TIRANË, 27 Prill / ATSH / - Kampionati Kombëtar i Basketbollit për Femra do t'i shkojë deri në fund kalendarit të "play-off"-it final, pasi Flamurtari e ka fituar ndeshjen e katërt ndaj Apolonisë, duke e barazuar rezultatin e përgjithshëm në 2-2 dhe duke bërë kështu që titulli "kampion" të vendoset në Durrës, që është në fakt edhe shtëpia e adoptuar e skuadrës fierake për shkak të mungesës së një Pallati Sporti në qytetin e saj.
Vlonjatet e trajnerit Viron Toska e kanë fituar ndeshjen e 4-t, të luajtur në Pallatin e Sportit "Flamurtari" me rezultatin 68-57. Në 10-minutëshin e parë, vlonjatet fituan me 10 pikë epërsi, 23-13, duke vijuar ta ruajnë këtë diktat, pavarwsisht se fieraket fituan pjesën e dytë.
Skuadra e drejtuar nga veterani Astrit Greva e ka fituar 10-minutëshin e dytë, 16-10, por në pushim të ndeshjes janë vlonjatet që mbeten në kryesim, 33-29. Dhe, duke u kthyer nga dhomat e zhveshjeve, Flamurtari nuk lëshon më pé, duke e fituar pjesën e tretë me shifrat 21-17 dhe atë të katërtën 14-11, dhe gjithë ndeshjen me rezultatin e përgjithshëm 68-57.
Basketbollistet vendase kanë patur pak vështirësi vetëm në 10 minutat e dyta të sfidës, ku vajzat fierake kanë shënuar më tepër pikë. Enxhi Xhanaj nuk ka mundur t'i japë fitoren Apolonisë edhe pse ka realizuar 32 pikë më shumë se i gjithë ekipi i marrë së bashku. Ndeshja e fundit, ku do të njohim skuadrën më të mirë të këtij sezoni, do të zhvillohet të mërkurën në "Ramazan Njala", Durrës.
/k.m//a.ke/