SPECIALE/ Sezoni sfidues i vjeljes së ullinjve! Mungesa e punëtorëve dhe tregu informal vendas, zhgënjimi i përvitshëm i fermerëve

Është koha e vjeljes dhe përpunimit të ullinjve për vaj. Në zona të ndryshme të Shqipërisë fermerët kanë nisur punën. Por sa i mbarë është ky sezon për ta?

Shkuam në njësinë administrative Golem, ku kultivohen mbi 90 mijë rrënjë ullinj. Sipas fermerëve të zonës kodrinore të Lushnjës prodhimi i këtij viti bujqësor është i kënaqshëm dhe cilësia e vajit tepër e lartë por periudha e vjeljes është e vështirë, pasi kërkon fuqi punëtore dhe ne fshat kanë mbetur kryesisht mosha e tretë.

Yzedin e Bujare Toska mbështeten vetëm tek njëri tjetri në kohën e vjeljes së ullinjve. Besojnë ende në forcat e tyre edhe pse i kanë kaluar të 60-at.

“Ne të dy, burrë e grua po i vjelim ullinjtë se punëtorë s’ka por dhe ata punëtorë që janë duan nga 30 mijë lek në ditë”.

Fëmijët kanë emigruar dhe nuk kanë mundësi t’u vijnë në ndihmë në periudhën e vjeljes por kanë mundur t’u sigurojnë treg nëse mbetet pa shitur vaji i ullirit.

“Fëmijët i kemi në kurbet, por ata na ndihmojnë sepse kur s’mundemi ta shesim vajin, fëmijët e marrin me autobusë dhe e shesin andej”, thanë fermerët, Yzedin dhe Bujare Toska.

Vakumin e fuqisë punëtore e plotësojnë disa të rinj që kanë lënë emigracionin duke krijuar brigada të vogla me 5 - 6 persona për vjeljen e ullinjve me mekanikë të specializuar dhe fermerëve u duhet të zënë radhën për vjeljen e ullinjve.

“Ne jemi mbledh 6 veta kemi formuar një grup pune dhe punojmë gjatë sezonit. Ka shumë punë, s’dimë ku të shkojmë më parë”, tha Vilson Çela, punëtor.

Por jo të gjithë fermerët mund të përballojnë çmimin e brigadave të vjeljes së ullinjve.

“Punëtorët e brigadës kërkojnë 25 mijë lek për të vjelë 1 kuintal ullinj! 10 mijë lek i do fabrika, 5 mijë transporti. Çfarë më mbetet mua pastaj?!”, tha fermeri Miti Çapuni.

Sokol Hajdari, një i ri që ka ardhur nga emigracioni për të ndihmuar familjen, po përballet me vështirësitë e vjeljes së rreth 1500 rrënjëve ullinj.

Në këtë njësi administrative ushtrojnë aktivitetin 6 punishte vaji. Pronari i njërës prej tyre, Refit Çela thotë se ka një teknologji të veçantë për thyerjen me gurë të ullirit dhe bërjen e vajit me kanistra e presa mekanike, çka rrit cilësinë e vajit.

Sa i përket tregut, ai thotë se mënyra e vetme për t'u ardhur në ndihmë fermerëve është lidhja e kontratave qoftë me individë privatë apo tregtare te mëdhenj.

“Duhet të bëhen kontrata me fermerët për shitjen e vajit sepse aktualisht shkon me bidonë jashtë vendit përmes agjencive turistike”, tha Refit Çela, përpunues. 

Në nisje të sezonit një kg ullinj tregtohet me 80 deri në 120 lekë ndërsa një litër vaji me 650 deri në 700 lekë për litër.

Me 600 mijë rrënjë ullinj, Cakrani i Fierit është një ndër prodhuesit dhe eksportuesit më të mëdhenj të vajit të ullirit. Kërkesat e tregut janë të larta për llojin e vajit që prodhojnë varietet e ullinjve të Cakranit.

"Vaji ulliri Kalinjot që është më i miri shitet me 150-160 mijë lek/ kuintali. Kemi shpresa se eksporti do të jetë mirë", tha Avni Mecaj. 

"Kam  400 rrënjë ullinj dhe i kam në gjendje te mire. Kam klientë nga Tirana që ma kërkojnë vajin", tha Enver Ramaj. 

Kujtim Xhelali, pronar i një fabrike në Cakran thotë se aktualisht po e grumbullon ullirin nga fermerët me 70 deri në 80 lek për kg, ndërsa shitja e vajit nuk ka nisur ende.

“Ullinjtë i marr me 700 lek - 800 lek për kg, kjo varet nga varieteti i ullirit. Ndërsa çmimi i vajit do përcaktohet në bazë të çmimit në Evropë. Psh Italia sot për sot  po e kërkon vajin me 650 lekë/kg, mund të ketë rritje çmimi.”. 

Fermerët pasi prodhojnë vajin e ullirit e dorëzojnë në pikat e grumbullimit dhe përpunimit, të cilat e bëjnë gati për eksport. Kompanitë e huaja tregtare pasi kryejnë analizat për cilësinë, vijnë me mjetet e tyre tip “bot” dhe furnizohen direkt në fabrikat e Cakranit.

Tregu i vajit të ullirit është plotësisht i siguruar në Itali dhe Greqi. Vitin e kaluar në këtë zonë u prodhuan 10 mijë ton. Gjithë ky vaj shkoi për eksport. Fabrikat janë të lidhura me sipërmarrësit e huajit kryesisht nga Italia.

“Ne për eksportimin e vajit nuk kemi më problem pasi doganat janë zeruar pra nuk paguajmë taksa fare dhe me kartë fermeri shkon boti ne Itali. Jemi të lirshëm dhe nuk kemi patur pengesa në këtë drejtim. Kemi shitur dhe në Greqi por më shumë mbizotëron tregu italian”.

Në këtë zone operojnë 11 fabrika për përpunimin e vajit të ullirit, ku pjesa më e madhe e tyre kanë kontrata me grumbulluesit italianë.

Por në Cakran të Fierit nuk mungojnë as tregtarët vendas.

"Jemi tregtare nga Fushë- Kruja pothuajse vijmë për çdo vit në këtë zonë. Arsyeja perse vijmë në këtë zonë është sepse ka plantacione  me ullishte shekullor dhe kur është ulliri shekullor  nxjerrë vaji më të mirë”, tha Agron Ceno. 

Çmimi i lartë në tregun botëror të vajit të ullirit vitet e fundit ka rritur kërkesat për eksport, duke ndikuar edhe në rritjen e çmimeve.

Në janar 2024, vaji i ullirit në BE kushtonte 50% më shumë se në janar 2023.

Ndryshimi i klimës, zjarret masive që kanë prekur hektarë të tërë me ullinj dhe një prodhim më i dobët nga vendet kryesore si Italia, Greqia dhe Spanja ka bërë që vaji i ullirit të kthehet në “arin” e ri të tregut ushqimor, ndërsa vendet luftojnë për të marrë sasitë e duhura.

Fshati Panaja në Dhërmi dhe gjithë zona përreth është i njohur për varietetet e ndryshme të ullirit. 20% më shumë prodhim kanë mundur të sigurojnë fermerët këtë vit krahasuar me të njëjtën periudhë në 2023-shin.

Të njëjtin shqetësim me fermerët e tjerë të ullirit në Shqipëri kanë edhe ata të Panajasë: mungesa e fuqisë punëtore. Sipas fermerëve i gjithë bregdeti i jugut ka shumë prodhimi këtë vit, që nga Dhërmiu e deri në Lukovë. Ata specifikojnë varietetet ekstra jo vetëm për cilësinë por edhe për vlerat kurative.

Ndryshe nga zona të tjera të Shqipërisë, vitet e fundit prodhimi i ullinjve në zonën e Bilçës në Berat pësuar ka rënie krahasuar tre vite më parë kur njohu pikun e prodhimit. Përpos thatësirës ka ndikuar mungesa e shërbimeve. Në fshat ka mbetur vetëm mosha e tretë që nuk mund të përballojë koston e prodhimit për shkak të rritjes së çmimit për plehrat kimikë dhe agregatet.

Agronomi Fitim Zaimi, njëherësh banor i zonës thotë se duhen rritur subvencionet në mënyrë që të motivohen të rinjtë për t’iu kthyer kulturës së ullirit.

“Jepet vetëm nafta s’ka tjetër prandaj fermeri është tërhequr nga puna, po nuk pati të ardhura të kënaqshme nga ulliri nuk u bën zemra të punojnë. Ne na konkurrojnë prodhimet nga jashtë sepse ata subvencionohen. Duhet të merret për bazë prodhimi! Nëse prodhon për shembull 100 kuintal duhet të marrësh të paktën 2 ose 3 milion lekë (të vjetra) subvencione që të kompensojë një pjesë e shpenzimeve. Shteti duhet të kthejë sytë nga bujqësia nga fermeri ti ndihmoj nëpërmjet skemave të subvencionit nëpërmjet skemave tjera ndihmëse”, shprehet Fitim Zaimi agronom.

Ndërsa fermeri Kujtim Kërkuta tha për Report Tv se aktualisht ullinjte e tavolinës shiten me 80 lek për kg, çmim ky që nuk justifikon koston e lartë të prodhimit.

“Tregtarët e kërkojnë me çmim 80 lek kg nuk justifikon harxhimin që ne bëjmë plehrat krasitjet krahun e punës janë rritur çmimet plehrave punimit spërkatjes nuk justifikon. Unë jam moshatar jam i vjetër nuk e vjel dot vet duhet krahu punës është në mungesë”, tha Kujtim Kërtusha, fermer.

Vetëm fshati Bilçë në Berat llogarit mbi 2500 rrënjë ulliri por sipas fermerëve duhet shumë punë që të realizosh prodhim të mirë e të bollshëm.

Nga viti në vit kërkesat e fermerëve të ullirit mbeten pothuajse të njëjtat. Rregullimi i tregut informal brenda vendit dhe mungesës së fuqisë punëtore.

SI.E./E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Pet.: 26/10/2024 16:59

    Bujqve u qofte puna e mbare dhe marrshin hakun e punes se tyre, Por ama mos te bejne viktimen duke thene se dalin me humbje, 6 kg ullinj kokerr duhet per 1 liter vaj. Pra kostoja eshte 260-270 leke. Te tjerat jane fitim i merituar.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?