Stuhitë e shiut nuk po lënë grurin të piqet.... Fermerët e fshatrave Grecalli dhe Mujalli në Fier thanë se ende nuk kanë filluar korrjen për shkak të kohës me lagështi, jo normale për sezonin.

“Klima ndikon negativisht në korrjen e grurit, bie rendimenti. Janë faktorët e natyrës ato që ndikojnë. Korja duhet të kishte filluar, por kjo varet nga koha, pra janë faktorët e natyrës ato që ndikojnë që të mos fillojë korja. Mbin gruri në kalli e lag shiu dhe i rri i lagur dhe është shumë i ndjeshëm ai nga lagështia kokrra e grurit. Pastaj kalliri shkrepet e tund era dhe bie poshtë”.

“Për grurin janë shumë faktorë që ndikojnë. E ka dhënë tërë javën shi. Ai pak grurë do të bjerë përdhe”, thotë një fermer tjetër.

Fermerët thanë se këtë vit kanë pasur dëme dhe nga karkaleci i tokës dhe minjtë e arave.

“Miu i dëmton shumë, miu i arave. Ti e mbjell jonxhën ai e ngre dheun dhe ha rrënjët e jonxhës. Karkaleci, miu etj ka shumë faktorë bujqësia”, thotë fermeri

Fermerët ankohen për mungesë vëmendje nga Ministria e Bujqësisë e cila nuk kryen në kohën e duhur spërkatjen e tokave dhe as nuk kompenson ata kur prodhimi dëmtohet nga faktorët natyrorë.

Pasi karkaleci i tokës bëri kërdinë në të mbjella, Ministria e Bujqësisë ndërhyri sot në Lushnje, për të shpëtuar së paku perimet.

“Jemi në fazën e duhur të trajtimit të dëmtuesit karkalec, ku ai është në fazën e parë, të dytë dhe të tretë të fazës larvore. Trajtimi që po kryhet , mendojmë se rezultati do të jetë 100%”, tha Jetmir Meta, specialist.

Më herët është kryer spërkatja në zonën e Belshit, ndërsa ende nuk ka nisur në fusha të tjera ku fermerët ankohen për infektimin e qindra hektarë toke.