TIRANE- Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë diskutoi sot në prani të Ministrit të Mbrojtjes Arben Imami si dhe ministrit të Shëndetësisë Vangjel Tavo lidhur me problemet e Spitalit Ushtarak dhe veçanërisht për qendrën e traumës dhe e terapisë intensive, ku sipas një marrvëshjeje mes dy ministrive ky repart do të kalojë në varësinë e Ministrisë së Shëndetësisë. Opozita nga ana e saj akuzoi ministrin Imami se po mundohet që të privatizojë godinën, ku më parë ka qenë reparti i traumatologjisë si dhe ka shpërdoruar fondet për përmirësimin e shërbimit shëndetësor në këtë spital. “Në vitin 2002 ju keni përfituar nga një master plan i qeverisë norvegjeze plot 150 mijë dollarë për të përmirësuar shërbimin në këtë spital, gjë që nuk ka ndodhur. Duam të dimë se çfarë do të bëhet me ambinetet e këtij spitali pas largimit të traumatologjisë? Çfarë do bëhet me personelin? Sa do jenë efektet financiare nga kalimi i Ministrisë së Mbrojtjes në atë të Shëndetësisë?”, i është drejtuar deputeti Eltar Deda ministrit Imami. Në kundërpërgjigje të tij ministri i Mbrojtjes theksoi se asnjë nuk do të ndryshojë në këtë repart përveçse varësisë administrative. “Ne kemi bërë gjithçka që mundim dhe do vazhdojmë deri në fund, por ajo që unë dua të them është që Ministria e Mbrojtjes nuk ka kapacitete për të zhvilluar politika afatgjata në fushën e shëndetësisë. Ne zhvillojmë politika afatgjata në fushën e Mbrojtjes dhe të të Sigurisë. Për këtë arsye para dy vjetësh kemi ushtruar një kontroll të përbashkët në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, në mënyrë që ne të shikonim aspektet administrative dhe të tjera që lidhen me rregullin e disiplinen, siç lidhen me rregullin ushtarak. Kurse Ministria e Shëndetësisë të bëjë kontrollin nga pikpamja e përmbajtjes profesionale”, tha Imami.

PROPOZIMI PËR 2 QENDRA TRAUMATOLOGJIKE
Ka qenë nëkryetari i komisionit, Tritan Shehu ai që ka propozuar që në Tiranë të mos jetë vetëm një qendër për traumatologjinë, por të ngrihet dhe një tjetër duke iu referuar shtimit të rasteve. “Unë jam dakort që kjo varësi të kryhet, por mund të them që Tirana ka nevojë për 2 qendra të traumatologjisë. Po ashtu sygjeroj se do ishte diçka e mirë që të ketë spitale të traumatologjisë edhe në spitale rajonale”, tha deputeti i PD.

Lidhur me vartësinë e kësaj qendre, ministri Tavo u shpreh se kjo është në të mirë të shërbimit shëndetësor. “Nuk është momenti për të diskutuar mënyrën se si do të transferohet njësia e traumës nga vartësia e MM-së në vartësi të Ministrisë së Shëndetësisë, por mendoj se si iniciativë e Komisionit tuaj të Shëndetësisë vlen për t’u lavdëruar sepse është pikërisht momenti që duhet të diskutohet një gjë e tillë. Padyshim që kjo do të shoqërohet edhe me buxhetin përkatës që kërkon trauma”, tha Tavo.
(sg/shqiptarja.com)