TIRANË, 23 shkurt /ATSH/. - Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) sot ka mbajtur takimin e radhës ku ndër të tjera u diskutua rreth intensifikimit të takimeve me zyrtarët e UEFA-s. Në këtë takim u fol edhe për gjendjen e stadiumeve në Kosovë si dhe angazhimin e FFK-së për të gjetur kundërshtarë për përfaqësuesen e Kosovës, shkruan gazeta Express.
Në njoftimin e FFK theksohet se "Sot më 23 shkurt, KE i FFK-së nën drejtimin e Fadil Vokrrit, kryetar, zhvilloi mbledhjen e radhës, ku diskutoi për shumë çështje me rëndësi për futbollin e Kosovës. KE i FFK-së analizoi përgatitjet për fillimin e stinorit pranveror të kampionatit të Kosovës. Në këtë drejtim u tha se për një fillim sa më të mirë janë organizuar testet për gjyqtarë, të cilët kanë treguar mjaft sukses si dhe është mbajtur takim me vëzhgues. Po ashtu, Komisioni për inspektim e fushave është në përfundim të punës së vet dhe shpejt do të jap mendimin e tij për të gjitha fushat e futbollit".
"KE, thuhet ne njoftim, u njoh edhe me afatin kalimtar dimëror ku ishin paraqitur 195 kërkesa në të gjitha rangjet garuese, ku Komisioni do të shqyrtojë kërkesat e klubeve dhe futbollistëve një për një. KE debatoi edhe për ngastrat që ka ofruar komuna e Prishtinës për ndërtimin e stadiumit kombëtar, kështu që u vendos që një grup anëtarësh të KE veç Komisionit që është përbërje nga FFK-a-MKRS dhe komuna, t'i vizitojnë këto dy ngastra".
KE debatoi edhe rreth takimeve që kanë pasur kryetari Fadil Vokrri dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, me zyrtarë të larët nga UEFA, me të cilët u bisedua rreth gjetjes së zgjidhjes për tejkalimin e pengesave ligjore për anëtarësim të FFK-së. Po ashtu, do të vazhdohet intensifikimi i takimeve ndërmjet zyrtarëve të FFK-së dhe UEFA për të arritur objektivat që ka FFK-ja. KE dhe krerët e FFK-së janë duke u angazhuar që për datat e lira të FIFA-së të gjejnë rivale për përfaqësuesen e Kosovës per ndeshje miqësore. /a.ke/








