Elisa Spiropali dhe Glauk Konjufca kryejnë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka nisur vizitën e saj zyrtare në Kosovë. 

Spiropali, së bashku me Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin për Punët e Jashtme dhe Diasporën të Kosovës, Glauk Konjufca, kryen homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, aty ku sakrifica e një familjeje u kthye në themel të një shteti.

Të dy ministrat u pritën më pas në Kullën e Jasharajve, prej Bacë Rifat Jasharit. Sipas ministres, kjo kullë është dëshmi se liria ka pasur çmim dhe ai çmim është paguar me jetë.

"Këtu ndjen peshën e historisë, por edhe përgjegjësinë e së ardhmes. Liria nuk është trashëgimi automatike. Ajo kërkon dinjitet, unitet dhe drejtësi çdo ditë. Prekazi nuk na kërkon lot. Na kërkon që të jemi të denjë", tha Spiropali.


Lajmi kryesor:

Spiropali nis vizitën në Kosovë! Kryen homazhe me Konjufcën në Kompleksin Memorial "Adem Jashari"