SPECIALE/ 'Pengjet' e Luftar Pajës, aktori rrëfen prapaskenat e filmave: Si e humba 70% të shikimit te 'Gunat përmbi tela'

Kanë kaluar mbi 7 dekada nga roli i tij i parë! Fëmija i dikurshëm që bënte çmos duke kapërcyer dritaret e strukur poshtë poltronave, për një vend në kinema në qytetin e Patosit, qëndron i ulur përballë të rinjve që ëndërrojnë skenën e një 'çak' që të diktojë startin e tyre. Në Qendrën për Hapje dhe Dialog, javën që lamë pas 'Personazhi në fokus' është Luftar Paja, por nxënësit e gjimnazit 'Sami Frashri' e studentët e Arteve, e kanë të pamundur, ta ndajnë njeriun nga rolet që ai ka skalitur në më shumë se 30 filma e 300 personazhe në Estradë.

Dikush kujton Gani Llupën, një tjetër Ballistin Refat a Servet Beun. Role si ai i Kadri Kananit a Velo Sadikut nga kinemaja e vjetër, e kanë sjellë më afër zemrës së publikut, duke kapërcyer kufijtë kohorë. Teatri e kinemaja për të janë dashuri të pandara. Mimika e sytë shprehës, elasticiteti, e folura tipike krahinore, e kanë bërë interpretimin e Pajës të pa ngatërrueshëm, një "Charli Chaplin" myzeqar, humori e batutat e të cilit janë bërë pjesë e përditshmërisë sonë. Si ky fragment i shkëputur nga “Tetë persona plus” ku Paja vjen si Çeçua, në dialogun me Pavlina Manin.

Motori i kësaj zhdërvjelltësie në skenë që ka mbajtur për plot 55 vite të mbërthyer publikun pas lojës së tij, siç rrëfen Paja, ka qenë humori. I lindur në Gorishovë, vitet e vegjëlisë i kujton mes bukurive të natyrës së qetë zbukuruar me kurorat e ullishtave, lojërave të sajuara, bagëtive e mbi gjithçka zemërgjerësisë së njerëzve. I ardhur nga një familje e thjeshtë, Paja mund të quhet 'bir arti' i vendeve e njerëzve ku jetoi në Gorishovën e tij, Patosin ku u rrit, viteve në Vlorë a Seman të Fierit.

“Prejardhjen familjare e kam nga njerëz të thjeshtë, por si nga nëna dhe nga babai kam një gen me humor, edhe kjo më ka nxitur që të jap dhe unë diçka. Babanë e kam pasur partizan, pastaj oficer. E mbylli karrierën e tij në pension si të gjithë të tjerët, por ata kanë qenë prindër me humor. Kështu që dhe unë në shoqërinë që rashë e zhvillova më tej, edhe sigurisht, në këtë ndikim të madh ka pasur jeta ime në Patos”, thotë aktori Luftar Paja.

Talentin e tij do ta pikaste gjatë një recitimi regjisori Ndrek Baltoja, një nga themeluesit e artit dramatik në Fier, që do të bëhej një nga figurat më të dashura për Pajën.

“U frymëzova nga një person shumë i thjeshtë, i cili ishte shumë i shquar në zonë për veprimtaritë artistike. Bëhet fjalë për regjisorin Ndrek Beltoja, që më ka mësuar shumë të ecë në jetë veçmas në jetën artistike”, thotë më tej.

Me një kujtesë të fortë, e dëshirën për të mos e shkëputur aktorin që njohin sot shqiptarët, nga 11-vjeçari plot ëndrra, në bankat e shkollës së Patosit, Paja rrëfen petkat e të parit personazh që luajti.

“Roli im i parë ka qenë në klasën e dytë fillore, në 1952-ishin, në një dramë sovjetike unë kisha rolin e Juvikut, një nxënës shkatarraq” shton aktori.

Rol pas roli, talenti i Pajës do të gjente konfirmimin mes radhës së artistëve, e duartrokitjeve të publikut, duke iu bashkuar Estradës së Fierit që vuri themelet në 1957-ën, ku do të punonte me emra të njohur si Llazar Verria e Pëllumb Kulla, me të cilin do të shenjonte dhe disa nga rolet që i dhanë krahë në artin skenik.

“Një kontribut të jashtëzakonshëm në formimin tim artistik ka dhënë Pëllumb Kulla, një nga dramaturgët e mirë të vendit tonë… autor, regjisor e shkrimtar i gjinive të tjera, por mua më ka dhënë ndihmë në punën time fryma e kolektivitetit që kishim në trupën e Teatrit të Fierit, pasi një personazh pa këtë frymë bashkëpunimi nuk zhvillohet dot. Pasi arti skenik, është art kolektiv, ku marrin pjesë autori, regjisori, skenografi, aktori, kostumografi etj. Të gjithë bashkë bëjnë më të bukurën”, shprehet artisti.

Kur e pyet Luftar Pajën për figura që ndikuan në rritjen e tij si aktor, lista e kolegëve që përmend është e gjatë. Thotë se nga çdokush prej tyre, diçka mësoi, ndërsa kujtimet janë të shënjuara me nostalgji, prej harmonisë që kishte në teatrin e Fierit ku punoi mbi 3 dekada.

“Unë kam pasur fatin e madh dhe atë e quaj shkollën më të madhe të jetës. Aty kam njohur artista gjigantë të Shqipërisë. Kam luajtur me Sandër Prosin, me Violeta Manushin, Kadri Roshin, Sulejman Pitarkën, Ndrek Lucën, Prokop Mimën etj., e shumë të tjerë që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në artin tonë, pa harruar kolektivin tim, me të cilin kam punuar për 33 vjet me radhë në Fier, siç ka qenë Nestor Pogaçja, Fuat Boçi, Todi Llupi, Hasan Bregu, Zhuljeta Kulla etj. Ne kishim dhe një parullë, thoshim që "Jemi 6 vëllezër dhe kemi edhe një motër!". Kjo lloj harmonie dhe dituria e regjisorit Pëllumb Kulla na ka bërë që të njihemi,  jo në shkallë rrethi, por në shkallë vendi. Ne gjatë asaj periudhe nuk kemi lënë Vit të Ri pa qenë pjesë e koncerteve që bëheshin gjatë asaj kohe, por për këtë një meritë të jashtëzakonshme ka dhe edukimi që kemi pas. Pasi në fund të fundit nuk është vetëm të performosh, por edhe të pasurohesh mendërisht, një gjë të tillë e bënte Pëllumbi me ne, përmes literaturës ndihmëse për zhvillimin e këtyre karaktereve”, tregon Paja.

Në teatër e kinematografi rolet, siç thotë, i ka rritur me kujdesin që kërkon fëmija e çiltërsinë që do, veçmas komedia...

“Rolet janë të gjithë të dashur, sepse i ke bërë me dashuri. Ndjen keqardhje kur shkëputesh nga to, kur pjesa mbaron. Megjithatë për mua rolet janë si fëmijët, nuk mund t'i veçosh, duke thënë ky është i mirë dhe ky jo… Me fat do thosha që kam interpretuar “Çobo Rrapushin” e një grup fabulash të  tjera, për të cilat mund të them se më mirë tashmë i njeh spektatori sesa unë”, thotë aktori.

Janë më pak se çdo të kishte mundur të bënte, rolet e Luftar Pajës në kinematografi, e megjithatë ai e ka provuar ndjesinë e të xhiruarit në të dyja kohët. Flet ‘pa dorashka’ për vështirësitë teknike që hasnin në diktaturë, ku krahas filmit e teatrit u duhej, siç thosh ai, të shkoje në repart, në ndërmarrje e mbrëmjeve të mblidhje forcat e rindizje dritat e pasionit për skenën, për të interpretuar, apo të nesërmen të përqëndroheshe në xhirimet e radhës…

“Nëse në kohën time, time apo tonën, të atyre viteve, kanë qenë kryesisht xhirime realiste, nuk është se atëherë s’ka pas truke, pasi ka pas, por xhirimet bëheshin në kushte të vështira, si në dimër edhe në verë. Për shembull te filmi "Gunat për mbi tela" unë kam mbajt gunat tre muaj veshur në qershor, korrik dhe gusht. Që nëse nuk do të ishte deti, do kishim zënë parazit. Ndërsa sot teknika është zhvilluar, interpretimi është shumë më komod se në ato vite tonat”, thotë aktori.

Një nga momentet më të vështira ai e kujton pikërisht tek filmi “Guna përmbi tela” të Muharrem Fejzos, teksa ishin përballë kameras të Ilia Tërpinit.

'Dihet se filmat ndahen me episode. Në një moment na duhej që njerëzit të betoheshin për të shporrur fashizmin në atë kohë. Dhe ai episod kërkonte mbi 800 figurantë. Kjo ndodhi në një fshat që quhej Çerisht, në rrethin e Vlorës. Mirëpo, një ushtri e tërë me 800 veta është e vështirë për t'u menaxhuar, pasi sa fliste regjisori, dikush kishte vajtur e kishte luajtur baterinë. Dhe kështu gropat që ishin vendosur për të komanduar shpërthenin dhe plagosnin dhe njerëz. Një i moshuar që kishte ardhur si figurant, erdhi edhe po dëgjonte me vëmendje ç’bisedohej, i shkreti. Në këtë kohë plasi gropa dhe ai u dëmtua, duke rënë përtokë. E marr dhe e çoj në spitalin e Vlorës. Pas 30 minutash po i nipi i atij u vra.”, thotë ai.

Vetë regjisori në kujtimet e tij e ka konsideruar këtë film si ‘të rrezikshëm’, ndërsa errësira e numri i madh i figurantëve e bënte me të vështirë menaxhimin e mizansenave të improvizuara.

“Dështoi ai episod! Mandej ishte rezervë episodi që unë si Velo, si personazh që isha, vete gjej një mitraloz që e kishte lënë italiani atje dhe po e shikoja sesi shkrepet e sesi bëhet. Gjatë kësaj kohe dy metra larg meje ishin figurantët italianë që do vepronin, mirëpo në mjegull e sipër dikush e shkrepi pushkën dhe më goditi mua në sy. Mbaj mend që rashë përtokë, madje kam dhe ca shenja nga ai film. Ishin fishekë manovër, ciflat më goditën dhe më e keqja është se mua më ra barut në sy dhe më humbi 70 për qind e syrit. Vajta në spital në Vlorë, mirëpo gjatë kohës që na transportonin ne, qytetarët pyesnin: "Çfarë bëhet më Çerisht, bëhet luftë vërtet?" Kështu që frenuan dhe pak njerëzit, stepeshin, thoshin: ‘Nuk vemi në film që të lëmë eshtrat”. Pra, ka pasur dhe incidente të tilla”, thotë më tej.

Për çdo film, mund të rrinte të rrëfente me orë të tëra Luftar Paja, deri tek më i fundit që po xhiron. “Vdekja le të presë” me regji të Edmond Topit, e emrat më të njohur të kinematografisë si Tinka Kurti, Margarita Xhepa apo Reshat Arbana.

“Xhirimet jane pothuajse në fund. Regjisor kemi Edmond Topin, që për mua është një djalë punëtor e me talent. Mendoj se pas serisë së parë që u mirëprit nga publiku dhe kjo do të mirëpritet, se unë u jam bashkuar kolosëve të artit, si Reshat Arbana, Margarita Xhepa, Tina Kurti etj. Atmosfera ka qenë shumë e mirë. Pasi nëse nuk ka atmosferë nuk ka rezultat!”, thotë ai.

Në këtë film merr pjesë edhe i biri Gazmend Paja, që siç rrëfen, në aktrim, e ka lënë të ecë  i pavarur, duke i mëshuar faktit se aktor nuk do ta bënte një diplomë tek ‘Artet’, por, para do ta kishte rrugën e gjatë e të vështirë, ku gjurmë mund të linte vetëm puna, talenti, pa lënë mënjanë humanizmin. Të njëjtat porosi ka në këtë ditë Luftar Paja edhe për të rinjtë.

“Porosia ime, që ma kanë dhënë dhe mua të tjerët është që brezi sot duhet të dëgjojë më shumë, të studiojë më shumë, sepse në këto kohë i kushtojnë vëmendje më shumë disa gjërave të padobishme, sesa asaj që është e dobishme. Për shembull i kam thënë djalit tim, mëso sa më shumë, qoftë nga të mirat, por edhe nga disfatat e të tjerëve. Mëso sa më shumë! I kam thënë që "Mos u mburr me koburen e babait, se babai e ka shkrepur për vete. Mburru me koburen tënde". Këto janë dhe porositë që mund t'i jap brezit të ri unë. Secili duhet të krijojë të ardhmen me armën e tij dhe jo të të tjerëve. Iku koha kur thuhej, se “rrjedh nga një familje kështu apo ashtu”. Sot njerëzit duhet të jenë të pavarur në krijimtari, që të jenë të dobishëm”, rrëfen Paja.

Ndihet i përmbushur Luftar Paja, me dy djemtë e tij Sokolin e Gazin, bashkëshorten Qamilen, të cilës i dedikon në këtë periudhë gjithë mbështetjen e përkushtimin e tij duke lënë kështu mënjanë edhe role që i ofrojnë. Edhe në këtë aspekt, i ka prekur të gjitha kostelacionet teatrale e kinematografike në vend, ndonëse nëpër mend i kalon dhe një rol ende i parealizuar.

“Artisti në vetvete ka dhe pishmanllëqe. Unë për shembull, duke parë fizionominë, përgatitjen etj., çdo element që i duhet një roli, do të doja që të merrja pjesë te ‘Gomari i Babatasit’”, thotë ai.

Në moshë të thyer, tek ka prekur 82-vjet jetë, Luftar Pajës i dhëmb zbehja e skenës teatrore në vend, veçmas kur flitet për Fierin e tij.

“Kam një peng, që politika sot duhet medoemos ta rregullojë këtë punë. Pasi mund të bësh rikonstruksione teatrosh në Fier, Vlorë etj., por mendimi im është që jo të bëjmë rikonstruksione teatrosh me boshllëqe, pa personazhe brenda. Për shembull Teatri i Fierit është ri konstruktuar, por ka një jetë artistike shumë të vakët. Unë nuk dëshiroj ta them pranoj këtë, por ai qytet që është shumë artdashës, duhet të ketë një teatër dhe estradë moderne dhe me bazament. Duhet të shpërndajë përvojën e mirë dhe të brezave që kanë punuar aty”, shton aktori.

Vëmendje ai kërkon edhe sa i përket kinematografisë, thotë se brezat që vijnë, në vend të luftojnë me prodhimet e së kaluarës, të përpiqen të mësojnë prej tyre e të lënë gjurmë të reja me vlera artistike…

“Historia është histori! Epokat janë epoka!. Koha 50-vjeçare, pavarësisht se kush sundoi, është koha që kanë derdhur kontribut breza të tërë. Dhe historia nuk mund të mohohet. Ndryshe dalim te konkluzioni, se Hitleri dhe Duçja duhet të fshihen nga historia. Jo! Mendoj se duhet t'u tregojmë brezave se kush ka qene Lenini, Stalini, Duçja dhe Enveri.  Këto pasqyrojnë historinë dhe historia nuk pasqyrohet vetëm në abstraksion, por edhe konkretisht. Kështu që disa filma nuk mund të hiqen pasi dëshiroj unë apo dikush tjetër. Por, shoqëria ka çfarë mëson nga ky film apo nuk ka? Kaq!”, thotë ai.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion