Belshi u kthye në një qendër feste dhe emocionesh gjatë organizimit të Festës së Afërditës, një aktivitet që mblodhi qindra qytetarë, të rinj e vizitorë pranë bukurisë natyrore të liqenit të Seferanit.

Atmosfera festive nisi që në orët e para të ditës buzë liqenit, ku u zhvilluan aktivitete të shumta artistike dhe kulturore.

Nxënësit e shkollave të Bashkisë Belsh sollën një program të pasur me kërcime, recitime dhe valle tradicionale, duke përcjellë energji, talent dhe krenari për traditat shqiptare. Performancat e tyre u duartrokitën gjatë nga publiku, duke i dhënë festës një atmosferë plot gjallëri dhe emocion.

Festa kulmoi në mbrëmje me një koncert madhështor nga artistë të njohur të muzikës shqiptare. Në skenën e ngritur pranë liqenit performuan Sokol Fejza, Petro Fejza, Ana Tafani, Kastriot Tusha dhe Irkenc Hyka, të cilët elektrizuan publikun me hitet dhe interpretimet e tyre.

Një nga momentet më të veçanta të mbrëmjes ishte sfilata e vajzave pjesëmarrëse për zgjedhjen e “Miss Afërdita”, ku eleganca, hijeshia dhe prezantimi i tyre tërhoqën vëmendjen e të gjithëve. Në përfundim të konkursit dhe nga juria, kurora e “Miss Afërdita 2026” iu dha vajzës së re Majlinda Paja, e cila spikati për bukurinë dhe paraqitjen e saj .

Këngët, vallet dhe atmosfera festive vazhduan deri në orët e vona, duke e kthyer këtë festë në një nga aktivitetet më të bukura të sezonit në Belsh.
Festa e Afërditës dëshmoi edhe një herë rëndësinë e promovimit të kulturës, traditës dhe turizmit lokal, duke e bërë Belshin një destinacion gjithnjë e më të dashur për vizitorët.