dëshmitar të humbjes së të prindërve në një ditë, dy vëllezërit lanë Shqipërinë, motra krijoi familjen e saj.

Ai mbeti në çarkun e botës që i ofruan gjyshërit dhe xhaxhai.

"Më tronditi ngjarja sepse për mua Floriani ka qenë shok shumë i mirë. Nuk e prisja. Lajmin e mora vesh nëpërmjet televizorit" thotë një prej shokëve të Florianit.

“Shumë herë vite, ishte djalë i sjellshëm, i respektonte njerëzit e vet kudo që i takonte. Nuk u shprehte, merrej me karate dhe pikturë, nuk jepte për kështu. E ka mbajt në vetvete të mbyllur atë punë. Siç është ai kanuni jonë, marrja e gjakut është larja e të gjithëve”tregon Mark Paloka, i afërm i Florianit.

Artist në sy e në shpirt, Floriani ishte një djalë i talentuar në pikturë.

Sporti i karatesë i përshtatej natyrës së tij të heshtur.

"Rrinim vazhdimisht me të. Nuk shprehte asnjë shqetësim me ne" tregon shoku i Florianit.

 “Nuk u shprehte, merrej me karate dhe pikturë, nuk jepte për kështu.”tregon Mark Paloka, i afërmi i Florianit.

Përtej syve të atyre që e rrethonin, Floriani prej 13 vitesh kaliste durimin. Ai priste çastin…

 “Mos u dorëzo kurrë. Gjërat e mëdha kërkojnë kohë”- shkruante ai në rrjetet sociale.

Vrasësi i babait tashmë ishte i lirë. Ai po jetonte jetën e tij në një cep të botës.

Prokurori Agim Dalipi, i cili sot është i shkarkuar nga vetingu, në 2009 kërkoi një dënim minimal për vrasësin Ndue Lekgjonaj, i cili i mori jetën me paramendim Gjon Përvathit.

Në Kodin Penal vrasja me dashje dënohet nga 10-20 vite burg, ndërsa prokurori ka kërkuar 12 vite dhe përmes gjykimit të shkurtuar shkonte në 8 vite burg. Por gjyqtarja e Lezhës, Gentiana Muçaj e ka ulur edhe më tej këtë dënim minimal të kërkuar nga prokuroria, duke vendosur 10 vite burg për Ndue Lekgjonaj dhe përmes dënimit të shkurtuar autori ka lërë qelinë brenda 7 vitesh dhe të largohet jashtë vendit. Kjo padrejtësi ishte një arsye shtesë që nxiti edhe më tej gjakmarrjen.

"Unë edhe në intervista e kam thënë shteti dhe ligji duhet ta marrë maksimalisht. Janë pjesë e të keqes që organet e drejtësisë deri tani kanë qenë pjesë e këtij fenomeni. Ai tjetri bën vrasjen dënohet katër pesë vjet dhe për një vit e sheh aty të lirë. Nga informacionet që kam unë ai ndodhet jashtë shtetit. Të paktën dënimin nga shpresojmë që këtë problem, problemet e ligjit për gjakmarrjen shteti i ka forcuar shumë. Nëse ndodh një vrasje për gjakmarrje dënohet minimalja 25 vjet. Por në këtë rast është tjetër logjikë juridike. Mund ta quajmë adoleshent. Ka përjetuar mungesën e prindërve për vite me radhë gjë që atij i ka mbetur në kujtesën e tij për t’u hakmarrë”, thotë Gjoka

Për shtëpinë e braktisur , kujdesej i vëllai, Lekë Lekgjonaj, i qetë se nuk ishte pjesë e konfliktit të fqinjëve në gjak duke refuzuar edhe paralajmërimin e pajtuesit të gjaqeve.

Disa mediat thonë që ka qenë pajtua. Nuk është e vërtetë. Ne kemi hyrë me ato mundësi që kemi pasur pastaj ne e pamë që nuk mund të komunikonim gjatë. Fëmijët ishin të vegjël. Bashkëshortja e viktimës në 2009 u vetëvra. Nuk kishin se si dhe me kë të komunikonim. Por sa kemi mundur me njerëzit e afërt të kësaj familje jemi përpjekur të ulim gjakrat dhe nuk e kemi pritur pasi edhe gjatë kësaj periudhe mes dy familjeve nuk ka pasur gërricje. Katër pesë ditë pasi ndodhi ngjarja viktima më ka ardhur në shtëpi. Më ka thënë si do bëj unë. I kam thënë duhet të bësh kujdes sepse ai që ka vrarë është vëllai jot. Ai më thoshte unë nuk kam faj. Por nuk funksionojnë kështu gjërat. Kur kërkoi të dilte nga shtëpia ime i thashë jo.” tregon pajtuesi i gjaqeve në zonën e Lezhës.

Lek Lekgjonaj ishte shndrruar në prenë e 17 vjeçarit që kishte marrë mbi supe barrën e vetgjyqësisë. Floriani kishte siguruar prej një viti armën tip pistoletë me mulli. Sapo Leka u shfaq në oborrin e vrasësit të babait të tij, Floriani e qëllon me 4 plumba 65 vjeçarin. Pas ngjarjes ka shkuar tek zyra informacionit në Komisariatin e Policisë Lezhë ka lënë armën mbi tavolinë dhe i traumatizuar e gjendje të rënduar psikologjike ka thënë se kishte qëlluar me armë.

Menjëherë blutë janë vënë në lëvizje dhe të orientuar nga i riu të cilin e morën me vete, kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Aty gjetën të vrarë 65-vjeçarin Lek Lekgjonaj, vëllain e Ndue Lekgjonaj, që i vrau babanë 13 vjet më parë.  Floriani e kishte arritur qëllimin e tij.

“Nuk jam hakmarrës, thjesht rikthej nderin”- është një tjetër shprehje që e gjejmë në rrjetet sociale të Florianit.

Në Lezhë deri më sot janë pajtuar të paktën 40 familje, ndërkohë që janë ende 30 familje të ngujuara. Kryesisht janë të ardhura nga veriu i Shqipërisë.

"Lezha është e preferuar për banim dhe ka vërshim të zonës verilindore drejt qytetit të Lezhës. Kanë ndodh vrasje ne na e shton këtë problem këta që vijnë që vijnë fill sa ndodh gjëma atje ku ndodh nga Dibra, Malësia e Madhe e shohin Lezhën si strehe, ajo që është t’u çudit kemi 3 raste vijnë të dyja palët i ngujuari dhe familja e vrasësit dy palët këtu, është problem ngujimit rrinë fshehur përpiqemi të ndërmjetësojmë me besë dhe cak", tregon pajtuesi i gjaqeve.

Ngjarjet fatale me kanunin kryefjalë nuk janë të rralla në Shqipëri.

Vit pas viti kanë ndodhur vrasje për gjakmarrje.

Madje të tilla histori shqiptarësh kanë kaluar edhe kufijtë e vendit.

Në gusht të vitit 2017 Gjykata e Apelit në Ankona të Italisë i ka garantuar mbrojtje ndërkombëtare një shtetasi shqiptar i cili ishte i dënuar në Itali me 14 vite burg për vrasje, por që rrezikohet nga ligjet e Kanunit.

Mediat italiane shkruajnë se Kanuni nuk i përket vetëm historisë, por ekziston brenda kufijve të shtetit shqiptar. Të njëjtin reagim patën mediat e huaja edhe për historinë e Florianit. Me mendjen e tij 17 vjeçari duket se e kreu udhëtimin e diktuar prej njerëzve që e rrethuan. Ishte 4 vjeç kur varrosi dy prindërit e tij. Në moshën 17 vjeçare arriti në fund të të vetmes rrugë që zgjodhi:

“PO, UNË E VRAVA”!

 

K.T./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Leka I madh: 28/01/2022 01:05

    Jam dakord me leke per kanunin se keto pajtusit ma shume ngatrrojn se pajtojn Edhe ligjet e kanunit I sterhodhojn 24 oret e para me kanun vret ke te xesh Masi te kalojn 24 ore vetem dorasi vritet nuk jam I sigurt po thojn se ai qe I vrau te atin jeton si zotni e nje I pafajshem u vra cfar duhet me ba femijt e kti krathatit qe vdiq se te gjithe po I thone te lumt pushka per marrjen e nje jete te pafajshme dhe shkatrrimin e jetes se vet ky 17 vjecar qe jam I sigurte qe vrasjen nuk e ka ba ai po familjaret e tjere e ja kan lane ati I ri eshte dhe del prej burgut ne moshe te pjekur gjaku nuk ndalohet se I ka vra baben edhe ky dikuj pa hak bje I fort te ligut shteti mbledh kufomat

    Përgjigju
  • leke: 27/01/2022 14:52

    Thuajni Pjeter gjok leprit qe ta lexoje mire kanunin, nese nuk e ka ja dergojme. Gjaku nuk shkon per faj. Pra sipas kanunit sado fajtor te jete kundershtari nuke ke te drejte te vrasesh. Nese vret per gjdo lloj arsye bjen ne gjak. Por mos harro se me kanu gjaku lahet me gjak ose me malle. Gjdo tre vjet dilte zabitnamja dhe i detyrote me u pajtue, ne kuptimin me la gjakun me mall. Dhe gjith katundet ndihmoshin me materjale e lek per te la gjakun.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

'Korrupsioni, pesticidi më i rrezikshëm i ekonomisë', Tabaku reagon për bllokimin e mandarinave: Njollë e keqe sigurinë ushqimore në vend

'Korrupsioni, pesticidi më i rrezikshëm i ekonomisë', Tabaku reagon për bllokimin e mandarinave: Njollë e keqe sigurinë ushqimore në vend