SPECIALE/ Të gjithë flamujt e ngritur në Luginën e Valbonës, pikëtakimi i të huajve me natyrën dhe shqiptarët e maleve

Po udhëtojmë drejt Luginës së Valbonës që ndodhet brenda Parkut Kombëtar të Alpeve Shqiptare, të mbuluara me borë edhe pse jemi në stinën e verës.

Lugina e Valbonës ndodhet në pjesën më veriore të vendit, në rrethin e Tropojës. Janë tre rrugët që të çojnë drejt saj.

Për ata që nisen nga Tirana, shoqërues të udhëtimit do të kenë lumin Drin deri në Tropojë.

Ndalesa e radhës është Bajram Curri, qendra më e rëndësishme administrative dhe funksionale e rrethit te Tropojës.

Valbona ndodhet 25 km larg Bajram Currit. Për të mbërritur turistët përballen me bukuritë e lundrimit me tragetin Koman-Fierzë që paraqet një atraksion të vërtetë turistik për këdo që viziton Valbonën në të katër stinët e vitit.

Ndërsa dy rrugët e tjera përshkohen përmes dy pika kufitare Shqipëri-Kosovë. Atë të Morinit dhe Qafë –Morinit. Nga Kukësi, Hasi, Tropojë e Vjetër, Valbonë dhe tjetra nga Kukësi, Prizreni, Gjakovë, Valbonë.

Pasi kalon kufirin vetëm disa metra  të shfaqen pamjet mahnitëse që nisin me Kanionin e Shoshanit, pasohen nga gryka e ngushtë me shpate të thepisura e Klisyrës. Grykës së Dragobisë e Qukut të Dunishës. Nga hyrja në kanionin e Shoshanit e deri në Valbonë, udhëtimi kalon nëpërmjet një lugine të ngushte, ku në të dyja anët e saj ka shpate shkëmbore dhe pyje me ah e bredh, ndërsa në rrugën drejt Valbonës po shtrihet edhe rrjeti i tensionit të lartë për përcjelljen e energjisë elektrike i munguar prej vitesh.

Rruga përshkohet nga turistë të shumtë vendas e të huaj me biçikleta, motorë, në këmbë nga të apasionuarit pas ecjes por edhe me kampera si çifti francez që takuam në rrugë.

Më sipër shfaqet fshati Dragobi, më i madhi i zonës, me kulla prej guri 100 e 200 vjeçare, madje dhe më të vjetra.

Shtëpitë karakteristike prej guri, me çati të pjerrëta, e ruajnë akoma konstruktin tradicional të krahinës. Për turistët e rëndësishme është ruajtja e natyrës së virgjër dhe banesave të vjetra që të shëtisin në historinë e zonës.

Valbona ka mahnitur shumë vizitorë të huaj, të cilët për të pranuar magjepsjen, janë kthyer ta vizitojnë sërish por edhe nga mjaft shqiptarë, të ngopur me detin e të etur për aventurë.

Kemi mbërritur në Luginën e Valbonës ku ngado sheh turistë të vendeve të ndryshme të cilët parapëlqejnë të njihen edhe me zakonet apo traditat e fshatrave më veriorë të vendit.

Lugina e Valbonës është zona turistike më e vizituar në rrethin e Tropojës, madje nga më të vizituarat në Alpet shqiptare pas luginës së Thethit. Shtrihet në qendër të Alpeve Shqiptare. Lugina e Valbonës ka statusin e Parkut Nacional dhe përfshihet në një sipërfaqe prej 8.000 hektarësh. Natyra e këtij parku është e pasur me varietete të përshtatshme për turizëm, peshkim e alpinizëm.

Suzana dhe një grup miqsh të saj kanë ardhur me motorë nga Austria. Për ta alpet shqiptare janë shumë ndryshe nga malet e vendit nga vijnë. Për ata edhe buzëqeshja e mikpritësve është për t’u vlerësuar.

Valbona ka shtëpi tip alpin dhe shtrihet nga Kikat deri afër Fushës së Gjese. Çdo vit numri i vizitorëve vendas dhe të huaj ka pësuar rritje. Në Valbonë nuk ka hotel të mirëfilltë, por disa shtëpi-kulla karakteristike, janë përshtatur sipas traditës në hotele për turistët.

Çmimet e fjetjes dhe ushqimit janë të arsyeshme. Shtëpitë e banorëve janë të hapura për mysafirët, siç dëshirojnë ti quajnë turistët dhe vizitorët, banorët vendas. Tashmë, kullat janë restauruar ku akomodohen vizitorët e shumtë që shkelin Valbonën edhe në këto ditë të nxehta vere.

Valbona është e njohur për shtigjet e saj të shumta të ecjes dhe alpinizmit, të cilat ofrojnë nivele të ndryshme sfidash, pasi ka numrin më të madh të majave me mesataren mbi 2 mijë metra në Shqipëri të mbledhura të gjitha në Alpet rreth saj.

Prej këtyre majave dallojnë: “Maja e Çet-Harushës” (2,042 m), “Maja e Çeremit/Gjarprit” (2,213 m), “Maja e Ismet Sali-Bruçajt” (2,235 m), “Maja e Thatë” (2,406 m), “Maja e Peçmarës” (2,424 m), “Maja e Kollatës” (2,554 m), “Maja e Zezë” (2,585 m) dhe mbi të gjitha “Maja e Jezercës” (2,694 m), që ofron një nga sprovat më të mëdha të dashamirësve të ngitjeve në Shqipëri.

Një ndër pikat më të popullarizuara është shtegu Valbonë-Theth, i cili lidh dy nga lugët më të bukura në Shqipëri.

Carlo dhe bashkëshortja e tij kanë ardhur nga Parma, Itali. Ata janë të pasionuar pas ecjes në natyrë. Fillimisht zgjodhën të përshkojnë shtegun Theth – Valbonë. E më pas të njihen me gjithçka ofron jeta në këtë luginë.

Përveç vendeve që kemi treguar deri tani, natyra e Valbonës të ofron edhe pika të tjera për t’u vizituar si disa shpella interesante midis të cilave shpella e Bajram Currit, Liqeni i Xhemës, “Ura e të Shtrejtit”, shkëmbi i “Nuses së ngrime”, Quki i Dunishës, Kollata, e shumë të tjera, me vlera të jashtëzakonshme natyrore, turistike, kulturore e historike, që përbëjnë elementë thelbësorë të identitetit të Luginës së Valbonës.

Në zonën fundore të kësaj lugine fshati Rragam ruan surprizën e fundit.

Ujëvara e Valbonës:

Valbona buron rreth 5 kilometra në perëndim të Rragamit, fshatit të fundit të banuar në luginë. Rrugëtimi për të shkuar atje është mesatarisht i lehtë dhe këshillohet që të bëhet pas shkrirjes së borës në pranverë pasi në kohë të ftohtë terreni mund të bëhet tejet i vështirë për t’u kaluar.

Vlen të thuhet se uji i Valbonës buron kryesisht nga shkrirja e dëborës dhe për këtë në muajt e verës ujëvara i pakëson ndjeshëm prurjet.

Një grup motoristësh shqiptarë sapo e kanë përfunduar udhëtimin e tyre nëpër Valbonë.  Hera e parë për ta ishte si një ftesë për t’u rikthyer përsëri.

Kushdo që shkon në Valbonë njihet jo vetëm natyrën e egër por takon edhe shqiptarët e maleve.

K.M/A.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Finalja mes Spanjës dhe Anglisë, sipas jush kush e fiton Euro 2024?



×

Lajmi i fundit

Atentati ndaj Trump, reagojnë fëmijët e tij: Ai kurrë nuk do të ndalojë së luftuari

Atentati ndaj Trump, reagojnë fëmijët e tij: Ai kurrë nuk do të ndalojë së luftuari