DURRES, 28 shkurt /ATSH- G. Kabashi/. - Shoqata e veteranëve të notit dhe Federata Shqiptare e Notit kanë nderuar ditën e premte notarin e shquar durrsak, Meriban Kadiu, me dy tituj të tjerë. Veteranët e sportit kanë festuar së bashku me Meriban Kadiun, kampionin e përjetshëm të notit.
Prefekti i qarkut të Durrësit, Rolant Xhelilaj, i ka dorëzuar notarit veteran Çmimin e Karrierës, duke kujtuar se Meriban Kadiu vazhdon të notojë edhe tani që kaluar të 82 vjetët. Më pas, presidenti i FSHN, Agim Çiraku, i ka dorëzuar Çmimin e Notarit të Cilësisë së Artë.
Çiraku vlerësoi veprimtarinë e Meriban Kadiut si nxitës i veteranëve të notit dhe qytetarëve të tjerë të moshuar drejt sporteve që zhvillohen në natyrë dhe veçanërisht atyre të ujit. Në takim e kanë marrë fjalën bashkëqytetarë, veteranë të sportit dhe intelektualë të qytetit të Durrësit si, Bardhyl Agasi, Bujar Qesja, Pirro Qerimi, Emin Lishi, etj.
Nga 1948 deri në vitin 1966 kur u tërhoq nga garat zyrtare, Meriban Kadiu ka koleksionuar 38 medalje, duke u shpallur shumë herë kampion dhe rekordmen kombëtar. Meriban Kadiu që nga viti 1998 është pjesmarrës aktiv i të gjitha garave të veteranëve të ujit në vendin tonë, duke i shtuar edhe 20 kupa të tjera këndit të trofeve, një nga dhuratat më të bukura që ka marrë në jetën e tij.
Gjatë takimit të se premtes shumëkush ka ndaluar gjatë para stendave me fotografitë e rralla të garave dhe veprimtarive të notit gjatë viteve 1950-1970, të cilat janë grumbulluar me kujdes nga Meriban Kadiu.  /a.ke/