Çdo luftë ka edhe anën e saj të fshehtë. Disa episode ndodhin para syve të të gjithëve, ndërsa të tjera mbeten të maskuara dhe të hapura për interpretime.

Përveç goditjeve ndaj qyteteve, pasdaranët iranianë kanë vënë në shënjestër edhe objektiva të veçantë. Mes tyre përmenden zyrat që strehojnë CIA-n në Riad të Arabisë Saudite, ndërtesa konsullore amerikane që mund të përdoren nga agjentë të inteligjencës, si dhe stacione radarësh jetike, duke nisur nga ato që mbështesin sistemet kundërraketore Thaad.

Sipas një raportimi ekskluziv të Washington Post, në këtë përplasje mund të ketë rol edhe Rusia. Moska dyshohet se po i jep Iranit të dhëna të sakta për vendosjen e forcave amerikane duke përdorur rrjetin e saj satelitor.

Roli i Kinës duket më në hije, edhe pse ajo mbetet furnizuese me pajisje. Një episod i veçantë lidhet me Qipron dhe sulmin ndaj bazës britanike në Akrotiri. Një dron i lëshuar nga Hezbollah-i libanez në emër të Teheranit hapi një vrimë në hangarin ku ndonjëherë vendoset U-2, avioni më i famshëm spiun amerikan. Pentagoni e ka përdorur shpesh këtë avion në ishull, një mjet që vazhdon të mbetet aktiv prej dekadash.

Edhe Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë kryer operacione të ngjashme për të dobësuar aparatin e sigurisë së Republikës Islamike, duke nisur nga selia qendrore e inteligjencës. Këto shkatërrime janë kryer nga aviacioni. Nuk ka informacione të sakta për rolin e sabotatorëve në terren apo të forcave speciale, megjithëse media izraelite kanë hedhur hipotezën për përdorimin e komandove brenda territorit iranian. Për këto lëvizje ka shumë rezervë dhe shpesh përhapen edhe zëra për të krijuar paqartësi. Sipas analizës, nuk përjashtohen edhe ndërhyrje nga grupe që i përkasin pakicave brenda Iranit.

Përveç mbrojtjes nga sulmet ajrore, palët përballen edhe në një duel mes agjentëve të tyre, nga Gjiri deri në Evropë. Në Londër janë ndaluar katër persona të dyshuar se mblidhnin informacione për objektiva brenda komunitetit hebre. Në Katar është zbuluar një qelizë e frymëzuar nga Irani që dyshohet se monitoronte bazën ajrore Al Udeid, e përdorur nga Forcat Ajrore amerikane. Tension i lartë raportohet edhe në Bahrein, ku prej kohësh pushteti qendror kundërshtohet nga popullsia shiite.

Autoritetet greke, nga ana tjetër, kanë ndaluar një shtetas gjeorgjiano-azer pranë portit Souda Bay në Kretë, një ndalesë e zakonshme për flotën e NATO-s. Ai kishte shumë fotografi të portit dhe rasti po hetohet nga njësitë kundër terrorizmit. Edhe në muajt e kaluar, shërbimet greke dhe qipriote kishin zbuluar persona të huaj me pajisje fotografike të fuqishme që vëzhgonin instalacione logjistike të përdorura nga aleatët.

Në atë kohë këto mund të dukeshin episode të vogla, por sulmi ndaj Akrotirit tregoi se edhe vëzhgues të tillë mund të luajnë rol kur fillojnë luftimet. Sipas analizës, Teherani kishte investuar prej kohësh në këtë lloj zbulimi duke përdorur tre kanale: Divizionin Qods të pasdaranëve, shërbimet e inteligjencës dhe bashkëpunëtorë të jashtëm që punojnë kundrejt pagesës.

Shërbimi izraelit Shin Bet ka zbuluar shumë prej këtyre rrjeteve, duke treguar sa lehtë mund të ndodhë infiltrimi. Nga ana tjetër, edhe rojet e revolucionit në Iran kanë zbuluar bashkëpunëtorë të kundërshtarëve dhe disa prej tyre janë ekzekutuar me varje.

Në këtë përplasje ka edhe dyshime të shumta. Disa burime arabe pretendojnë se disa nga sulmet ndaj vendeve të Gjirit nuk janë kryer nga Irani, por nga Mossad-i izraelit për të shtyrë qeveritë e rajonit drejt një reagimi ushtarak kundër Teheranit. Në zhargon këto operacione quhen “false flag”.

Ndërkohë, tensionet shihen edhe në Dubai. Emiratet e Bashkuara Arabe po shqyrtojnë mundësinë për të ngrirë miliarda dollarë pasuri iraniane të depozituara në Gjirin Persik. Po ashtu mund të goditen edhe kompani të lidhura me Teheranin, të cilat veprojnë si struktura të fshehta biznesi. Disa prej tyre janë përfshirë në tregti armësh, nafte dhe në skema për të shmangur embargon.

Sipas analizës, në këtë sistem kanë përfituar shumë aktorë: kompani lokale, biznese kineze, ruse apo koreano-veriore. Prej vitesh edhe amerikanët kanë ngritur një strukturë për të ndjekur këtë rrjet ekonomik. Herë pas here vendosen sanksione ose publikohen informacione për kompani të caktuara, por sistemi vazhdon të funksionojë sepse përfitimet janë të mëdha për shumë palë./CorrieredellaSera