Për shumicën prej nesh, ndërrimi i viteve është kohë bilancesh: Çfarë arritëm, ku do të shkojmë? Ashtu si ngjyrat e larmishme që karakterizojnë këtë periudhë, janë edhe ditët të cilat ia lenë vendin njëra-tjetrës në kalendar.
Sot ne do të përpiqemi të formojmë mozaikun që sjell kjo atmosferë, ku e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja bëhen bashkë në mendjen tonë si asnjëherë.
Për të hedhur një vështrim mbi kohën që lamë pas, ne do të trokasim në shtëpinë e znj.Albana Mançja.
Ajo na tregon se para viteve ’90 festohej ndryshe, kishte më pak ushqime e zbukurime, por më shumë dashuri! Prandaj dhe mesazhi i saj shkon për kujdesin që duhet të tregojmë ndaj njëri-tjetrit, veçanërisht për prindërit në moshë të thyer.
“Shoh që familjet shqiptare janë të ndara. Çifti shkon të festojë jashtë ndërsa prindërit mbeten vetëm. Qëndrojini sa më pranë njerëzve që janë në një moshë të tretë. Ajo është mosha që vërtet ka nevojë për më shumë dashuri. Kur ne ishim të vegjël, na merrnin prindërit përdore, tani kemi nevojë që fëmijët të na marrin përdore. Patjetër që jeta vazhdon, por asnjëherë mos i lini me kokën mënjanë prindërit!”, shprehet Mancja.
Ndonëse disa tradita janë ruajtur, duken të pashmangshme ndikimet e festimeve nga trendet e reja.
Sot jo pak shqiptarë zgjedhin të festojnë jashtë shtëpisë, madje në qytete apo shtete të tjera.
“Këtë vit është venë re 25-30% më shumë shqiptarë që kanë preferuar t’i kalojnë festat e fundvitit jashtë territorit shqiptar” tregon Jetmira Hoxha, operatore turistike.
Ajo nënvizon gjithashtu se “destiancionet më të pëlqyera janë Viena, Praga, Roma, Budapesti, Colmari, Bruzhi madje dhe vendet e largëta siç janë Dubai, Egjipti, Maldivet.”
Edhe format e urimit janë tjetërsuar. Një mesazh i njëjtë dërgohet nga celulari për familjarë, miq të afërm e të largët.
“Tani në telefon, mesazhe facebook-u:“gëzuar” dhe kaq”, tregon një qytetar. Ndërkohë një tjetër shton: “I fut një like, një figurë dhe çdo gjë këtu përfundon me urimin për vitin e ri.”
Ndërsa një qytetare bën krahasimin me vitet e dikurshme kur kartolinat nuk ishin thjesht një urim: “Kur na vinin ishte një gëzim shumë i madh, një lumturi. Edhe kartolinat ishin shumë të bukura, me figura të ndryshme, Për fëmijë, me foto nga natyra, portrete etj. I ruajmë si një kujtim shumë i vyer, jetojmë me ato kujtime.”
Megjithatë dëshira për të falur një emocion ndryshe nëpërmjet fjalës, nuk ka humbur. Krealda Dusho ka zgjedhur ta shndërrojë në një kujtim të përhershëm, urimin nëpërmjet një kartoline.
“Doja që të dedikoja diçka të personalizuar, jo vetëm në pamje por edhe në përmbajtje. Nuk kisha gjetur një produkt ashtu siç e doja unë dhe vendosa ta realizoja vetë", shprehet Dusho.
Sot ajo bën kartolina edhe për të tjerët me qëllimin që fjalët të mbeten kujtim i vyer ndër vite.
“Mos të jetë thjeshtë një copë letër apo bojë, por të përcjellë emocione, ndjenja, buzëqeshje duke i kthyer ato në momente të paharruara për njeriun që e merr por edhe për atë që e dërgon”, vijon Dusho.
Folëm për të shkuarën e të tashmen, e ardhmja mbetet gjithmonë një plan me shumë pikëpyetje. Gjithsecili i liston ndryshe prioritet në fillim viti. Pavarësisht ambicieve njerëzore, kërkesave për të mbërritur në destinacione të ëndërruara, do t’ju sjellim edhe një këndvështrim tjetër, atë të Adriano Çapunit, 13- vjeçarit që nuk ka mundur të shohë asnjë ditë nëpërmjet syve, por…. vetëm nëpërmjet zemrës.
“Dita ime e preferuar e këtyre festave është 31 dhjetori, për arsye se plasin fishekzjarre, kapsolla, unë i shikoj. Më sjellin një kënaqësi dhe ngjyrat e tyre janë mbarësi për vitin që vjen. Ato janë të kuqe, jeshile, të bardha, mund të jetë edhe blu nëse rastis.” Kështu e përshkruan atmosferën Adriano, djaloshi që detjon gjithçka përjeton.
“Mua më pëlqen edhe darka e Viti të Ri, tavolina e mbushur plot e përplot, pimë gjëra shumë të mira, hëngrëm, madje edhe bakllavanë dhe unë se si u ndjeva në ato momente, që ne jemi dhe do të jemi një familje e bashkuar!”, thotw ai.
Pavarësisht rrëfimeve personale të grupmoshave të ndryshme, vemë re se të gjithë bëhen bashkë në një pikë: dashuria është dhurata më e çmuar që mund të marrësh e të japësh në çdo ditë të vitit.
Komente











