Pas vrasjes së 33-vjeçarit Madrit UlqinakuElbasan dhe arratisjes së autorit të dyshuar, nënkomisarja e policisë së Elbasanit Anisa Kostani nuk ka kursyer gjuhën ofenduese ndaj gazetarëve për raportimet në lidhje me këtë ngjarje.

Fakti që nuk është gjetur dhe kapur ende autori i dyshuar, 18-vjeçari Horgito Peqini, sipas saj nuk është detaj që ul punën e bluve të Elbasanit, për të cilin pretedon se nuk kanë pasur asnjëherë kaq arritje sa sot. Ndërkohë që ka ardhur edhe reagimi zyrtar i policisë për postimin e Anisa Kostanit, e cila i cilëson gazetarët “të degjeneruar” që i kanë marrë “provimet nga profesora Don Zhuanë”. Madje në komentet poshtë psotimit efektivja edhe kërcënon duke thënë se gazetarët do përfundojnë nën rrota. 

Agjencia për Mbikëqyrjen Policore ka nisur hetimin administrativ për shkelje të etikës dhe rregullores për përdorimin e rrjeteve sociale nga policja Kostani. Report Tv mëson se efektivja, pjesë e sektorit të krimit ekonomik në drejtorinë e elbasanit është pezulluar me kërkesë te kryepolicit Nano nga detyra.

Nano i ka kërkuar AMP të hetojë Kostanin si dhe të kalojë në filter të gjitha rrjetet sociale të policëve të cilët shfaqin sjellje kundër etikës e rregullores së policisë. Anisa Kostani u bë e njohur në rrjete sociale pasi mban gjarprin si kafshë shtëpiake.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:58
‘Mua më ndal veç plumbi’, reagon sërish nënkomisarja e Elbasanit pasi u pezullua nga detyra (VIDEO)

 

Pas pezullimit nga detyra dhe nisjes së një hetimit të thelluar nga ana e Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, nënkomisarja Anisa Kostani ka reaguar sërish në rrjetet sociale.

Kostanit duket se nuk i bën përshtypje masa e marrë ndaj saj, ndërsa ka hedhur një postim në Instagram, me këngën e reperit “Unikkatil” në sfond. Policja e bërë e famshme për bashkëjetesën me gjarprin, ka publikuar një pjesë të këngës kur dëgjohet se reperi të këndojë frazën se e ‘ndal veç plumbi’.

‘Un jom ma i mallkumi; ma i paparashikumi; ai shqipja i përgjakshëm që mun me e nal veç plumi’.- thuhet ndër të tjera në këngën që ka publikuar Anisa Kostani.

Ora 13:12
Efektivja ofendoi gazetarët, Policia: Veprim aspak etik dhe profesional, mendimi personal nuk përfaqëson opinionin e uniformave blu

1660907601_Screenshot4.jpg

Veprimet e Anisa Kostanit, me detyrë nënkomisare e krimit ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit, janë aspak etike dhe profesionale. Ky është qëndrimi i Drejtorisë së përgjithshme të Policisë për ofendimet ndaj gazetarëve të efektives së policisë së Elbasanit.  

Në një reagim uniformat blu shprehen se qëndrimet e saj nuk janë kurrsesi opinioni i organizatës së Policisë së Shtetit.

“Me keqardhje ndoqëm reagimin aspak etik dhe profesional të një oficereje të Policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, e cila nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka fyer gazetarët, me pretendimin se gazetarët po përbaltin punën e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan. Përsa më sipër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka pezulluar menjëherë nga detyra oficeren e Policisë, Nënkomisare Anisa Kostani dhe ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të nisur hetimin disiplinor ndaj kësaj oficereje, për shkelje të rëndë të Rregullores së Policisë së Shtetit, miratuar me VKM nr. 750 datë 16.09.2015, konkretisht të nenit 209, pika 1 “Shkelja e rëndë e atributeve/kompetencave të policisë pa ndonjë arsye bindëse, nuk i përmbush apo dështon në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të caktuara, të cilat kanë shkaktuar pasoja të rënda në kryerjen e detyrave”.

Sqarojmë opinionin publik se mendimet dhe opinionet personale të punonjësve të Policisë nuk përfaqësojnë në asnjë rrethanë, mendimet dhe opinionet e organizatës së Policisë së Shtetit, e cila ka një sektor të posaçëm, përmes të cilit komunikon zyrtarisht me median dhe publikun.

Policia e Shtetit është e bindur dhe e vendosur për të krijuar një marrëdhënie partneriteti dhe oponence me median, bazuar në respektin reciprok dhe në të vërtetën. Policia e Shtetit falënderon gazetarët për punën e tyre në drejtim të informimit të publikut në lidhje me veprimtarinë e organizatës së Policisë së Shtetit dhe kërkon mirëkuptimin e tyre që raste sporadike të mos cenojnë marrëdhëniet korrekte mes gazetarëve dhe Policisë së Shtetit”, thuhet në reagimin e Drejtorisë së Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.